Matura, lista e plotë me notat e Letërsisë. Ngelin 1 mijë maturantë

Jun 13, 2013 | 9:05
SHPËRNDAJE

MASH: Nuk kanë kaluar në provim rreth 1000 nxënës.

Publikohen notat për 50 mijë maturantë. Pjesa dërrmuese janë vlerësuar me 6 dhe 7. Nesër provimi i Matematikës.

Përfundon korrigjimi i provimit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për rreth 50 mijë maturantë. Ministria e Arsimit publikoi dje pasdite notat në faqen e saj zyrtare. Gazeta publikon të plotë listat për gjithë vendin. Në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, MASH edhe këtë vit ka nxjerrë vetëm ID-të e nxënësve dhe notat përkatëse pa emra. Burime pranë këtij dikasteri bëjnë me dije se nuk kanë mundur të kalojnë klasën rreth 1000 nxënës. Analiza për notat është në proces nga specialistët. Po t’u hedhësh një sy përgjigjeve, dominojnë notat 6 dhe 7, por gjithsesi i mbetet Agjencisë Kombëtare të Provimeve të japë të dhënat zyrtare si ka qenë niveli i nxënësve këtë vit. Nesër, maturantët do të japin provimin e Matematikës. Njësoj si në të parin, në shkolla do të ketë detektorë për pajisjet elektronike, si dhe zhurmues për valët. Hartuesit e tezave janë ngujuar tashmë, ndërkohë që kjo provë është më e vështira për pjesën më të madhe të maturantëve. Edhe numri i mbetësve në krahasim me letërsinë është më i lartë çdo vit. Ministria e Arsimit bën me dije se të gjithë ata që nuk marrin nota kaluese gjatë këtij sezoni, mund të rijapin provimet vitin që vjen. Këta nxënës humbin automatikisht të drejtën për t’u bërë pjesë e garës universitare. Më 30 qershor, maturantët do të japin provimet me zgjedhje. Vetëm pasi të kenë në duar rezultatet e tyre, do të mund të bëjnë llogaritjen e pikëve dhe të përgatiten për të caktuar 10 preferencat në formularin A2. Formula e pikëve është e ndryshme nga ajo e vitit të kaluar, ku maturantët mund të jepnin edhe tri lëndë me zgjedhje. Formulari A2 do të plotësohet online si A1-shi. Vitin e kaluar, rreth 5000 maturantë nuk patën mundësi të konkurronin në universitet, pasi nuk arritën të merrnin nota kaluese në të paktën një prej provimeve. Këtë vit, 1000 maturantë janë përjashtuar nga matura, pasi rezultuan mbetës në të paktën një prej lëndëve të vitit të fundit. Ata nuk arritën të plotësonin kreditet e nevojshme dhe duhet të rijapin lëndët në sezonin e vjeshtës.

Provimet e Lirimit, 50 mijë nxënës japin Letërsinë
Rreth 50 mijë nxënës në të gjithë vendin i janë nënshtruar provimit të parë të Lirimit, atij të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe. Edhe në shkollat e sistemit 9-vjeçar është ndjekur modeli i Maturës Shtetërore. Testi nisi të plotësohet në orën 10:00, ndërkohë që për dy orë e gjysmë nxënësit iu përgjigjën 25 pyetjeve me alternativa dhe zhvillim, të ndara këto në tri pjesë, ku disa prej tyre kanë qenë pyetje specifike nga programi i Gjuhës shqipe. Ndërkohë çelësi i përgjigjeve të sakta nuk u publikua as në faqen zyrtare të MASH dhe as të AKP, sipas specialistëve për arsye teknike. Përgjigjet e sakta pritet të dalin sot për të gjithë nxënësit e interesuar. Këtë vit, për nxënësit e shkollave 9-vjeçare ka një risi në vlerësimin e testeve. Ato nuk do të grupohen në qendra vlerësimi si ndodh në maturë, por do të korrigjohen pranë drejtorive arsimore përkatëse nga specialistë të ndryshëm, ndërkohë që korrigjimi do të jetë manual. Më datë 19 qershor, nxënësit do t’i nënshtrohen provimit të dytë, atij të Matematikës.

Klikoni ketu per te pare listen e nota ne PDF

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura