Ngacmon në Facebook gruan e martuar: Më pëlqen, dua të pimë kafe

Nov 25, 2015 | 9:45
SHPËRNDAJE

TIRANE – Policia e Tiranës ka arrestuar një 30- vjeçar nga fshati Troshan i Lezhës, pasi ishte denoncuar për përndjekje disa ditë më parë nga një grua 35 vjeçe.

Kallëzuesja, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, kishte kërkuar ndihmën e Policisë, në Komisariatin nr.3, pasi, sipas saj, autori, jo vetëm që e fyente dhe e kërcënonte në “Facebook”, por i kishte shkaktuar edhe probleme më bashkëshortin.

Policia e Tiranës
Policia e Tiranës

Burime nga policia thanë se pas denoncimit që 35-vjeçarja me iniciale I.V. kishte bërë në Komisariatin nr.3, kishin nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Në kallëzimin e saj, e dëmtuara shprehej se një shtetas me emrin Bruno Kola, i kishte shkruar dy muaj më parë në “Facebook”, fillimisht duke e komplimentuar e më pas duke i kërkuar që të takoheshin.

Megjithëse ajo i kishte kthyer përgjigje, duke i kërkuar ta linte të qetë, pasi ishte grua e martuar dhe nënë fëmijësh, autori sërish kishte vazhduar me mesazhe, madje duke kaluar edhe në fyerje. Nëna e re ka deklaruar se e ka bllokuar disa herë në “Facebook”, por ai i fliste nga adresa të ndryshme sa herë që ajo e bllokonte, duke kërkuar gjithmonë të njëjtën gjë.

Mesazhet e tij kishin krijuar situata të pakëndshme në familje dhe grindje të vazhdueshme me bashkëshortin. Në disa prej mesazheve, shtetasi tashmë i arrestuar, Bruno Kola, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, e kishte kërcënuar 35-vjeçaren, duke i thënë se do ta vriste në rast se nuk dilte për të pirë një kafe me të.

Burimet thanë se pasi janë verifikuar të gjitha adresat, në bashkëpunim me oficerët e Krimeve Kibernetike, është arritur të zbulohet vendndodhja e të dyshuarit dhe dy ditë pas kallëzimit është arritur të arrestohet. Nga ana tjetër, edhe në Komisariatin nr.6, një studente e Shkencave Sociale ka denoncuar një rast të ngjashëm, duke denoncuar një person, që e shqetësonte vazhdimisht në “Facebook”.

Burimet thanë se 22-vjeçarja D.J. ka denoncuar për përndjekje një 28-vjeçar, i cili është shoqëruar nga policia dhe është vendosur që të hetohet në gjendje të lirë. Sipas Policisë, i dyshuari, shtetasi me iniciale D.Ç., ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë qëllim për ta shqetësuar apo për t’i hapur probleme studentes, thjesht i pëlqente dhe kërkonte që ta njihte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura