Ngec investimi 42 milionë euro i fabrikës së sheqerit në Maliq

Jan 19, 2018 | 10:46
SHPËRNDAJE

Projekti “Albanian Sugar Industry”, një investim prej 42 milionë euro, i cili synonte të rivendoste në punë ish-fabrikën e prodhimit të sheqerit në Maliq dhe një pjesë e mirë e konkretizimit do të fillonte pikërisht vitin e kaluar ka mbetur pezull. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që investitor i ofrohet ish-fabrikës së sheqerit në Maliq dhe tërhiqet.

fabrika e sheqerit maliq

Në vitin 2014, në media, do të publikohej një deklaratë e kryebashkiakut të Maliqit, në zonën e Korçës, i cili deklaronte me optimizëm se do të bëhej një investim miliona euro që do të punësonte mbi 20 mijë njerëz. Bëhej fjalë për një bashkëpunim shqiptaro-polak sipas tij, që do të rivinte në punë ish-fabrikën e prodhimit të sheqerit. Kjo nuk ndodhi në vitin 2014, as në vitin 2015, as 2016, madje as në vitin 2017. Por cilat janë arsyet që ish-ndërmarrjet sot mbeten peng i procedurave dhe në formën e godinave fantazmë? Në shumicën e rasteve, burokracia mes shtetit për çështjen e pronës.

Pse ka ngecur investimi i fundit i ofruar në Maliq

“Monitor” kontaktoi me administratorin e Albanian Sugar Industry, Besnik Nuredini, i cili tha se për momentin kompania ka pezulluar aktivitetin në pritje për të gjetur një zgjidhje, por nuk është tërhequr nga ideja e vënies në punë të fabrikës. “Ne zhvilluam disa takime në zonën e Korçës për të parë interesin për të kultivuar panxhar. Më pas bëmë një kërkesë për të përfituar ish-fabrikën, pra ndërtesën, sepse aty nuk ka pajisje përmes një kontrate 1 euro për 20 vjet. Pas një sërë takimesh u procedura me dy vendime që prona të kalonte nga Bashkia e Maliqit te Ministria e Ekonomisë. Pas këtij hapi, nga ana e ministrisë nuk u dha ndonjë përgjigje. Në atë kohë, ne si investitorë shqiptarë afruam edhe investitorë të huaj dhe konkretisht kishim kontakt me kompaninë shtetërore të Kinës CMEC e cila do të vinte si aksionere në investim. Duke qenë se nuk patëm një përgjigje, ne kërkuam mundësinë për të blerë tokën por një kompani shtetërore e një vendi tjetër nuk mund të blerë tokë në vendin tonë. Nga ky moment, gjithçka mbeti pezull dhe kompania nga Kina u tërhoq. Aktualisht, edhe pse aktiviteti është pezulluar, ne jemi në negociata me disa palë interesi, së pari një tentativë me një kompani investitore nga Zvicra dhe së dyti, kemi kontaktuar sërish me Kinën, duke u lënë si opsion që të kenë aksione qoftë dhe në minorancë. Në total, investimi sipas studimit të fizibilitetit që kemi kryer ne vlerësohet në 42 milionë euro, por vëmë re një mungesë të vullnetit politik për ta çuar para si investim”.

Projekti, çfarë parashikon

Referuar projektit Albanian Sugar Industry parashikon prodhim deri në 80 mijë tonë sheqer në vit për të cilën është e nevojshme një sasi prej 616 mijë tonë panxhar. Lidhur me ndikimin në zonë, kompania nënvizon se vetëm përmes vënies në punë të fabrikës vihen në kultivim 12 mijë hektarë tokë (vetëm për panxharin dhe për këtë kapacitet). Po kështu, punësohen rreth 20 punëtorë. “Fermerët shqiptarë orientohen drejt kultivimit të kësaj kulture dhe të  ardhurat e fermerëve parashikohen të jenë mbi 17 milionë euro për sasinë e tokës në kultivim, pa përfshirë të  ardhurat dytësore të tyre. Po kështu, punësohen në fabrikë rreth 300 punonjës, pa përfshirë punonjësit e transportit, shërbimeve”, thuhet në faqen e kompanisë.

Çështja e pronave tek investimet

Çështja e pronave është problemi më i madh që institucionet ndërkombëtare lakojnë kur vjen puna tek kufizimi i Investimeve të Huaja Direkte. Kjo problem nuk lidhet vetëm me rastet kur në mes është i përfshirë një investitor dhe një individ, sepse këtë shteti e ka rregulluar me ligj. Pra në rastet kur bëhet fjalë për një investim të madh, shteti merr përsipër barrën që të vijojë gjyqin me individin, ndërkohë që investitori vijon punën. Madje korrigjimi i fundit në ligjin që sanksiononte mbrojtje të veçantë u bë në mars të vitit të shkuar, duke forcuar edhe më tej këtë masë të filluar në 2010 nga qeveria e djathtë. Teorikisht, qeveria është e gatshme të zgjidhë çdo ngërç me pronat kur bëhet fjalë për investime, por kjo vlen kur në mes është një investitor dhe një individ. Kur vjen puna tek marrëveshja mes shtetit dhe investitorëve duket se çështja nuk është kaq e thjeshtë. Në raste specifike, pikërisht burokracia mund të lërë pezull disa investime. Nëse ato ishin serioze apo jo këtë nuk do të mundemi ta vërtetojmë dot për aq kohë sa nuk u ndez drita e gjelbër për fillimin.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura