Nga ultimatumi i BE në prill te prokurori i Antimafias, pse përgjimet janë indicie për hetim! Shqipëria u fut sërish në vendet që monitorohen për pastrim parash

Jan 27, 2021 | 13:58
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë dje mundësinë që përfaqësues të bandës italiane të “Ndrangheta”-s të kenë penetruar në institucionet shqiptare.

pastrim-parash-prokurori-antimafia-pergjim

Reagimi i tij erdhi pas publikimit të përgjimeve të Antimafias ku gjatë bisedave të sipërmarrësve dhe politikanëve italianë përmendeshin edhe zyrtarë shqiptarë. Por përpos deklaratave publike, në kohën që në Itali zhvillohej operacioni për arrestimin e 48 pjesëtarëve të “Ndrangheta”- s, që sipas përgjimeve, flisnin për mundësitë e investimit në Shqipëri, në faqen zyrtare të konsultimit publik u botua projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008

“Për Parandalimin e Pastrimit të parave dhe Financimit të Terrorizmit”, i ndryshuar” i propozuar në Ministrinë e Financave. Ajo që bie në sy në këtë projektligj që është hedhur për diskutim është fakti se rezulton që në prill të vitit 2020 Bashkimi Europian i ka kërkuar me ngulm shtetit shqiptar që të ndërhyjë në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave të pista (nga aktivitetet e jashtëligjshme). Madje BE-ja i ka vendosur edhe afat limit Shqipërisë për të realizuar këtë.

“Përafrimi i plotë i kuadrit ligjor shqiptar është tashmë një kërkesë e theksuar edhe nga Bashkimi Europian, me letrën e datës 07.04.2020 nga zëvendëspresidenti i Komisionit Eeropian, Z. Vladis Dombrovskis, në të cilën është kërkuar që Shqipëria të mundësojë përafrimin e plotë të kuadrit ligjor shqiptar me direktivat e BE-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (direktiva EU 2015/ 849, ndryshuar me direktivën EU 2018/843), duke sjellë edhe njëherë në vëmendje përmbushjen e këtij detyrimi deri në muajin tetor 2021”, thuhet në dokumentin që shoqëron projektligjin.

VIZITAT E PROKURORIT TË ANTIMAFIAS NË SHQIPËRI

Por historia e paralajmërimit të vendeve anëtarë të BE-së se Shqipëria është kthyer në atraksion për bandat kriminale për të pastruar paratë e pista është më e hershme. Në shkurt të vitit 2018, kur drejtësia italiane tashmë kishte informacione të paktën për dosjen e përgjimeve që u botuan para pak ditësh, kryeprokurori i Antimafias zhvillon një vizitë në Shqipëri. Ndërkohë, sipas një “Twitter”-i të ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafës, zbulohet se temë diskutimi ishte goditja e bandave kriminale që pastrojnë paratë në Shqipëri.

“Me prokurorin De Raho diskutuam çështje konkrete me shumë interes lidhur me bashkëpunimin dypalësh në luftë kundër krimit të organizuar transnacional, të sofistikuar e të fortë ekonomikisht, për goditjen e lidhjeve të tij korruptive dhe aseteve kriminale. Shkëmbim informacioni më të shpejtë, analiza dhe hetime të përbashkëta me skuadra mobile, si dhe trajnime me Policinë shqiptare”, shkruante Xhafaj më 26 shkurt 2018.

Një vit më vonë Kryeprokurori i Antimafias, Cafiero de Raho, vjen sërish në vendin tonë dhe tregon qartë se Shqipëria është kthyer në “lavatriçe” parash për bandat kriminale. “Jam dakord me Sorecën kur tha se ‘formula më efikase për goditjen e krimit është ndjekja e parasë, por edhe ndalimi i kontakteve mes të burgosurve dhe atyre që janë jashtë burgjeve. Krimi shqiptar është i specializuar në trafikun e lëndëve narkotike, hetime të shumta janë duke u zhvilluar në Itali dhe vende të tjera. Të gjitha drejtoritë e rretheve në Itali janë duke hetuar për këtë gjë dhe që përfshijnë edhe shqiptarë. Janë krijuar skuadra të shumta të përbashkëta hetimore që bashkëpunojnë në dy brigjet e Adriatikut.

Trafiku i lëndëve narkotike është po aq i njohur, janë fitime të mëdha dhe një pjesë e të cilave riinvestohen për blerjen e sasive të tjera të drogës, apo riciklimin e parave që vijnë nga produktet e veprave kriminale. Vetëm në raste shumë të rralla fitimet janë fshehur apo riinvestuar në Itali, pasi ka një mundësi të lartë që pastrimi i parave të ndodhë përmes organizatave kriminale. Ky fenomen ndodh në Shqipëri. Riinvestimi i paligjshëm dhe korrupsioni është rrezik shumë serioz. Mendojmë sa korrupsion mund të ketë nga subjektet kriminale që kanë pasuri të mëdha”, u shpreh Cafiero de Raho më 29 janar 2019.

RAPORTI “GI” DHE “MONEYVAL” PËR PASTRIM PARASH

Por vizitat e Kryeprokurorit të Antimafias italiane në Shqipëri nuk dhanë rezultatin e pritshëm në parandalimin e pastrimit të parave. Në mes të vitit “Global Iniative” publikoi një raport me gjetje të rënda për Shqipërinë, sidomos kur është fjala për pastrimin e parave dhe korrupsionin.

Në raportin me titull “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, një publikim i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime) dhe i financuar nga projekti gjerman “GIZ” dhe Ministria e Jashtme norvegjeze, thuhet ndër të tjera se rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet nuk i justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3-vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro. “Ne Tirane u leshuan 65 per qind e te gjitha lejeve te ndertimit per ambiente banimi, me nje shume totale prej 400 milione eurosh.

Nga 141 kompani qe fituan leje ndertimi per ndertesa me te larta se gjashte kate, gjate periudhes 2017–2019 59 per qind e tyre nuk i kishte burimet financiare per te perfunduar ndertesat. Sipas bilanceve te ketyre kompanive, te ardhurat e tyre ishin minimale dhe nuk kishin prona apo kredi qe mund t’i lejonte qe te kryenin investime te tilla. Sipas vleresimeve tona, afersisht 60 per qind e kesaj vlere vinte nga para te pista, afro 240 milione euro”, evidentonte raporti i “GI”.

Ndërkohë, pas 5 vitesh, në 2020-ën Shqipëria u rikthye sërish në zonën gri që monitorohet për pastrim parash. Në vitin 2015 Shqipëria do të dilte nga lista gri e vendeve që monitorohen nga Task-Forca për Veprim Financiar. Kjo u trumbetua si arritje e jashtëzakonshme e atyre kohëve, por nuk vonoi shumë dhe në 21 shkurt 2020 vendi ynë u përfshi sërish në këtë listë për shkak të “dobësive strategjike” që janë gjetur në regjimet e parandalimit të pastrimit të parave. Futja në këtë listë ka ndikime direkte te sektori bankar, të cilit i rriten kostot e transfertave, por edhe për tregtinë në marrëdhëniet import-eksport.

Qeveria nga ana tjetër mund të hasë vështirësi në sigurimin e huamarrjes në tregun e jashtëm. Ndonëse përgjimet e Antimafias të publikuara së fundmi për grupin “Ndrangheta” në Itali nuk faktojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të zyrtarëve shqiptarë, pas gjithë këtyre ultimatumeve dhe paralajmërimeve nga partnerët, përgjimet duhet të shërbejnë si indicie për të hetuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura