Nga zgjedhjet “e qeta” po del një farsë

Jul 2, 2015 | 12:03
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

     Përtej qetësisë dhe makijazhit të jashtëm, zgjedhjet vendore të 21 qershorit po tregojnë një tjetër fytyrë: atë të një farse të re, që ka lënë gjurmë në shumë bashki. Vëzhguesit ndërkombëtarë të misionit të OSBE/ODHIR-it kanë parë kësaj radhe më shumë dhe më qartë se vetë vëzhguesit e partive të opozitës. Në raportin e parë, që u publikua të nesërmen e zgjedhjeve, ODHIR ka renditur një listë parregullsish, që fillojnë me vendimet antiligjore të KQZ-së dhe vijojnë me shkelje të llojllojshme në zonat e vëzhguara. Megjithëse nuk e kanë zakon të nxitojnë,  ndërkombëtarët nuk kanë pritur raportin përfundimtar për të  nënvizuar se “parregullsitë e marra së bashku kanë minuar besimin e publikut në integritetin e gjithë sistemit”. Ky përfundim   peshon si një gur i rëndë mbi zgjedhjet e 21 qershorit. Ç’mund të thuhet më shumë! Ç’mund të ketë më keq!
Shkeljet dhe problemet e pasqyruara në raport nga ODHIR kanë gjetur jehonë të gjerë në qëndrimet e deritanishme të SHBA, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian. Kudo po flitet me shqetësim të madh për shitblerje masive të votës, edhe pse kjo  nuk është e lehtë të provohet, siç tha europarlamentari Eduard Kukan, pasi jo vetëm ai që e blen votën, por edhe ai që e shet shkel ligjin.

Megjithatë, dëshmitë e shitblerjes, hilet dhe marifetet e përdorura po dalin në dritë vrullshëm si djajtë nga shishja, duke i dhënë formë një farse të veçantë, që mund të quhet kapje e zgjedhjeve nga një qeveri me tipare regjimi në lidhje të ngushtë me biznesin informal dhe grupe të ndryshme të malavitës.
Në raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR-it pritet të ketë gjetje, fakte dhe dukuri të tjera, që kanë dalë në dritë gjatë procesit të numërimit të votave apo ankimimit. Votimet për këshillat, edhe pse numri i njësive të qeverisjes vendore u ul nga mbi katërqind në gjashtëdhjetë e një, janë pasqyra e një kalbëzimi të thellë, kur zgjedhjet kanë degraduar në një pazar të mirëfilltë të votave. Vota e të burgosurve, ku LSI ka fituar në mënyrë plebishitare, është fotografia më pikante e maskaradës. Në burgun e grave në Tiranë kandidati i opozitës, Halim Kosova, kishte vetëm tre vota, ndërsa LSI ishte partia më e votuar me një shumicë dërrmuese. Zgjedhjet në burgje, ku drejton një kupolë nën vartësinë e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, duhet të  hetohen. Psikologjia e një pazari dhe manipulimit kaq masiv të votës për këshilltarët, vështirë se nuk ka prekur votimet për kandidatët.

Ky fakt i autodemaskimit të bujshëm të zgjedhjeve nuk ka për t’u shpëtuar vëmendjes së ndërkombëtarëve. Partia Demokratike dhe opozita kanë njoftuar se po përgatisin një dosje të detajuar të parregullsive dhe manipulimeve. Pardje, opinioni publik u njoh me provën filmike të mbushjes së një kutie nga komisionerët e majtë në një qendër votimi në Shkodër. Dyshimet dhe denoncimet për hedhje votash dhe mbushje kutish në orët e fundit të procesit të votimit po vijnë nga shumë drejtime, përfshirë organizatat vendore të vëzhgimit të zgjedhjeve.  Mbushja e kutive në Shkodër apo në Vorë na kujton se ka një “enigmë” për t’u sqaruar nga PD dhe opozita: në mjaft bashki përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje në dy orët e fundit të procesit të votimit është rritur nga pesëmbëdhjetë deri në njëzet për qind, ndërkohë që nuk ka pasur radhë të gjata gjatë kësaj periudhe dhe qendrat e votimit, me fare pak përjashtime, janë mbyllur në orën 19:00. Kjo verifikohet lehtë, duke referuar njoftimet zyrtare të KQZ-së për pjesëmarrjen orë pas ore. Duket vërtetë e vështirë, për të mos thënë e pamundur teorikisht, që një numër kaq i madh zgjedhësish të mund të votojnë brenda një kohë kaq të shkurtër.     

Fakte të tjera për t’u hetuar brenda mundësisë që krijon   ndrojtja zgjedhësve, por edhe zgjimi dhe revolta e tyre në këtë  rast, janë marrja me kërcënime e kartave të identitetit, blerja e kartave të identitetit, blerja me lekë e abstenimit, pra heqja e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur një numër të papërcaktuar shtetasish, gjë që përbën një krim zgjedhor të natyrës së gjenocidit politik. Është tronditës mesazhi që një vajze të re tetëmbëdhjetëvjeçare nga Bashkia e Vorës i kishte dërguar të  nesërmen e zgjedhjeve gazetarit dhe drejtuesit të emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu. Në këtë mesazh, vajza që do të votonte për herë të parë, rrëfen si u bë copë-copë ëndrra e saj e mrekullueshme për të cilën me siguri, me kërkesën e mësueses,  kishte shkruar hartime të bukura në shkollë. Dikush u mori kartat  gjithë pjesëtarëve të familjes. “Nëna qau gjithë ditën dhe unë qava gjithë ditën”, shkruante vajza e traumatizuar. Ëndrra e saj për të votuar për herë të parë ishte vrarë nga pengmarrësit dhe dhunuesit e zgjedhjeve. Fevziu e lexoi në studio mesazhin e asaj vajze. Ishte si një elegji për zgjedhjet në Shqipëri. Sa raste të tilla ka? Sa është numri i atyre që u janë marrë ose blerë kartat? Pesë mijë kemi evidentuar deri tani, thotë Partia Demokrate. Kryeministri Edi Rama, që ka akoma mbështetje popullore të mjaftueshme për të mbajtur qeverinë, duhet të skuqet që nën qeverisjen e tij, vota, pasuria më e çmuar e njeriut të lirë në demokraci, u zhvlerësua dhe u dhunua në këtë shkallë.

Ai mund të edhe të merret me rastin e vajzës nga Vora, duke qenë se në mes është një figurë publike si Blendi Fevziu. Por problemi është shumë më i thellë. Zgjedhjet në Shqipëri janë vënë nën një rrethim të shumëfishtë dhe janë kapur në një rrjetë të shumëfishtë fijesh që fillon me kërcënimet antikushtetuese se kush nuk voton qeverinë nuk ka fonde, vijon me shitblerjen masive të votave, mbyllet me dhunën e drejtpërdrejtë të bandave pranë qeverisë dhe kandidatëve të saj. Mbajtja në garë me çdo kusht i  individëve me rekorde kriminale, duke sfiduar thirrjet pa precedent të SHBA kundër kandidimit të tyre, është kushtrimi dhe pika e mjaltit e Edi Ramës lëshuar malavitës.
Për një grusht vota apo për disa bashki me shumë, që nuk e kuptoj përse i duhen, Kryeministri ka thelluar hendekun me SHBA. Është  tepër domethënëse letra plot komplimente që ambasadori i SHBA,  Donald Lu, i ka drejtuar doktor Halim Kosovës. Nuk di një rast kur kandidati që nuk i ka fituar zgjedhjet përshëndetet nga  përfaqësuesi i vendit më të madh mik përpara fituesit e zgjedhjeve. Letra e ambasadorit LU i ka brenda të gjitha dhe është një nga ngjarjet më inkurajuese të kohëve të fundit për demokracinë në Shqipëri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë qenë faktoi vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë  para një shekulli, faktori vendimtar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, faktori vendimtar për daljen e Shqipërisë nga regjimi komunist dhe hyrjen e saj në NATO, faktori numër një i paqes dhe lirisë në botën e sotme, nuk do t’i lenë vetëm shqiptarët në përpjekjen e tyre të re për të shpëtuar nga sundimi dhe poshtërimi i korrupsionit dhe krimit të ngritur në sistem.
Ilir Meta dhe Edi Rama vinin si organizatorë të zgjedhjeve të vitit 2015 me nga një rekord negativ në kurrikulumet përkatëse: cenimin e zgjedhjeve të vitit 2001 dhe 2003. Kishin kaluar vite që atëherë. Pa rënë në iluzione, pozita nuk ka bërë ndonjë mëkat që ka menduar se edhe këta të dy kishin nxjerrë mësime nga e kaluara. “Më mirë të të mashtrojnë, sesa të mos besosh”, thotë dijetari i njohur anglez, Samuel Xhonson. Kjo thënie e hollë nuk ka vlerë herën e tretë. Tani e dimë me kohë se ç’mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme nëse këta të dy lejohen të bëjnë këtë që bënë kësaj radhe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura