Nga zhdukja e emigrantit te vrasja e gjyqtarit, kush është miku i Shullazit, i ekzekutuar në atentat

Nov 8, 2018 | 15:32
SHPËRNDAJE

Edison Harizaj, pronar i kompleksit “Oslo” në Vlorë, njihej si një person mjaft i kujdesshëm që nuk ekspozohej dhe mbante gjithnjë njerëz të armatosur me vete. Ai njihej në Vlorë me nofkën “Il Padrino”, pasi kishte nën kontroll mjaft të “fortë” dhe ushtarë të tij. 

VIKTIMAT, EDISON HARIZAJ DHE GENCI ÇAÇI (MAJTAS)
VIKTIMAT, EDISON HARIZAJ
DHE GENCI ÇAÇI (MAJTAS)

Gjithashtu njihej si “Edison Faqedjeguri”, pasi në moshë të vogël kishte pësuar një djegie në faqe, si dhe “Edisoni i shtatë pallateve”, pasi rrinte te zona e njohur si “Shtatë pallatet” në Vlorë, aty ku kishte dhe biznesin e tij.

Por emri i tij ishte i njohur për drejtësinë, jo vetëm si i dënuar për vrasje e plagosje, por edhe si i dyshuar për disa krime të rënda, përfshirë edhe atentatin ndaj gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi. Ky krim, që tronditi Vlorën, nuk u arrit të provohej dhe emri i tij mbeti vetëm në kuadër dyshimi. Ndërkaq, për viktimën tjetër Genci Çaçi dyshohet se ishte mik i Harizaj dhe shërbente si “ushtar” i tij.

Edison Harizaj
Edison Harizaj

LIRIMI NGA BURGU

39-vjeçari Edison Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend. Ai ka qenë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, me të cilin u kapën me armë në vitin 2012. Ka qenë i dënuar me 10 vite burg për vrasje, dënim që e kishte përfunduar në vitin 2010. Për këtë krim u arrestua më 7 mars të vitit 2000, ku u provua se në bashkëpunim me Skerdilajd Pashajn kishin vrarë me armë zjarri, më 22 korrik 1999, shtetasin Erion Ahmetin si dhe kishin plagosur rëndë shtetasit F.D dhe N.R.

Ndërkohë që lirimi i tij u kthye edhe në objekt hetimi, pasi u dyshua se ai kishte paguar për të dalë nga burgu. Mësohet se Harizaj ka qenë pjesë dhe bashkëpunëtor i disa bandave që drejtohen nga Emiljano Shullazi, në Durrës-Tiranë-Krujë dhe ai ka qenë i dyshuar për disa krime, si vrasje, plagosje, por edhe gjobëvënie ndaj bizneseve dhe personave të ndryshëm.

ZHDUKJA E ALBANO XHAFERRIT

Edison Harizaj ishte në hetim për një tjetër ngjarje të ndodhur pak muaj më parë në Vlorë, ku Albano Xhaferri, i sapokthyer nga Belgjika, u zhduk dhe dyshohet se është vrarë prej tij. Për këtë ngjarje ka dhënë deklarim më datë 2 gusht 2018 shtetasi Gazmend Merkaj, banues në Vlorë. Ky i fundit kishte lidhje shoqërore me shtetasin Ardit Kola (mik i Harizaj) dhe në datën 1 gusht 2018 është vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, duke shpjeguar se ndihej i kërcënuar për jetën nga shtetasit Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj.

Albano Xhaferri
Albano Xhaferri

Merkaj u vetëdorëzua në Fier, duke deklaruar se nuk kishte besim në Policinë e Vlorës. Në deklarimin e dhënë, ai ka shpjeguar se ka dijeni për zhdukjen e Albano Xhaferit, pasi ka qenë me shtetasit e mësipërm kur ata kanë organizuar dhe marrë atë në makinë, me qëllim për ta dorëzuar në ambientet e Kompleksit “Oslo”, në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë, për llogari të shtetasit Edison Harizaj. Gazmend Merkaj ka shpjeguar gjithashtu se ka mësuar nga shtetasit Ardit Kola, Aleksandër Çaushaj dhe Ilir Shakaj se Albano Xhaferi është vrarë me mjete të forta që në momentin që është marrë në automjetin e markës “Audi” me targë AA 560 TR dhe më pas është dërguar për në garazhet në posedim të Edison Harizaj në Kompleksin “Oslo”.

ATENTATI NDAJ LLANAJ

Një tjetër tentativë vrasje ndodhi në Vlorë vitin e kaluar, ku u tentua të vritej me breshëri Ferdinand Llanaj. Lidhur me këtë ngjarje, i vetëdorëzuari në Policinë e Fierit ka shpjeguar se është kryer me urdhër të Edison Harizaj. Sipas tij, Albano Xhaferi ka pasur dijeni për autorët e tentativës së vrasjes së Ferdinant Llanaj në muajin tetor të vitit 2017, ndaj edhe është ekzekutuar pak muaj më parë. Përsa u përket automjeteve të përdorura për marrjen dhe më pas për vrasjen e shtetasit Albano Xhaferi, i penduari Gazmend Merkaj ka shpjeguar se fillimisht ishte programuar dhe organizuar që Xhaferi do të ruhej për lëvizjet e tij me një automjet të markës “Mercedes Benz” 250, me ngjyrë kafe të errët, në përdorim të shtetasit Aleksandër Çaushaj, të cilit i kishin bërë edhe dy vrima në bagazhin e tij për të vrojtuar lëvizjet e Albano Xhaferit. Ky i fundit u zhduk vetëm pak ditë, pasi ishte kthyer nga Belgjika, ndërsa Policia nuk përjashtoi asokohe dyshimin për implikimin e tij në pazare droge.

Skerdilajd Konomi, gjyqtari i vrarë në atentat në 2011
Skerdilajd Konomi, gjyqtari i vrarë në atentat në 2011

 

PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura