Nga tuneli i Llogorasë, tek aeroporti i Sarandës, zbardhen projektet për rrugët e portet që nisin në 2021-in (Tabela)

Oct 22, 2020 | 8:09
SHPËRNDAJE

Në konferencën e të mërkurës për mediat, Kryeministri Rama me ministren Belinda Balluku në krah, fokusin kryesor e pati tek investimet në infrastrukturë. Kreu i qeverisë foli për disa projekte të rëndësishme në infrastrukturë, të cilat sipas tij, pritet që t’i japin një tjetër hov zhvillimit të vendit.

Duke filluar me rrugët, portet dhe aeroportet, Kryeministri Rama foli me optimizëm se tashmë nuk do të ketë asnjë pengesë që t’i ndalë, siç deri më tani, sipas tij, kishte bërë tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e COVID-19.

RRUGËT

Janë disa akse rrugore që do të marrin “pjesën e luanit” në planifikimin që ka bërë qeveria në buxhetin e vitit të ardhshëm. Por nga konferenca e djeshme, Kryeministri Rama konfirmoi se ato do të jenë me pagesë.

Për kreun e qeverisë, ata përdorues makinash që do duan të mbërrijnë më shpejt në destinacionet që dëshirojnë, duhet të paguajnë, edhe pse një pagesë jo të vogël çdo përdorues mjetesh e paguan kur mbush makinën me karburant, pasi aty bashkë me çmimin, mbahet edhe taksa e qarkullimit.

“Akset do të jenë me pagesë dhe pa pagesë, që do të thotë se do të zgjedhësh sa shpejt do të shkosh në destinacion. Nëse do të shkosh shpejt, pa ndërprerje, në aksin e shpejtësisë, do të paguash. Nëse do të zgjedhësh të ndjekësh rrugët alternative, do të ikësh falas. Unë personalisht do dëshiroj të bëj rrugën e Llogorasë, për të shijuar pamjen, edhe kur të bëhet tuneli. Mos harroni që investimi Milot-Fier parashikohet të jetë rreth 1.2-1.4 miliardë. Është investimi më i madh i drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare. Nuk është investim me lekët e buxhetit të shtetit, do të investojë privati. Do të bëjë rrugën e shpejtësisë me pagesë, por do të bëjë edhe rrugë alternative. Por ju siguroj se dhe rrugët alternative do të jenë shumë më të mirë se këto që janë sot”, deklaroi Kryeministri.

PORTET DHE AEROPORTET

Përtej rrugëve, një pjesë shumë të rëndësishme në fjalën e Kryeministrit zunë edhe investimet për ndërtimin apo rikonstruksionin e porteve dhe aeroporteve. Në bazë të atyre që deklaroi Kryeministri Rama dje, qyteti i Sarandës pritet të pësojë një transformim total, pasi brenda pak vitesh do të bëhet me port dhe aeroport të ri.

Gjithashtu, Rama ngulmoi edhe në dy zotime që ai i ka dhënë më herët, për aeroportet në Vlorë dhe Kukës, për të cilët, sipas tij, brenda pak muajsh, në vitin e ardhshëm, do të mund të shikohen rezultatet në terren.

“Në Kukës, tanimë gjithë aeroporti i ri ka filluar të marrë një formë, edhe pse faza përmbyllëse e punimeve dhe mundësisht fillimi i operimeve do të kërkojë disa muaj. Për aeroportin e Vlorës besoj se në ditët në vijim do të kemi një qartësi për ecurinë e këtij procesi. Procesi i garës është ndërprerë në momentin e mbylljes së përgjithshme në pranverë. Do të rihapet aty ku është ndërprerë, në një periudhë të shkurtër kohe të mbetur. Me të mbyllur procesin e Vlorës, sapo gara të mbyllet, ne jemi gati të lançojmë procesin për aeroportin e Sarandës, për të cilin është bërë e gjithë përgatitja, por strategjia jonë ka qenë dhe mbetet të bëhen hap pas hapi dhe jo përnjëherë. Besoj që me këto katër aeroporte, Tiranën, Kukësin, Vlorën dhe Sarandën, ne hyjmë në një epokë të re, qoftë në aspektin e infrastrukturës aeroportuale. Sa i takon infrastrukturës portuale, së shpejti do të fillojmë transformimin e madh të Durrësit. Plani ynë është të spostojmë portin ekzistues, i cili e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij si një port komercial mallrash në mes të qytetit, një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh, me standarde mjedisore shumë të ulëta, për të mos thënë zero dhe pengon në mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi në një epokë tjetër për Durrësin turistik.

Për këtë arsye, ne do të fillojmë në javët në vijim procesin për spostimin, duke hedhur në një garë ndërkombëtare Portin e ri të Durrësit, i cili do të zhvillohet në anën tjetër. Po kështu, do të bëjmë dhe me Vlorën. E ndërkohë, edhe për Vlorën jemi gati për një proces ku mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve në anën tjetër. Në pak javë do të fillojmë të japim gjithë autorizimet për fillimin e portit të tretë turistik, që do të jetë i pari që do të fillojë faktikisht, në Sarandë, gjë për të cilën kemi marrë një propozim që është fantastik”, tha Rama.

PLANI I BE

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama foli edhe për impaktin që pritet të krijojë në ekonominë shqiptare plani prej 28 miliardë eurosh i Bashkimit Europian për gjithë rajonin e Ballkanit.

Sipas Kryeministrit, janë një sërë projektesh që do të ndryshojnë në mënyrë radikale fytyrën e gjithë rajonit të Ballkanit si një përgatitje para se të bëhet anëtar i Unionit Europian.

INVESTIMET MË TË RËNDËSISHME INFRASTRUKTURORE

Projektet e reja – Milot-Balldre, vlera totale e kontratës – 31.6 miliardë lekë

– Porti i Jahteve–ByPass Orikum–Dukat, vlera totale e projektit në total 9.9 miliardë lekë, për vitin 2021 nga buxheti nuk do të ketë pagesa.

– Tuneli i Llogorasë, kostoja totale e projektit, mbi 150 milionë euro. Për vitin 2021 është parashikuar një fond prej 4 miliardë lekësh.

Projektet ekzistuese

–Aksi Kardhiq-Delvinë financohet me 1.3 miliardë lekë nga buxheti i shtetit -Fushë Krujë-Milot-Morinë financohet me 160 milionë lekë

-Rehabilitimi i segmentit rrugor te mbikalimi te pallati me shigjeta (550 milionë lekë);

-Unaza e re e Tiranës (150 milionë lekë)

-Unaza Lindore, loti 2 dhe 3 (320 milionë lekë) -Korçë-Ersekë (576 milionë lekë)

-Rruga e Arbrit (3.9 miliardë lekë për 2021).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura