Nga zhdukja e kreut të Interpolit të i favorizuari për të marrë drejtimin, çfarë po ndodh me Policinë ndërkombëtare…

Nov 20, 2018 | 19:41
SHPËRNDAJE

Interpoli pritet të zgjedhë një president të ri këtë të mërkurë, pas zhdukjes në Kinë të presidentit të mëparshëm, Meng Hongwei, rreth dy muaj më parë.

Major Gjenerali Alexander Prokopchuk
Major Gjenerali Alexander Prokopchuk

Alexander Prokopchuk, një shtetas rus, pritet të fitojë postin, duke shënuar një fitore të madhe për Presidentin rus, Vladimir Putin. Delegatët, nga 192 shtetet anëtare të organizatës ndërkombëtare të Policisë, u mblodhën në Dubai këtë javë për të zgjedhur një president të ri pas zhdukjes së Meng Hongwei, një shtetas kinez, i cili u zgjodh në presidencën e Interpolit në vitin 2016. Mandati i tij do të përfundonte në vitin 2020. Aktualisht, ka dy kandidatë të konfirmuar për presidencën, sipas “The Times of London”: Prokopchuk, një veteran i Ministrisë së Brendshme të Rusisë dhe Kim Jong Yang, kreu i ngarkuar i Interpolit në Korenë e Jugut. Edhe Afrika e Jugut thuhet se po emëron një kandidat.

I FAVORIZUARI

Prokupchuk pritet të zgjidhet si presidenti i Interpolit, sipas “Times of London”, që ka cituar zyrtarët britanikë. 56-vjeçari ka punuar për Ministrinë e Brendshme të Rusisë. Në vitin 2016 ai u bë rusi i parë i zgjedhur si zv.presidenti i Interpolit. Emërimi i tij do të ishte një ndihmë e madhe për Kremlinin, që vazhdimisht është përpjekur të lëshonte urdhërarreste ndërkombëtare, të njohura edhe si njoftime të kuqe, për kritikët e Putinit. Të hënën, prokurorët rusë akuzuan financierin britanik Bill Browder, një nga kritikët më të ashpër të Putinit, për mashtrime globale, ka raportuar korrespondenti i “Financial Times” në Moskë, Max Seddon. Ata nuk ofruan dëshmi për arrestimin. Moska ka lëshuar të paktën gjashtë kërkesa për Interpol për të arrestuar dhe ekstraduar Browderin në të kaluarën, por Agjencia i ka injoruar ato. Prokupchuk mund të ripërtërijë urdhërarrestet ruse, pasi “ai ishte personi në Ministrinë e Brendshme të Rusisë, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e shumë prej këtyre kërkesave kur ai ishte një zyrtar i qeverisë ruse”, ka thënë për “Times” ish-këshilltari special i Zyrës së Jashtme britanike David Clark. Aktivistët gjithashtu protestuan edhe ndaj zgjedhjes së Meng në presidencën e Interpol në 2016, duke cituar punën e tij të mëparshme në Ministrinë e Kinës për siguri publike.

TAKIMI 

Nga 18 deri më 21 nëntor në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe mbahet Asambleja e Përgjithshme e Interpolit. Delegatët e vendeve anëtare kanë të drejtën e një vote dhe vendimet merren me një shumicë të thjeshtë. Si organi suprem qeverisës i Interpol, Asambleja takohet një herë në vit dhe merr të gjitha vendimet e mëdha mbi politikën e përgjithshme të saj, burimet që i duhen për bashkëpunimin ndërkombëtar, metodën e punës, financat dhe programet e aktiviteteve.

ZHDUKJA E MENG

Meng u zhduk pasi udhëtoi në Kinë më 29 shtator. Pekini qëndroi fillimisht në heshtje për këtë çështje dhe më pas reagoi më shumë se një javë pas ndalimit të tij, duke thënë se e kishte arrestuar atë dhe po e hetonte lidhur me akuzat për ryshfete. Po atë ditë, Interpoli tha se ka marrë dorëheqjen e Meng, pa specifikuar burimin dhe e pranoi atë me efekt të menjëhershëm. Letra ishte e panënshkruar dhe nuk kishte dëshmi të pëlqimit të Meng, sipas “Associated Press”, që citoi përfaqësuesit e Meng. Jurgen Stock, sekretari i përgjithshëm i Interpolit, ka thënë se rregullat e Agjencisë nuk e kanë lejuar atë të hetojë mbi hetimin e Meng.

DEKLARATA E GRUAS SË ISH-PRESIDENTIT

Gruaja e Meng, Grace, tha për “BBC” muajin e kaluar se “Nuk jam e sigurt se ai është gjallë, ata janë mizorë, janë të pistë”, duke iu referuar taktikave të Kinës për heshtjen e njerëzve. Ajo tha se mesazhi i fundit që mori nga burri i saj, më 25 shtator, ishte një emoji me thikë, që sugjeronte se ai ishte në rrezik. Katër minuta para emojit, Meng i kishte shkruar gruas në gjuhën kineze “Prit telefonatën time”, e cila nuk u bë kurrë. Meng ka punësuar dy kompani ligjore në Londër dhe Paris për të gjurmuar bashkëshortin e saj. Interpoli dhe Kina ende nuk i ishin përgjigjur pyetjeve të avokatëve.

/Panorama/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura