Nga vendimmarrja mbi situatën politike, te platforma për demokraci/ Zbardhet rendi i ditës për kuvendin më 18 dhjetor! Kreu i PD paralajmëron ata që do punojnë kundër partisë

Nov 16, 2021 | 9:14
SHPËRNDAJE

MARINGLEN KUME/ Duket se delegatët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike do të mblidhen dy herë. Pas thirrjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së përmes firmosjes së formularëve ku pretendohet se janë 4200 firma, edhe kryesia e PD-së, me propozim të Bashës, do të thërrasë kuvendin më 18 dhjetor, një javë pas Berishës.

kryesiapd

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i propozoi kryesisë që në mbledhjen e 18 dhjetorit të ketë tri pika në rend të ditës. Fillimisht Basha kërkon që Kuvendi të vendosë mbi situatën politike, ku sipas propozimit, të bëhen ndërhyrje në Statut për të mos lejuar që partia të përdoret për interesa personale (duke iu referuar Berishës).

Më pas Kuvendi do të vijojë punën sipas axhendës së propozuar nga Basha me përcaktimin e aksionit politik të PD-së. Në pikën e tretë të rendit të ditës, Basha propozon miratimin e programit organizativ për zgjedhje.

Ndërkohë, grupit të punës që është ngritur në selinë blu për të organizuar zgjedhjet në organizatat partnere si Forumi Rinor dhe Forumi i Gruas, iu la detyrë që të depozitojnë pranë PD-së statutin e organizimit të tyre, që duhet të bazohet mbi Statutin e PDsë.

Ndërkohë, në vijim, kryesia ka paralajmëron se ata të cilët veprojnë kundër axhendës që ka miratuar kryesia do të konsiderohen si dëmtim i interesave elektorale.

Vendimi i kryesisë së PD:

1. Thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ditën e shtunë, më datë 18 dhjetor 2021, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, me rend dite:

“I. Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD-së dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës.

II. Miratimin e aksionit politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar dhe po nxit braktisjen masive të vendit nga qytetarët dhe kryesisht të rinjtë.

III. Miratimin e programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme, sipas objektivit “Partia Demokratike, partia e demokratëve dhe çdo shqiptari të ndershëm – Forca e vetme politike që do të sjellë ndryshimin në Shqipëri”.

2. Organizatat partnere, Forumi Rinor i Partisë Demokratike (FRPD) dhe Lidhja Demokratike e Gruas (LDG), në përfundim të procesit të organizimit të zgjedhjeve për organet e tyre drejtuese në përputhje me udhëzimin nr. 133, datë 05.11.2021 të kryetarit të Partisë (për FRPD) dhe udhëzimin nr. 137, datë 06.11.2021 të kryetarit të Partisë (për LDG), të paraqesin për miratim pranë kryesisë së Partisë, sipas pikës 4 të nenit 58 të Statutit të PDSH, statutin e organizimit të tyre, ku të parashikohet që parimet bazë të strukturës së tyre organizative të jenë të ngjashme me ato të PDSH.

3. Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike.

4. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për marrjen e masave organizative për njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, në përputhje me nenin 47 të Statutit të PDSH. 5. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, degët e Partisë Demokratike, FRPD dhe LDG, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura