Ngjarja horror, drejtësia “lan duart” me dosjen e 15 të akuzuarve! SPAK “dorëzohet” para rrëmbyesve dhe vrasësve të Jan Prengës

Mar 24, 2022 | 12:20
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Familja e Jan (Dodë) Prengës mbetet jo vetëm pa trupin e njeriut të vet, po edhe pa asnjë të akuzuar për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e tij! SPAK, me vendimin e djeshëm, çeli shtegun e paprecedent se ndaj kujtdo që mund të ndërmarrë një akt të tillë makabër, edhe pse ka pamje, emra autorësh, vend krimi dhe shkaqe, mund të pushohet jo vetëm gjykimi, por edhe hetimet.

dritan-rexhepi

Sot, ngjarja që daton dy vite më parë, ka vetëm 2 persona në gjykim dhe të gjithë protagonistët kanë dalë të larë nga ajo histori horror, me mesazh të qartë se krimi i organizuar sfidon shtet, ligje e, madje, edhe sistemin e ri të drejtësisë. Dje u bë me dije se Gjykata e Posaçme ka vendosur pezullimin e gjykimit të procedimit penal për shtatë persona që kanë qenë pjesë e procedimit penal 62/2020.

Gjykata thotë se këta persona nuk janë vënë në dijeni të procesit e, për pasojë, vendoset pezullimi i gjykimit. Ndërsa po kjo gjykatë mësohet se ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për pushimin e hetimit për 5 persona të tjerë që kanë lidhje me këtë ngjarje të rëndë, duke e çuar në 12 numrin e atyre që mbeten jashtë akuzave për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të 49-vjeçarit që u rrëmbye në mes të ditës, në mes të rrugës dhe në mes të Kamzës!

Ajo që bie në sy në këtë çështje pushim-pezullimi, është se nuk përmenden emrat e Altin Hajrit dhe të Gramoz Rexhepit. Ky i fundit është konsideruar si personi që realizoi gjithë skenarin e atij akti të tmerrshëm, ndërsa Hajri është personi që gjendet në pamjet që u nxorën nga resorti i tij, të cilat tregonin momentin kur nxirrej trupi i Jan Prengës nga garazhi i “Golden” për t’u futur më pas në një mjet tjetër dhe për t’u zhdukur pa asnjë shenjë sot e asaj dite!

NJOFTIMI I GJYKATËS

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur pezullimi e gjykimit të procedimit penal nr. 62/2020 ndaj të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi (Doçi), Marti Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini (me viktimë të veprës penale Jani Prenga), të akuzuar për kryerjen e veprave penale ‘Rrëmbim apo mbajtje peng e personit’ ku është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109, paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal,

‘Mbajtje pa leje e armëve luftarake’ parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit, ‘Fshehja dhe asgjësimi i kufomës’ parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 të Kodit Penal, ‘Grupi i strukturuar kriminal’ parashikuar nga neni 333a/2 dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal’ parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal, për shkak se nuk kanë marrë dije personalisht për gjykimin, ndërsa ka pranuar kërkesën e prokurorit për pushimin e hetimeve ndaj personave nën hetim:

Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj. Po në këtë gjykatë, vijon gjykimi ndaj të pandehurve Festim Bexhdili e Olsi Turja”, njofton GJKKO.

SPAK, NËNTOR 2021

U bë me dije në mënyrë zyrtare se SPAK ka përfunduar hetimet për ngjarjen e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës. Zyrtarisht u tha se SPAK ka dërguar për gjykim të akuzuarit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu, të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini. Ndërkohë që janë lënë të lirë nga hetimet Bajram, Leonard dhe Elton Hajri, si dhe Aleks dhe Ardian Doçaj, pasi prokuroria thotë se nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse.

Sipas prokurorisë, pengmarrja e Jan Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj, ndërsa ka ndodhur për shkak se i vëllai i tij, Astrit Prenga, kishte vjedhur një sasi kokaine. 7 të pandehurit akuzohen për grup kriminal, rrëmbim me shkaktim vdekjen dhe asgjësim kufome. Prokuroria e Posaçme bëri me dije se Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamzë, Shqipëri.

“Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës, ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që iu përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre, me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar” u tha në njoftimin e SPAK.

AKUZAT ZYRTARE TË SPAK

Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi (Doçaj), Martin Bleta dhe Korado Keshteja, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109, paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal; “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal; “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.

Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109, paragrafi i tretë dhe 28/4 i Kodit Penal; “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit; “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/2 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/ 1 i Kodit Penal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura