Ngërçi me Byronë, AMF miraton drejtoren e re ekzekutive, Anila Hoxha zgjidhet për 6 muaj me të drejtë riemërimi

Jul 19, 2018 | 11:13
SHPËRNDAJE

Bordi i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare ka miratuar në mbledhjen e të mërkurës drejtoren e re ekzekutive të Byrosë Shqiptare të Sigurimit. Anila Hoxha erdhi si propozim i Asamblesë së Byrosë së Sigurimit dhe kaloi provën tek AMF i cili gjithsesi e lë atë në këtë pozicion për 6 muaj me të drejtë riemërimi. Prej kohësh AMF dhe asambleja e Byrosë së Sigurimeve ku janë të përfaqësuera kompanitë e sigurimit ishin në përplasje lidhur me emrin që do të vendosej në krye të Byrosë.

amf-12

Këmbëngulja e AMF lidhur me një emër të ri në krye të Byrosë Shqiptare të Sigurimit lidhej me ngërçin e Fondit të Kompensimit ku vendimet e autoritetit kalonin pa u zbatuar lidhur memasat e dëmshpërblimit.

Në krye të Byrosë për të paktën tre vite ishte i komanduar Kevin Lleshi që në maj të këtij viti u propozua sërish nga Asambleja e Anëtarëve të saj për të njëjtin pozicion. Por vetë Bordi i AMF vendosi që ta refuzojë këtë kandidaturë nën argumentin se emri i propozuar ishte subjekt i masave administrative për shkak të mos zbatimit të vendimeve të autoritetit.

“Në përgjigje të korrespondencave të vazhdueshme të kryera nga zyra BSHS, për buxhetin e BSHS-së të vitit 2018, (me shkresat e AMF-së nr. 618 prot., datë 14.02.2018 dhe 618/3, datë 28/02/2018), për depozitimin e buxhetit të rishikuar duke përfshirë dhe shpenzimet mbi shoqërinë audituese ndërkombëtare, kërkesë në zbatim të vendimit të Bordit të AMF-së, nr. 218, datë 28.12.2017, BSHS nuk ka depozituar ende për miratim pranë AMF-së buxhetin e vitit 2018;

Në lidhje me rastet e ankimimeve të depozituara në Autoritet, mbi praktikat e dëmeve, të cilat rezultojnë të miratuara por të papaguara, kërkesë në zbatim të vendimit të Bordit të Autoritetit nr. 217, datë 28.12.2017, për të cilat është kërkuar informacion, BSHS nuk ka depozituar informacionin e kërkuar në AMF;

Gjithashtu, nuk ka zbatuar kërkesat e Rregullores nr. 2, datë 28.01.2010, e ndryshuar, pasi nuk ka depozituar informacion mbi asgjesimin e policave të pakonsumuara të viteve pararendëse, afati i asgjesimit të të cilave ishte 31.01.2018” do të nënvizonte AMF mes të tjerash lidhur me argumentat e kundërshtimit të kandidaturës së Lleshit.

Jo rastësisht emri i ri i Anila Hoxhës është lënë për një periudhë 6 mujore dhe me të drejtë riemërimi duke nënkuptuar se gjatë  kësaj kohe do të shihet zbatimi i vendimeve të AMF nga ana e Byrosë si dhe ecuria e Fondit të Kompensimit për dëmshpërblimet.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura