Ngërçi në PS, Kryesia nuk miraton dot kandidatët për bashkitë, disa ministra kanë humbur mandatin

Apr 1, 2015 | 21:45
SHPËRNDAJE

Kandidatët për kryetarë bashkie rrezikojnë të mos miratohen nga Kryesia e PS-së. “Panorama” shkruan sot se heqja dorë nga mandati i deputetit i ka detyruar disa ministra, anëtarë Kryesie, të mos jenë më pjesë e saj, duke e bërë të pamundur zëvendësimin e tyre kur duhet një muaj deri në depozitimin e listës së kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

GJATE NJE MBLEDHJEJE TE KRYESISE SE PS

Ditmir Bushati, Saimir Tahiri, Mimi Kodheli dhe Eglantina Gjermeni janë bërë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së në dhjetor 2011 për shkak se ishin deputetë.

Neni 27 i statutit të PS, i miratuar në kongresin e nëntorit 2011, përcakton qartë se “Kryetari i PS, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të kryetarit të partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie, kryetarët e PS të rretheve, kryetarët socialistë të bashkive qendër qarku, kryetari i FRES dhe kryetarja e FGS janë drejtpërdrejt anëtarë të AK të PS”. Pra ata kanë qenë anëtarë asambleje vetëm pse ishin deputetë të Partisë Socialiste.

Në mbledhjen e parë të Asamblesë Kombëtare, në dhjetor 2011, Bushati, Tahiri, Kodheli dhe Gjermeni u zgjodhën me votim të fshehtë anëtarë të Kryesisë socialiste.

Por momentalisht, pas heqjes dorë nga mandati i deputetit, i cili i lejonte në mënyrë të drejtpërdrejtë që të ishin anëtarë Asambleje Kombëtare, ministrat aktualë nuk kanë mandat që të jenë anëtarë të Kryesisë.

I vetmi përjashtim për këta katër anëtarë Kryesie është Saimir Tahiri, i cili, edhe pse ka lënë mandatin e deputetit, nuk e humb legjitimitetin e tij për shkak se është kryetar i PS-së së Tiranës dhe për këtë arsye ai është automatikisht anëtar i Asamblesë Kombëtare.

Kjo situatë mund të sjellë probleme edhe në vendimmarrjen për kandidatët për kryetarë bashkie, që sipas statutit është Kryesia ajo që bën miratimin e tyre. Në nenin 29 të statutit të PS-së, në pikën 15 të tij, thuhet se “Kryesia miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore”. Ky ngërç statutor ka ardhur edhe për shkak të mosmbledhjes së Asamblesë Kombëtare që prej korrikut 2013, menjëherë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare.

Kryesia e PS-së, sipas statutit, duhet të kishte miratuar dhe reformat e mëdha që ka ndërmarrë maxhoranca, si reforma administrative, por dhe reformat në arsim, shëndetësi etj. Neni 29 i statutit, në pikën 21 të tij përcakton se “Kryesia e PS-së miraton programet e reformave në fusha të caktuara në zbatim të përparësive politiko- qeverisëse të PSSH”.

Por vendimmarrja në Kryesinë e Partisë Socialiste për kandidatët për kryetarë bashkie vështirësohet edhe për faktin se dy anëtarë të saj, kryetarët e bashkive të Durrësit, Vangjush Dako dhe i Elbasanit, Qazim Sejdini, do të duhet të miratojnë kandidaturën e tyre për një mandat të ri në këto dy bashki. Burime nga Partia Socialiste pohuan dje se do të zbatohet statuti i kësaj partie në lidhje me miratimin e kandidaturave për kryetarët e bashkive dhe pas këtij vendimi do të bëhet shpallja publike e tyre në fundjavë. 

KRYESIA E PS

Edi Rama
Gramoz Ruçi
Erjon Braçe
Ben Blushi
Pandeli Majko
Namik Dokle
Shkëlqim Cani
Taulant Balla
Saimir Tahiri
Vangjush Dako
Besnik Bare
Arben Isaraj
Niko Peleshi
Qazim Sejdini
Lindita Nikolla
Valentina Leskaj
Arta Dade

PA MANDAT

Ditmir Bushati
Mimi Kodheli
Eglantina Gjermeni

 

NENI 27
Asambleja Kombëtare e PS
1. Kryetari i PS, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie, kryetarët e PS të rretheve, kryetarët socialistë të bashkive qendër qarku, kryetari i FRES dhe kryetarja e FGS janë drejtpërdrejt anëtarë të AK të PS. 3. Asambleja Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në 3 muaj. Mbledhja e AK thirret me kërkesë të Kryesisë, të kryetarit të PS, ose të jo më pak se 1/3- ës së anëtarëve të saj.

NENI 29
Kryesia e Partisë Socialiste
Kryesia e PS mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj dhe ka këto kompetenca kryesore:
1. zbaton vendimet e organeve drejtuese qendrore; 2. përpunon qëndrimet korrente politike për gjendjen në vend, për qeverisjen, situatën ndërkombëtare dhe organizon e drejton veprimtarinë e përgjithshme të Partisë; 15. miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore; 21. miraton programet e reformave në fusha të caktuara në zbatim të përparësive politikoqeverisëse të PSSH.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura