Ngacmimi seksual/ Drejtori i Beratit në burg pas denoncimit: Nxënësja e sëmurë, unë…

May 30, 2017 | 12:23
SHPËRNDAJE

Drejtori i shkollës “Babë Dudë Karbunara” është lënë në burg nga Gjykata e Beratit. Yzedin Hajdaraj pasi u njoh me masën e sigurisë, pas denoncimit për ngacmim seksual që i bënë nxënëset e tij me inicialet L.F. dhe F.F., 16 vjeçe ka reaguar në gjyq.

Drejtori i arrestuar, Yzedin Hajdaraj
Drejtori i arrestuar, Yzedin Hajdaraj

Siç mësohet, 59-vjeçari jo vetëm nuk ka pranuar akuzën ndaj tij, por madje ka deklaruar se për njërën prej nxënëseve që e ka akuzuar atë për ngacmim (që i përket komunitetit rom), ai kishte bërë fushatë sensibilizimi në shkollë për të mbledhur para, për shkak se ajo vuante nga një sëmundje, shkruan “Panorama”.

“Janë shpifje. Jo vetëm që nuk kam abuzuar me askënd, por për njërën nga vajzat kam ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për mbledhje fondesh në shkollë, pasi vuante nga një sëmundje gjaku”, mësohet se është shprehur gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë drejtori i shkollës.

Por me gjithë pretendimet e vetë të akuzuarit dhe palës mbrojtëse, gjykatësja Rudina Palloi cilësoi si të ligjshëm arrestimin dhe vendosi ndaj 59-vjeçarit masën e sigurisë “arrest në burg”.

Një masë e tillë është kërkuar edhe nga prokurori i çështjes, Olgert Rumnici. Ai i kërkoi Gjykatës cilësimin si të ligjshëm të ndalimit të Hajdarajt dhe kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të “ngacmimit seksual” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Në seancën e vlerësimit u zbardhën edhe detaje të tjera.

Sipas të dhënave, mësohet se njëra prej nxënëseve (për të cilën drejtori është shprehur se e ka ndihmuar), është shprehur se drejtori e kishte ngacmuar rreth një muaj më parë.

Ndërsa nxënësja tjetër e vitit të dytë në këtë shkollë, mësohet se i kishte kërkuar Hajdarajt, i cili ishte edhe mësues i gjeografisë, që të përmirësonte një notë provimi. Ajo kishte marrë vlerësime në lëndën e Gjeografisë gjatë semestrit tri 10-ta dhe një 8-të.

Për këtë shkak, vajza ka kërkuar të përmirësojë notën tetë. Drejtori ka pranuar t’i bënte një provim të dytë, por në zyrën e tij. Pikërisht në zyrë, 16- vjeçarja pretendon se drejtori e ka prekur atë.

ERJOLA AZIZOLLI /PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura