Nga vizita e Bejkerit te Reforma në Drejtësi, Milo tregon ndihmën e SHBA-ve: Politika shqiptare u përpoq të shfrytëzojë dhe keqpërdorë miqësinë e bashkëpunimin

Mar 15, 2021 | 15:28
SHPËRNDAJE

paskal-milo-30-vjetori marredhenit SHBANGA PASKAL MILO

Rënia e paralajmëruar e regjimit komunist riktheu Shtetet e Bashkuara në Shqipëri. Kishin munguar jo për shkak të përgjegjësisë së tyre. Shqiptarët i kanë dashur jo se kanë qenë të mëdhenj e të pasur.

I kanë admiruar gjithnjë, hapur, kur kanë qenë të lirë dhe në heshtje kur mungonte liria e të shprehurit. Kur ra komunizmi, shqiptarët kishin një mijë e një probleme, njëri më i madh se tjetri, vendi ra në anarki. Lëvizja Studentore “Liri – Demokraci” e kreu pjesën e parë të misionit të saj: i çliroi nga diktatura.

Por, nuk mjaftonte. Duhej të kryhej pjesa e dytë e binomit studentor: demokracia, ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve të saj, kuptimi dhe zbatimi i thelbit të saj. Pa demokraci nuk do të mund të kishte as liri. Por demokracinë nuk mund ta sillnin dhe as mund ta ndërtonin persekutorët e djeshëm. Opozita e sapokrijuar nuk kishte përvojë e kulturë shtetformimi demokratik.

Individë të veçantë të saj mund të kishin lexuar libra për demokracinë si koncept apo kishin njohuri se si ajo funksiononte në botën perëndimore, por nuk kishin ende përgatitjen dhe aftësinë për ta ndërtuar e zbatuar në Shqipëri. Kjo ishte një sfidë e madhe, jetike, më e madhe se edhe nga varfëria e tejskajshme që kishte kapluar vendin, se papunësia, gjymtimi fizik e shpirtëror i një mase të madhe shqiptarësh që shpëtimin filluan ta kërkojnë përmes arratisjes kacavjerrëse drejt Perëndimit.

Në këtë kapërcyell epokal, shqiptarëve u erdhën në ndihmë Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian. Ishte një mision i koordinuar dhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë Europën Qendrore e Lindore ish-komuniste. Por Shqipëria kishte më tepër nevojë për shkak të prapambetjes së saj, por edhe të ishregjimit stalinist të saj.

Mesazhi refren që përcolli Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker, (James Baker) në fjalimin e tij para popullit të Tiranës në 22 qershor 1991, “ju jeni me ne dhe ne jemi me ju” u bë simboli i një rinisjeje optimiste e një të ardhmeje të sigurt të miqësisë e të mbështetjes amerikane për Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara e dinin se nga duhej filluar puna për të rilindur Shqipërinë, për të ndërtuar kolonat e një shteti demokratik funksional. Mund të dërgonte më tepër anije me grurë e ushqime, ilaçe apo veshje, por nuk ishte kjo mënyrë për ta rindërtuar Shqipërinë e për ta futur në rrugën e progresit.

Shqiptarët duheshin mësuar, edukuar e ndihmuar për të ecur me këmbët e tyre në rrugën e gjatë të demokracisë. Që në 15 mars 1991, ditën kur në Uashington u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, administrata amerikane i përcolli qeverisë shqiptare të kohës mesazhin se “mundësitë tona për të ndihmuar Shqipërinë do të lidhen me mënyrën se si ajo do të kryejë reformat dhe nga kujdesi që do të tregojë qeveria e saj për të drejtat e njeriut”.

Investimi amerikan për t’i hapur rrugën demokracisë në Shqipëri, për ta zhvilluar e konsoliduar atë më tej në këto 30 vite ka qenë shumë i madh. Dëshmitë dokumentare dhe faktet janë të panumërta. Por vlen të përmenden disa nga akset e rëndësishme të mbështetjes e të ndihmës amerikane në shtetndërtimin demokratik të Shqipërisë.

I. Zgjedhjet si shprehje e vullnetit të popullit janë një institucion i pazëvendësueshëm i demokracisë. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur me vëmendje serialin e zgjedhjeve parlamentare e vendore në Shqipëri që nga 31 marsi i vitit 1991 e deri sot, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit. Ato kanë qenë një gjykatës i paanshëm në vlerësimin e tyre mbështetur si në përfundimet e arritura nga OSBE-ODHIR-i, ashtu edhe në vëzhgimet e përfaqësuesve të Kongresit e të administratave të ndryshme të Shtëpisë së Bardhë.

Departamenti i Shtetit për zgjedhjet e 31 marsit 1991 u deklarua se ato u zhvilluan në rregull, por “në kushte të pabarabarta” dhe se “nuk arritën nivelin e standardeve të KSBE”. Për zgjedhjet e 26 majit 1996, Shtetet e Bashkuara mbajtën një qëndrim zyrtar shumë kritik dhe theksuan se “për ne, më e rëndësishme është procedura e zhvillimit të zgjedhjeve se sa rezultati përfundimtar”.

Administrata demokrate e Presidentit Klinton përkrahu dhe vlerësoi zyrtarisht dhe publikisht referendumin për Kushtetutën në 28 nëntor 1998 dhe e vlerësoi atë “si një proces transparent dhe në bazë të standardeve demokratike”. Vërejtje serioze pati administrata republikane e Presidentit Xhorxh W. Bush për zgjedhjet e qershorit 2001, ndërkohë që u vlerësuan brenda standardeve ato të vitit 2005.

Vlerësime jo fort pozitive u bënë për zgjedhjet e vitit 2009, ndërsa ato të vitit 2013 u cilësuan korrekte, por me rekomandimet përkatëse të OSBEODHIR-it. Për zgjedhjet e vitit 2017, deklarata zyrtare e Shteteve të Bashkuara nënvizoi se votimi në shumicën e qendrave të votimit ishte efecient dhe paqësor, pati disa dhunime serioze elektorale, por ato nuk ishin kaq të përhapura sa për të ndryshuar rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Shqipëria ndodhet përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Të gjithë jemi dëshmitarë se me sa kujdes janë duke ndjekur përgatitjet për zhvillimin e tyre Shtetet e Bashkuara, sesa të angazhuar kanë qenë për arritjen e kompromisit të 5 qershorit 2020 dhe për vështrimin kritik që iu bënë ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor pas saj. Por mbi të gjitha, duhet vlerësuar këmbëngulja e Departamentit të Shtetit dhe posaçërisht e Shkëlqesisë së saj, Ambasadores Juri Kim në thirrjet e tyre zyrtare e publike drejtuar partive politike garuese në zgjedhje që të shmangin nga listat e kandidatëve për deputetë persona të korruptuar e të lidhur me krimin.

Mbetet për t’u parë se sa janë dëgjuar këshillat dashamirëse amerikane. Në Shqipëri funksionon politika e hyrjes nga dritarja kur mbyllet dera.

II. Një vend qendror në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka pasur ndihma për ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Institucionet e shtetit komunist shqiptar, si nga përmbajtja, ashtu edhe nga misioni, nuk mund të ishin pjesë e ndërtimit të shtetit demokratik shqiptar. Shtetet e Bashkuara jo vetëm përmes këshillave, por edhe me asistencë teknike luajtën një rol të rëndësishëm në ringritjen dhe përsosjen e piramidës institucionale demokratike në Shqipëri.

Xhejms Bejker në Tiranë në 22 qershor 1991 dha një tjetër mesazh të qartë në Parlamentin shqiptar. “Cilësia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane do të varet nëse qeveria realisht do të shkojë përpara me reformat kushtetuese, të tregut të lirë dhe të zgjedhjeve të lira që ajo ka premtuar”.

Në radhë të parë, ndihma amerikane u përqendrua në krijimin e shtetit juridik demokratik e pluralist. Ekspertët dhe ligjvënësit shqiptarë morën konsulencë të çmuar profesionale në hartimin dhe miratimin e Dispozitave Kryesore Kushtetuese në vitin 1991.

Por administrata amerikane që ndiqte me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, në vitet 1993-1994 konstatuan keqpërdorim të institucioneve në favor të maxhorancës politike dhe “shenja të rrëshqitjes në progresin demokratik”. Veçanërisht Shtetet e Bashkuara i shqetësoi projekt-Kushtetuta e vitit 1994, e cila parashikonte pushtete të mëdha ekzekutive për presidentin shqiptar. Fatmirësisht, kjo projekt-Kushtetutë u rrëzua me votën e shqiptarëve në Referendumin e 6 nëntorit 1994.

Kongresi dhe administrata amerikane i dhanë një mbështetje të gjerë Referendumit për Kushtetutën e vitit 1998 dhe dënuan bojkotin e opozitës së kohës rreth tij. Shtetet e Bashkuara kanë këshilluar se ndërhyrjet e shpeshta e të pamotivuara në Kushtetutë e bëjnë dokumentin themeltar të shtetit shumë vulnerabël dhe cenojnë ekuilibrat e brendshëm të saj.

Ato kanë mbështetur ndryshimet e domosdoshme të kryera në vitin 2016 në funksion të zbatimit të Reformës në Drejtësi, por kanë shprehur rezervat e tyre për nxitimin dhe mënyrën se si u bënë ndërhyrjet në Kushtetutë në korrik 2020. Gjatë 30 vjetëve pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, në Shtetet e Bashkuara janë përgatitur dhe trajnuar me qindra, në mos me mijëra shqiptarë si ekspertë në shtetndërtimin institucional.

Po ashtu, pranë institucioneve kryesore shqiptare ka pasur dhe ka ekspertë e këshilltarë amerikanë që ndihmojnë në zbatimin e reformave dhe në mbarëvajtjen e tyre. Por siç këshillonte në shkurt 1999 në Parlamentin shqiptar Sekretarja e Shtetit, Madlen Ollbrajt, “nuk duhet të prisni gjithçka nga ne, sepse demokracia nuk mund të eksportohet”.

Politika shqiptare gjatë 30 viteve, e të gjitha ngjyrave, jo gjithnjë e me ndërgjegje, është angazhuar të dëgjojë e të vërë në jetë sugjerimet amerikane. Më tepër është dashur dhe është përpjekur që të shfrytëzohet e keqpërdoret miqësia e bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara për synime dhe interesa të brendshme politike.

Kjo ka bërë që me gjithë progresin në ndërtimin e funksionimit të institucioneve është vënë re një vonesë e mungesë efiçence e tyre në raport me demokracinë. Administrata amerikane e ka konstatuar ndër vite këtë paaftësi ose pse jo edhe dashakeqësi të individëve e të segmenteve të caktuara politike dhe në mënyrë të përshkallëzuar ka tërhequr vëmendjen dhe ka sugjeruar, për të mos thënë edhe ka imponuar, që të merren vendime e të bëhen reforma.

Që në krye të herës, në vitin 1991 kërkoi prishjen e Sigurimit të Shtetit si instrument i një regjimi represiv, lirimin e të burgosurve politikë, departizimin dhe depolitizimin e disa ministrive. Mbi këtë bazë u miratuan ligje të posaçme, të cilat vendosën themelet ligjore për ndërtimin e institucioneve shtetërore sipas modeleve demokratike perëndimore.

Administrata shqiptare ka shënuar hapa përpara në depolitizimin e saj, por do të ishte jo e vërtetë të besohej se ky proces është i kryer plotësisht. Në periudhën 30-vjeçare të marrëdhënieve midis dy vendeve tona janë konstatuar deficite demokratike në institucionet kryesore drejtuese të shtetit, në Parlament, presidencë, në sistemin e drejtësisë etj. Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen dhe kanë nxitur masa dhe reforma për përmirësimin e gjendjes. Që në vitet 1993-1994, ato konstatuan defekte shumë serioze në sistemin e drejtësisë shqiptare, nivel të ulët profesional, korrupsion e mbi të gjitha ndërhyrje të politikës në institucionet ligjzbatuese të saj.

Për këto fenomene negative, administrata amerikane dërgoi mesazhe të forta edhe në vitet 1996-1998 kur kërkoi “pavarësinë e pushteteve” mes qeverisë e Parlamentit, mes gjyqësorit dhe ekzekutivit. Shtetet e Bashkuara shumë herë nga viti 1996-1997 kur filloi braktisja e parlamentit nga forca politike të ndryshme e deri tani nuk kanë reshtur së deklaruari se “kemi qenë vazhdimisht kundër bojkotimit të institucioneve të zgjedhura nga çdolloj force politike. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë qëndrim apo përkrahje të veçantë ndaj ndonjë partie apo individi, por me parimet universale që duhet të zbatohen në çdo vend demokratik”.

III. Një nga angazhimet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara në procesin e ndërtimit të demokracisë në Shqipëri ka qenë sundimi i ligjit. Sistemi i vjetër i drejtësisë nuk mund të kryente funksionet e tij normale në një vend që kishte hyrë në rrugën e krijimit të shtetit ligjor demokratik. Ai ishte ndërtuar me koncepte e synime krejtësisht të kundërta nga ato të një shoqërie të re e të lirë demokratike.

U bënë përpjekje për një shartesë mes elementeve të sistemit të kaluar e të elementëve të rinj të përgatitur në kurse gjashtëmujore drejtësie, por ajo nuk funksionoi në përgjithësi.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara u investuan me ekspertë dhe specializime në përgatitjen e trupës së re të drejtësisë, ato në vitin 1994 filluan të konstatojnë shqetësime serioze në sistem për shkak edhe të ndërhyrjeve e presioneve të hapura mbi të nga maxhoranca demokratike në pushtet. Shkarkimi i prokurorit të përgjithshëm dhe i kryetarit të Gjykatës së Kasacionit ishte shembulli më tipik i këtyre ndërhyrjeve.

Sistemi shqiptar i drejtësisë në vitet në vijim bënte një hap para e dy hapa prapa, u sklerotizua dhe u korruptua deri në pore. Shteti ligjor mbeti vetëm një slogan i përdorur për konsum publik nga politika shqiptare sepse në realitet e në thelb ai nuk u krijua. Këshillat dhe sugjerimet amerikane për shërimin dhe shëndoshjen e sistemit shqiptar të drejtësisë kanë qenë të vazhdueshme ndër vite dhe po kështu edhe mbështetja financiare dhe me ekspertizë.

Në shkurt të vitit 2000, Sekretaria e Departamentit të Shtetit Madlen Ollbrajt u tha qeveritarëve e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë se “ju duhet ta hiqni emrin e Shqipërisë nga lista e korrupsionit”, se “është e nevojshme të krijoni një gjyqësor funksional” dhe se “një fokus kryesor i ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë është sundimi i ligjit”.

Autoritete të larta amerikane dhe në vitet e mëvonshme kanë këmbëngulur për një reformë të thellë të sistemit të korruptuar të drejtësisë shqiptare. Ka qenë vullneti i jashtëzakonshëm i Shteteve të Bashkuara në bashkëpunim me Bashkimin Europian që i imponuan klasës politike shqiptare në 2016 miratimin e ligjit për Reformën në Drejtësi dhe spastrimin ende jo të plotë e në proces të sistemit nga njerëzit e super korruptuar. Do të ishte naive të mendohej se me aq sa është bërë, Reforma në Drejtësi po përfundon.

Sigurisht që rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë, krijimi i SPAK-ut apo i institucioneve të reja në funksion të reformës, janë arritje të rëndësishme, por ende të pamjaftueshme. Ka ende llum në sistemin e drejtësisë, që do të duhet kohë të pastrohet. Por për më tepër duhen çrrënjosur korrupsioni ende i pranishëm me metastazat e tij në sistem, lidhjet e hapura, por edhe të fshehta me politikën dhe oligarkinë.

Në Uashington janë plotësisht të informuar se çfarë po ndodh në procesin e Reformës në Drejtësi, për vonesat e pengesat me ose pa qëllim.

Mjaft prej tyre janë të adresuara qartë. Realizimi i Reformës në Drejtësi plotësisht e deri në fund është në radhë të parë sfidë për Shqipërinë e për të ardhmen e saj. Por është sfidë edhe për Shtetet e Bashkuara.

IV. Demokracia është një koncept e praktikë gjithëpërfshirëse, me shumë elementë, njëri më i rëndësishëm se tjetri. Por ajo nuk mund të kuptohet në thelbin e saj pa liritë e të drejtat e njeriut.

Pikërisht se ato janë zemra e një sistemi demokratik, Shtetet e Bashkuara në 30 vite marrëdhëniesh me Shqipërinë i kanë pasur kryefjalën e politikës së tyre. Që ditën kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike, në 15 mars 1991, autoritetet amerikane u dhanë mesazhin e qartë e të prerë përfaqësuesve të qeverisë shqiptare në tranzicion se “mundësitë tona për të ndihmuar Shqipërinë do të lidhen me mënyrën se si ajo do të kryej reformat dhe nga kujdesi që do të tregoj qeveria e saj për të drejtat e njeriut”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan media të lirë, mbështetën krijimin e Forumit për Liritë e të Drejtat e Njeriut, garantimin e ushtrimit të besimeve fetare përmes hapjes së institucioneve fetare, mbrojtjen dhe zgjerimin e të drejtave për minoritetet etnike, qarkullimin e lirë të njerëzve brenda e jashtë vendit, etj.

Në vijimësi gjatë këtyre 30 viteve, Shtetet e Bashkuara dhe përvoja e tyre ka qenë një shkollë e pazëvendësueshme për shqiptarët në fushën e lirive e të të drejtave të njeriut. Ato nuk janë kursyer t’u ndodhen pranë Shqipërisë e shqiptarëve në këtë rrugëtim lirie e drejtësie.

Kanë mbajtur qëndrime kritike në të gjitha rastet kur janë konstatuar shkelje të tyre si nga institucionet e shtetit amerikan, ashtu edhe nga organizatat joqeveritare. Vështrimi kritik i Shteteve të Bashkuara ndaj shkeljeve apo kufizimeve të lirive e të drejtave të njeriut në Shqipëri deri sot nuk ka qenë një qëllim në vetvete e me sens negativ.

Ka qenë e mbetet nxitje për të ruajtur kursin e reformave, të respektimit të normave e të standardeve që e çojnë Shqipërinë përpara dhe që e afrojnë atë përherë e më shumë me botën e qytetëruar moderne e demokratike.

Titulli origjinal i autorit: Demokracia në Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura