Ngjarja e rëndë në Kosovë/ Kryeministri Rama ngushëllon familjarët e viktimave: Jetët e marra nga plumbat e një egërsie meriton ndëshkim ekstrem nga drejtësia

Nov 26, 2021 | 22:58
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të sulmit ndaj autobusit të nxënësve mbrëmjen e sotme në Kosovë.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se jetët e marra nga plumbat e një egërsie meriton ndëshkim ekstrem nga drejtësia.

Ai i shpreh kurajo dhe mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues.

Postimi i Edi Ramës:

Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues.

Më herët për këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar dhe Presidenti Ilir Meta si dhe kryedemokrati Lulzim Basha të cilët kanë bërë thirrje për kapjen dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj ngjarje.

Vrasja ka ndodhur në orën 19:00 në fshatin Gllogjan në zonën e Deçanit në Kosovë. Deri më tani, ngjarja ende mbetet e paqartë pasi nuk dihet se sa persona kanë qenë ata që kanë qëlluar me armë zjarri ndaj autobusit.

Si pasojë e të shtënave, mbetën të vdekur 3 persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës. Ndërkohë mediat kosovare raportojnë edhe një viktimë të katërt, por ende nuk ka një verifikim zyrtar nga autoritetet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura