Nga varri i vetmuar te statuja e Enver Hoxhës, te gjeneralët “puçistë”, rrëfimi tronditës i Kolonelit të Detit

SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Kur punohej intensivisht me mjeshtrit më të mëdhenj të kohës për të dizenjuar portretin gjigant të Enver Hoxhës në shpatet e një prej maleve më të larta, u shfaq befasisht një lajm që nuk linte në hije vetëm përpjekjet e kësaj sipërmarrjeje: Gjatë vizatimit të simbolit hartografik të statujës së diktatorit ishte skicuar simboli i një varri të vetmuar.

1

Ngatërrimi fatal pastaj pasoi me një dramë të frikshme, që nisi me kryqëzatën e autorit, një hartograf i thjeshtë province dhe vijoi me të tjera bëma tragjike, duke kaluar përpara skuadrës së pushkatimit të gjithë të paramenduarit armiq e tradhtarë imagjinarë. Pak a shumë, kjo është thagma e fabulës së romanit “Statuja” të Myslim Pashës, i njohur ndryshe si Koloneli i Detit, një krijim rrëqethës për kujtesën në diktaturë. Një gjetje e veçantë dhe shumë grishëse.

Erson Pirgu kthehet nga një Konferencë e Njerëzve të Rinj, ku ai kishte propozuar që një mal në Jug të Shqipërisë, me një profil të derdhur gjeologjik që përngjasonte me Enver Hoxhën, të gdhendej nga skulptorët shqiptarë si busti përjetësor natyror i diktatorit. Kjo ishte një risi ideore e jashtëzakonshme në kreun e revolucionarizimit të vitit 1967. Përnjëmend, po asaj dite Erson Pirgu thirret si ekspert për të vlerësuar një ndodhi fatale në hartografi, kur në një hartë shenja e statujës së Enver Hoxhës ishte zëvendësuar me simbolin e një varri të vetmuar. Prej kësaj koordinate përsillet fiksioni letrar i autorit për të derdhur dramën që end fillin real të ndodhisë, duke hedhur themele të një romani me temë kujtesën e shkuar në sistemin që shkoi. Ajo është një ngjarje e jetuar.

Autori, i cili vjen përmes një përvoje vetjake, nuk ndjek vetëm rrjedhën e shkarkimit të rrufesë, por aty ai krijon një shtrat letrar të dukurisë së mjegullt utopike të Njeriut të Ri. Ngatërrimi fatal i shenjës së statujës së diktatorit me një varr ishte mesazh i frikshëm, duke u përfytyruar se dërgohej nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.

Personazhi kryesor i romanit, Erson Pirgu, një kandidat për Njeri të Ri, bën ekspertizën: “Nëse origjinali do të ngelej ashtu sikundër është realiteti i shformuar, figura e shokut Enver Hoxha do të simbolizonte të vetmin njeri që bart të keqen e Shqipërisë dhe fatin historik të saj, prandaj ai e ka vendin te ‘varri i vetmuar’. Statuja kërkon varrin. Ky është mesazh dhe kumt i frikshëm që dërgojnë armiqtë”. Këtu nis rrotullimin e mokrës e të goditjes së kudhrës, në një provë të rëndë të personazheve.

statuja

Përtej këtij sfondi të pazakontë, fabula kryesore e romanit sjell të tjera ngjarje, ndër të cilat dashurinë e Erson Pirgut me mësuesen e re Hera Muzaka, përndjekjen e heshtur të kësaj dashurie, fatin dhe tragjedinë e historianit kosovar të Mesjetës, Gjon, që përcjell imazhe të Komnena Muzakës, e cila kërkon kufijtë e Principatës së Muzakajve. Në mokrën e personazheve të romanit, gropa e varrit në vend të statujës së diktatorit zgjuan makthin psikik të humbjes së eshtrave dhe gurëve të varreve të klasave të përmbysura si dhe të kundërshtarëve iluzivë komunistë. Një zhvillim i pavarur e çon aksionin në një gjetje tjetër kulmore, që lidhet me studimin që i ishte bërë paralelisht Erson Pirgut nga Drejtoria e Zbulimit të Jashtëm. Fill pas dasmës shpërfaqet legjenda, sipas së cilës, për nevoja të atdheut heroi duhet “të binte në krye të detyrës”, pra të “vdiste”, sepse do të çohej me shërbim zbulimi jashtë Shqipërisë. Hera Muzaka, tanimë vullnetare revolucionare në një fshat malor, shndërrohet në një “vejushë misterioze”, duke bartur mbi vete enigmën me sekretin e legjendës, në një heshtje gati mitologjike, duke shpresuar dhe pritur një ditë ardhjen e të shoqit, me të cilin nuk e gëzoi dot dashurinë. Ajo përballon tragjedinë e “varrimit të Ersonit”, “arkëmortin me gurë dhe kërcu në sup”, hapjen e varrit dhe ngritjen e lapidarit të kuq, çka përbën vijimësinë simbolike të atij “varri”, që tanimë nuk është vetëm shndërrimi fundor i diktatorit, por edhe varr për të gjithë shoqërinë.

Në paranojë të diktatorit, gjithë bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë tanimë të pushkatuar në grupet puçiste, iu mohohet shënjimi i gurit të varrit. Një bashkësi e tërë personazhesh vuajnë në shpirt e në trup, absurditetin e shtjellës së jetës, atë të përndjekjes së Sigurimit. Ata vetë detyrohen të bëhen informatorë, pastaj burgosen, vetëvaren brenda kësaj ngrehine që ha gradualisht vetveten. E në atë makth shpërthejnë fjalët: “Partia të do, por të ha”. Fabula fiksion e romanit, në urbanistikën e saj ngërthen dhe ndjell në mënyrë të natyrshme personazhe historikë si Enver Hoxha, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu e të tjerë.

Epilogu e sjell Ersonin në atdheun e tij kur regjimi diktatorial kishte rënë. Ai vjen prej shërbimit të gjatë, nga po e njëjta forcë dashurie, që si një mister i magjishëm e mbante edhe Hera Muzakën, përmes asaj plage të dhimbshme të krijuar në diktaturë. Shumica e persekutorëve dhe e instruktorëve të tij ishin shndërruar në antikomunistë të egër. Njëri prej tyre kishte marrë pjesë vetë në rrëzimin e Statujës së Diktatorit, që ishte vizatuar me simbolin e “varrit”.

Sapo kërkojnë që të vërtetojnë “ngjalljen”, duke bërë çregjistrimin në Regjistrin e të Vdekurve, si dhe rrëzimin e lapidarit-dëshmor, vijnë SHIK-asit (disa prej tyre ish-sigurimsa), duke iu thënë se duhet të largoheshin ose do të përfundonin në burg, pasi regjimi i ri nuk mund t’i pranonte.

Romani përfundon me një dridhmë tragjike, në skenën ku Hera Muzaka dhe Erson Pirgu shkojnë për të parë lulishten e fillesës ku kishte ndodhur kumti i shndërrimit. Aty tronditen kur shohin që në vendin ku ndodhej Statuja e Diktatorit qëndronte Ugo Tomja i çmendur, autori i hartës heretike. Ai vinte rrotull si të ishte një fantazmë në kërkim të asaj statuje, duke e mallkuar veten si fatthënës ogurzinj, me rrënjë në nostalgji të shndërruar në çmenduri.

“Hera Muzaka bëhet pjesë e sakrificës së lartë, ajo shndërrohet në një vejushë misterioze, duke përjetuar hapjen e varrit dhe ngritjen e lapidarit të kuq… Epilogu e sjell Ersonin në atdheun e tij kur regjimi diktatorial kishte rënë. Ata fillojnë procedurën e “ngjalljes” dhe prishjes së varrit të gënjeshtërt, bëjnë shënimet në Regjistrin e të Vdekurve, ndërsa shumica e persekutorëve dhe e instruktorëve ishin shndërruar në antikomunistë të egër.

PJESË NGA LIBRI

Ersoni nxori shkresën e tij të hartuar me bukurshkrim. Dy njerëzit e Komandës hapën sytë, sikur po zbulonin shpëtimin e tyre. Zgjati dorën i pari Antidyringu. Ai u shtrembërua mbi hartimin dhe e përpiu në lexim. Mblodhi supet për të ardhur në vete, se shyqyr që kishte një shenjë se si mund të dilej nga ajo gjëmë. Sikur u qetësuan, por fjalët nuk po u dilnin. Të dy e lanë letrën dhe zgjatën duart te harta origjinale armiqësore, me mendimin se sa më shpejt duhej dalë fshehurazi, në cepin e djegieve të letrave dhe hartave të përdoruara, për të bërë ekzekutimin e arketipit të së keqes dhe atentatit, në mes të së cilës ishte varri i vetmuar . Ishte ndryshe nga porositë e partisë; kjo dukej sheshit, ata po loznin me vdekjen dhe varrin e hapur. Armiqve duhej t’u çirrej maska, të dilnin para popullit, të vareshin në litar, kurse këtu, në detashment, po bënin fshehjen, duke ekzekutuar pa vendim një hartë. Ersoni kishte dhimbje koke nga nata e pagjumë. Makthi kishte qenë nga atentati në hartë dhe kryqëzimi i shenjës së varrit me kubenë e statujës . Ata nuk e kishin hallin se do t’ia hidhnin hekurat Ugo Tomes (që ishte autori i vizatimit hartografik), por për atë se ç’do të vinte pas saj; e kjo do të ishte radha e tyre. Prandaj, në heshtje morën vendimin që t’i humbitnin gjurmët e origjinalit. Ja se çfarë kishte shkruar në ekspertizë Erson Pirgu:

“Harta origjinale si dokument na tregon se topografi ka kryer një punë, e cila duket e vetëdijshme në konceptimin vizatimor. Në paraqitjen e shenjave, të miratuara nga libri përkatës, pa vajtur në vend dhe e pa e krahasuar, nuk mund të vëresh se mund të ketë ndodhur ndonjë hartim i pasaktë, pasi puna vjen shumë e pastër, gjithësore dhe e lexueshme. Unë, Erson Pirgu, e njoh vendin dhe lulishten e parkut të qytetit. Kam bërë një rilevim të ri vetëm të lulishtes, në mes të së cilës qëndron udhëheqësi. Prej këtij krahasimi të shkon mendja se në qendër të parkut është e verifikueshme vendndodhja. Ata që njohin shenjat hartografike mund të shtangen, kur në mes gjejnë ngatërrim shenjor. Shumica e përdoruesve të hartës nuk e njohin shenjën përkatëse dhe nuk u shkon ndër mend, mirëpo specialistët që e hasin si dhe origjinali historik që i ngelet kohës na tregon se këtu është bërë një nga mbjelljet dhe vizatimet hartografike më të mynxyrshme.

Po të botohej harta dhe t’i përcillej kohës, do ngelej në jetë të jetëve, jo shoku Enver, por Varri i Tij (?). Ajo që ka zbuluar korrektori është e rrallë, nuk është thjesht një vigjilencë revolucionare, por një dëshmi historike.

P. S. Nëse harta do të ngelej ashtu sikundër është realiteti i shformuar, figura e shokut Enver Hoxha do të simbolizonte të vetmin njeri që bart të keqen e Shqipërisë dhe fatin historik të saj, prandaj ai e ka vendin te “varri i vetmuar”. Statuja kërkon varrin. Ky është mesazh dhe kumt i frikshëm që dërgojnë armiqtë.

Ata e lexuan dhe patën një qetësim të shkurtër. “M’u morën mendtë, se si më erdhi. Mos e kemi gabim dhe këtë minë këtu e kanë vënë njerëzit tanë dhe ne e kemi armikun midis nesh, në majën e penës së vizatimit?!” Antidyringu u ul dhe lupa i ra pa dashje nga dora. “Po kush duhet ta ketë bërë xhanëm?! Edhe sikur të jetë kështu, ne duhet ta fshijmë e ta gërryejmë, ta mbyllim e ta hedhim në detin e thellë të humbjes. E kuptoni apo jo se ç’është kjo!?”, po thoshte ai. “Ah, le të ndalojmë një moment dhe ta shohim njëri-tjetrin në sy! A gënjehet Partia?! Kujt ia mban by…!”, tha komandanti.

Ai filloi të mendojë. “A i kemi korrigjuar të gjitha hartat ku ka buste dhe shtatore të Enver Hoxhës? Sa shumë që janë! Po shtohen dhe tashmë po skulpturohen e ndërtohen, gati-gati aq sa lapidarë janë të shpërndarë nëpër Shqipëri.”

Ai mori lupën, krahasoi disa shenja lapidarësh dhe monumentesh, të cilat kishin të njëjtën shenjë. Ishte e vetmja mundësi për të gjetur harkimin e majës së penës në modelimin e kupolës së statujës. Befas, Antidyringu zbuloi se ata nuk i kishin dhënë rëndësi Postscriptum-it. E rilexoi dhe ulëriu, duke futur kokën poshtë tavolinës.

thumbnail_enver-hoxha-6-780x439-905x395

“Ç’damlla pate?!”, i tha komandanti. “Na e shpjego se ç’është kjo P. S.”, iu drejtua Ersonit. “Latinisht, Postscriptum, mendim poshtë shkrimit apo letrës që përcillet si një mesazh i rëndësishëm”. “Duke të marrë ty si analist, ne paskemi bërë gropën tonë. Askujt nuk do t’i shkonte mendja kaq thellë sa të shkoi ty. Çka po na bën, që të digjemi në turrën e druve, kur s’kishte nevojë për komente?! Por shpejt e shpejt, fshi e ndreq dhe shkoi përtej. Ç’na bëre!? Ti je edhe kandidat për Njeri të Ri! Ore, mos je ti ai që e ke bërë këtë zhvendosje dhe këtë gërmim të varrit?” Ersoni s’e priste. U drodh dhe nuk ishte në gjendje si të përgjigjej.

SHOQJA XH. – Ishte makth, ç’të ishte tjetër! Shoqja Xh. kishte kaluar situata dëshpërimi dhe pasigurie, por si ky i kësaj radhe jo, kurrë! Gjithçka e kishte sjellë informacioni që kish marrë. Depërtimi i lajmit kishte qenë si një energji e papërmbajtur. Bota e brendshme është e errët, e padukshme, por ajo që dëgjoi, edhe pse ishte fluide, një përfytyrim shenjor e tronditi thellë. Që nga ai çast po shihte se bota po i largohej pak e nga pak dhe sendet e dukjet e jetës po shformoheshin, edhe pse Enveri, më 6 shkurt, pikërisht më 6 shkurt, i kishte dhënë shkreptimë revolucionarizimit. Simbolin e varrit të vetmuar (?) sikur e kishte mbi kokën e saj. Sekomi i Ushtrisë ia kishte transmetuar.

…U trembën zogj që matnin hapësira dhe ajo shtyu dritaren. Po bëheshin afër tri dekada dhe ata ishin në krye të pushtetit, e poshtë këmbëve zgjateshin akoma varret e nëndheshme të panjohura dhe të pagjetshme.

“Ajo që mora vesh është armiqësore në qelizë të Partisë dhe ai idioti ma tha sikur të më kishte dhënë një karafil në dorë”.

Gati të ulërinte. Në zgjatim intervalesh hapësinore të largëta e të humbura ishin hapur kaq gropa, pa asnjë shenjë guri përsipër dhe ata sërish në krye. Ndërkaq, një revolucion i ri, prapë me përmbysje, sapo kishte filluar sipas modelit kinez; dhe ajo e kishte zënë pozicionin e saj “për të krijuar Njerëz të Rinj”.

“A është e drejtë? A është marksiste, në thelb?”, donte të thoshte, por po i ndodhte gjithnjë e më shpesh gati të mbytej nga një angështi e qelqtë.

“Domethënë që armiqtë po hapin varrin tonë!” Biseda me Sekomin kishte mbaruar. Ai ishte larguar i zbardhur në fytyrë, po nuk e kishte dhënë veten. Gjatë gjithë bisedës, ajo sikur nuk ndodhej në zyrë, por atje pranë statujës së tij, duke iu marrë këmbët, gati në të rrëzuar, në varrin që, siç ia shpjegoi Sekomi, ia paskan përgatitur.

ATENTAT MIKROSKOPIK – Shoqja Xh: Ramiz, s’më ka ndodhur kurrë si këto dy vjetët e fundit! Që nga shkurti revolucionar, kur ne e thirrëm vetë sfidën dhe kundërsfidën. Shkurti shkurton urët.

Ramiz Alia: Shoqja Xh., nuk po të ndjek dot!

Shoqja Xh: Ka ndodhur një dukuri, apo iu kanë informuar si Sekretar Ideologjik? Siç duket nga alarmi, hutimi dhe mosnjohja e këtij rasti, nga paniku, janë munduar që ta groposin. Po ja që edhe këtu në qenien time, ai simbol më afron imazhin e vdekjes. Në një hartë të Lumgjallit, Enver Hoxha ka një statujë në mes të gjelbërimit dhe kjo statujë është zëvendësuar me një varr (?).

Ramiz Alia: E pamundur! Dhe ju vetë heshtni!? E kanë bërë njerëzit tanë!?

Shoqja Xh: Po heshtim, për ta mbajtur të groposur. Ta shuajmë! Po a mund ta shuajmë? Shokut Enver nuk mund t’ia them dot! Se mund t’i shkaktoja ndonjë traumë apo problem tjetër kardiak. Më shqetëson ajo që e thashë më parë: groposja. Ky është atentat ideologjik!

Ramiz Alia: A po punohet atje ku ndodhi?

Shoqja Xh: Vdekja në atë shenjë del nga një derë e njohur prej nesh. Një paralajmërim në dimensionin që na duket sikur e kemi mbyllur, por që sytë na janë errur. Klasat e Përmbysura, kush tjetër e prodhon këtë urrejtje dhe kërcënim! Mund të jetë edhe gjëllim imperialisto-revizionist kundër shokut Enver!

Ramiz Alia: Ç’më the?! Ky qenka ekzemplar! Dëshmitë besoj se janë zhdukur?

Shoqja Xh: Vuajtjet tona në luftë i kaluam. Shkelëm mbi klasa se ndoqëm teorinë tonë, po kemi harruar hakmarrjen. Si do ta sfidojë e sotmja të kaluarën? Ajo shenjë që cimbis, zbulon mikrobotën e kujtesës. Dy botë që janë fytafyt!

Ramiz Alia: S’ma merrte mendja që të përftohej kaq filozofi në një skicë, që vjen si ato letrat anonime që janë shpeshtuar kohët e fundit. I ke dhënë shumë rëndësi. Ne themi se nuk ka qeder shqiponja nga mushkonjat. Por, të lutem ma sqaro edhe një herë, që të krijoj një përfytyrim se ç’ka ndodhur!

Shoqja Xh.: (Ajo mori një fletë të bardhë dhe një laps. Atë që ia kishin shpjeguar, e vizatoi shpejt e shpejt) Ja, në hartë është statuja ( ), kjo që kam bërë unë në mes të luleve, kurse në hartën që u përgatit për t’u botuar u bë me shenjën e varrit (?). Kjo është e tëra mikroskopike, por më shumë se fillimi i një reaksioni bërthamor, shoku Ramiz. A nuk është vallë ky varri ynë, varri i të gjithëve!? Duhet mbyllur goja që të mos e marrë vesh Ai. Pra, Statuja ( )!

Ramiz Alia: Nuk të kam parë kaq pesimiste si sot!

BISEDË PËR YJET – Ramiz Alia: Shoku Enver, besoj se e lexuat lajmin për objektin qiellor, UFO, siç i thotë shkenca borgjezo-revizioniste.

Enver Hoxha: E ndoqa me vëmendje, tani dua të shoh se çfarë më ke sjellë ti Ramizi shtriu një hartë të re shkruar me shenja dhe shkronja ruse. Përmidis Dimalit ishte një kryq me ngjyrë të kuqe. Anash dalloheshin koordinatat e shkruara. Enveri u zymtua dhe rrudhi sytë, duke u përkulur për të parë.

Enver Hoxha: Ç’më keni sjellë hartën armike. Po shoh shkronja ruse.

Ramiz Alia: Shoku Enver, ju e dini se ikja e sovjetikëve ishte edhe ikja e hartave, që ishin bërë me specialistët. Tani atje punohet për të bërë hartat tona, prej njerëzve tanë. Ja, këto koordinata qiellore i kanë nxjerrë oficerët tanë. Këto tregojnë vendin ku ra objekti jashtëtokësor, largësitë nga qielli dhe nga vendet armike.

Enver Hoxha: Duhet bërë analizë. Nga faktet, nga vëzhgimi në terren, nga pyetjet e banorëve, analizoni kohën dhe dritën e mugët, matni largësinë nga tuneli dhe inspektoni në thellësi të tij. Pastaj nxirrni konkluzione. A ju ka shkuar në mendje se si e ka komentuar FBI-ja e bashkë me të edhe CIA, të dy armiq të Shqipërisë!? Po KGB-ja?

Ramiz Alia: Dua t’ju them shoku Enver, se kjo gjë u është bërë e ditur dhe kinezëve, të cilët e kanë përcjellë me buzëqeshje, pra, nuk e kanë besuar se kjo është e vërtetë.

Enver Hoxha: Mirë kanë bërë shokët kinezë! Po në analizën tonë na del se janë edhe shfaqje të arritjeve të teknikës amerikane, pjesë e Luftës së Yjeve që vëzhgon vendin tonë, në prag të një loje armate. A ju ka shkuar mendja?

Ramiz Alia: Jo, Shoku Enver!

Enver Hoxha: Kujt i janë dhënë këto koordinata? Dhe para se të largohesh, dua të them se a e shikon vallë se si na janë qepur edhe nga Dheu, edhe nga Qielli, edhe nga Deti. Ajo që më mundon shumë, Ramiz, është mosbesimi te vetja jonë. Këta që kemi rrotull, gjeneralët, ministrat, kryetarët, sekretarët që ishin morracakë, i kemi ngritur ne nga pluhuri dhe baltovina. U është rritur hunda dhe hunda nuk i lë të kullosin bar! Ne i kemi dehur me pushtet, tani janë shndërruar në gjarpërinj të rrezikshëm, duan të na hanë! Po bashkohen me klasat e përmbysura, po ne do t’ua ndreqim samarin. …

Vijon

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.