Nga “Toyota Yaris”, te milionat e koncesioneve, debati Rama-Basha në Kuvend/ Kryeministri mbron buxhetin me batuta për deputetët e PD, kryedemokrati e akuzon për milionat e PPP

Nov 16, 2021 | 8:16
SHPËRNDAJE

Debati në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2022 degjeneroi në akuza personale, ngritje tonesh mes Kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha. Ndërkohë që Kryeministri Rama ka detajuar projektbuxhetin dhe rritjen e pagave dhe pensioneve, kreu demokrat akuzoi Ramën se përmes taksave që i ka marrë shqiptarëve ka shërbyer për të ngritur një “ekonomi putiniste”, në dorën e një grushti njerëzish.

Lulzim Basha-Edi-Rama-parlament

Sipas Bashës, qeveria ka akorduar 113 milion euro për 5 njerëz përmes PPP-ve, që sipas Bashës, Kryeministri ia ka akorduar klientelës së tij. Termi “balonë tabake” e përdorur nga Kryeministri Edi Rama me ironi sot në Kuvend, teksa fliste për buxhetin e vitit 2022, ka irrituar opozitën për shkak se u quajt fyerje për deputeten Jorida Tabaku.

Në replikë me Kryeministrin Rama, kreu i opozitës Lulzim Basha iu përgjigj ashpër kreut të qeverisë sa i takon ironisë së tij me nënkryetaren e PD-së, Jorida Tabaku. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka hedhur akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama në foltoren e Kuvendit. Mes të tjerash Basha ka bërë edhe një paralajmërim për Ramën, duke i kujtuar presidentin e vrarë të SHBA-së, John Kennedy. Kreu i PD-së i është drejtuar Ramës duke i thënë se populli do “t’ia këndojë” edhe atij.

DEBATI RAMA-BASHA

Edi Rama: Ky është buxheti i parë i mandatit të tretë, është buxhet i ndërmjetëm mes fazës së dy fatkeqësive natyrore dhe ambicies për dekadën ku kemi hyrë. Mbetemi ambiciozë për të nesërmen gjatë kurimit të dy plagëve të hapura të së djeshmes. Përgjysmojmë taksën për pagat nga 40-50 mijë lekë, pothuajse përgjysmojmë pagën për personat që marrin nga 1.5 deri në 2 milionë lekë të vjetra, rrisim pagat për mësuesit dhe mjekët me 6%, rrisim pagat me 150% për punonjësit që punojnë jashtë vendbanimit, rrisim pagën me 30% për forcat e armatosura, nuk rrisim asnjë taksë, dyfishojmë ndihmën ekonomike për 15 mijë familje që kanë 3 apo më shumë fëmijë nën 18 vjeç. Ligjërojmë pagën me 30 mijë lekë të reja për naftëtarët, për të gjithë vitin 2022. 26 milionë dollarë indeksimi i mëtejshëm i pensioneve, si dhe 36 milionë dollarë bonusi i fundvitit, financojmë lindjet e reja, rimbursimin e barnave, financojmë vijimin e vaksinimit me 27 milionë dollarë. Për herë të parë, fillojmë dhe me programet kombëtare të arteve dhe zejeve, dhe teknologjinë me një financim të posaçëm në buxhetin e shtetit.

Lulzim Basha: Keni rritur taksat në nivelin më të lartë ndonjëherë që nga koha e “Tanzimatit”. Miliardat që keni marrë në emër të shqiptarëve, taksat që keni marrë janë shërbyer për të ngritur një “ekonomi putiniste”, në dorën e një grushti njerëzish. E keni bërë Shqipërinë një vend ku largohen të rinjtë 7 herë më shumë se në Serbi dhe ku forcat e punës largohen 13 herë më shumë se në Serbi.51% e shqiptarëve janë në rrezik varfërie. Më e larta në Ballkan dy herë më e lartë se Europa. Shqipërisë ju shtuan 28 mijë deri në 112 mijë të varfër. Këto janë jetë të shkërmoqur. Këta këmbëngulin në mënyrë tinzare të vendosin buxhetin në funksion të klientëve të qeverisë, nëpërmjet PPP-ve. Gjithçka tjetër është mashtrim. Çmime që parakalojnë këtë indeksim të rrogave dhe pensioneve. Valë e madhe e njerëzve që janë zhytur në varfëri në këto dy vite. Nuk është kërkuar shpëtimi për tu largua, por ky nuk ka asnjë plan për ju. Plani kryesor është hapja e thesit për oborrtarët e qeverisë. 113 milion euro për 5 njerëz, 6 maksimumi. 5 herë më e lartë se fondi i parashikuar për indeksimin e pensioneve. Do i marrin ata 5 oligarkë për PPP, vitin e ardhshëm. Dorëlëshuar nuk janë vetëm me PPP-të, por dhe me luksin qeveritar. Ndërkohë që flasin për krizë energjetike, këta planifikojnë të shpenzojnë 51.2 milionë euro për mobilime, makina, dhe zyra qeveritare. Para që duhet të ishin në duart e familjeve dhe jo në duart e tyre të stërvitura për t’i çuar në luks “nusretësh”.

Edi Rama: Kjo veza e Kolombit që ka zbuluar PD-ja, 113 milionët e PPP-ve, që do t’i heqë PD-ja dhe do të shpëtojë shtresat në nevojë, bujqësinë, blegtorinë. Do hiqni pikat fundore të përpunimit të mbetjeve? E latë Shqipërinë të mbytur në plehra që sot që kemi një problem në vazhdim, duket problem, kurse atëherë ishte status quo-ja kudo. Do të hiqni instrumentet mjekësore? Dializën do hiqni? S’e keni problem. “Check up”-i do të qëndrojë, doni apo nuk doni ju. Do të hiqni laboratorët e analizave? Do hiqni mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit? …Problemi është që ju nuk hiqni dot asgjë. Ju mund të votoni kundër dhe kaq. Nuk na ndalnit dot dje, nuk na ndalni sot, nesër jo e jo. Shkoni e ndalni njëritjetrin…Do ta bëjmë Shqipërinë për fëmijët tanë dhe tuajt. Këto elegjitë me hiperbola hajde Lulëzim tani ora e gramafonit jepi fillo punën…

Lulzim Basha: Për uljen e çmimeve, për taksat 8 vjet mashtrim. Mbeturinë e social-realizimit. Hiq 51 milionë euro për luksin tënd. Jeton si sheik me taksat e popullit. Harroje shtetin shqiptar. Ia ke rritur më shumë se që nga koha e “Tanzimatit”. Tonin e zërit tim nuk e përcakton ti. Ul kokën e kërko falje dhe dil nga kjo sallë. Dita do të vijë. Mos e harro, John Kennedy. Ka një citim që s’të pëlqen. Do vij dita që do ta këndojë populli shqiptar edhe ty. “Check up”-i ka nxjerr gra me sëmundje prostate e burra shtatzënë.

Edi Rama: Sa e ka Lulzim Serbia TVSH-në e imputeve bujqësore? Hajde thuaje këtu, hajde këtu ti që di Serbinë e Kosovën e Maqedoninë, hajde thuaje këtu ose pyet atë që ke në krah se ajo ti jep shifrat ty megjithëse ti jep si “balonë tabakë”. Ca ka?! “Balona tabakë” është balona më e mirë se ka dhe tauke këtu mbushur me tauke. S’kam punë me mbiemrin këtu flas për balonat, skam lidhje me mbiemrat këtë e keni stil ju e mos më ndërprisni asnjë problem etik s’ka këtu. Balonat janë objekte me të cilat kemi luajtur, ka pasur tauke dhe tabakë, kështu që është kompliment në një farë mënyrë nëse e merrni për persona unë s’kam lidhje me personat fare. Se jeni dhe partia që soli kapitalizmin në Shqipëri, jeni bërë fare, jeni bërë si revizorët e komisionit të planit të shtetit të Enver Hoxhës.

Lulzim Basha: Para se t’i përgjigjem me shifra e fakte konkrete të konfirmuara jo nga tigrat e gënjeshtrës që mban afër, dua t’ju them znj. kryetare të mos aplikoni standarde të dyfishta. Ky njeri fyen individualisht e në grup opozitën. Ajo që iu referove është doktoreshë shkencash kur t’i bridhje poshtë urave të Parisit. E specializuar në universitetet më të mira të botës. Kujdes kur matesh me ne, ta ka thënë paraardhësi yt kur të solli këtu. Jemi gjeneratë tjetër ne. Nuk vijmë nga muri i Senës. Ti je prodhimi i gropës së Hajdin Sejdisë së kësaj shoqërie. Mati mirë krahasimet. Je ai që je dhe ke mbetur ai që ke qenë. Fjalorin e shteruar ruaje për shpinë tënde, nëse me këtë edukatë je rritur, dhe mos më bëj mua të jap atë që meriton, ndaj mbaje gojën. Je një hiç, të tillë të ka prodhuar vetvetja dhe kjo është taksa e një shoqërie që nuk diti të ndalë nga e kaluara. Ti je taksa edhe e një pjese të PD-së.

Jorida Tabaku: Unë e kam nder që e kam emrin Tabaku, një nga familjet themeluese të këtij qytetin, por se njohe kurrë historinë e Tiranës pasi e konsiderove vetëm truall ndërtimi. Hyre dhe dole kryetar bashkive dhe nuk e kuptove kush janë familjet më të rëndësishme të Tiranës. Sa i përket diskutimit këtu, faqja 98 e buxhetit të shtetit, vlera e Rrugës së Arbrit 58 miliardë lekë, nisi 33 miliardë lekë. Tabela 9 e koncesioneve nga buxheti i shtetit, 1.5 miliardë lekë inceneratori i Tiranës. E dini kush është historia më kriminale, sa herë ka një gjë, i del për zot këtij zullumi. I del për zot çdo korrupsioni. Historia është pa tavan, koncesione. Nisi 179 milionë euro inceneratori i Tiranës, ka shkuar 300 milionë euro. Diskutimin tjetër me mua do e kesh në komisionin hetimor për inceneratorët.

Edi Rama: Është çështje filozofie kjo, nëse një PPP është një shërbim të cilin shteti do ta bëjë për vete, në rregull ta bëjë po pse ia faturon qytetarit. Ky është ndryshimi si i kuptojmë ne koncesionet dhe si i bëni ju partneritetet. Dializën e paguan, shteti, laboratorët nuk i paguan qytetari po shteti. Nuk shkojnë te oligarkët shkojnë për të shlyer investimin. Po të bësh një shërbim që ti ke nevojë të kontrollosh maune e t’ua vësh në faturim bizneseve, kjo është grabitje.

Lulzim Basha: T’u japim shqiptarëve të vetmen rrugëdalje politik, që është pastrimi i politikës, është vetingu i politikanëve. Atë që doni të zgjasni për gjyqtarët dhe prokurorët sipas mekanizmit ekzistues, ndonëse kushtetuta parashikon atë që keni votuar vet. Atë që keni bërë për policët e thjesht. Atë që keni propozuar për noterët. Atë që mohoni për veten tuaj, ndonëse Venecias që ia kërkuat opinionin, nuk ia përfillni dritën jeshile që ia hapi vetingut të politikanëve. Dhe po ta përsëris dhe një herë, le të fillojë nga unë i pari. Vetingu i politikanëve, pastrimi i politikës, ndërprerja e lidhjeve të politikanëve me krimin, futja në sitë aktive, jo pasive pasurisë së çdo politikani, çdo familjari të politikanëve, çdo ortaku të çdo politikani dhe çdo familjari të politikanëve është rruga e vetme për të kthyer këtë sallë qytetarëve.

Edi Rama: Sa i takon “Toyota Yaris”, Lulzim shko dëshmo atje se të kanë thirrur si person në dijeni aty, e mos hajde ta përmendësh këtu “Toyota Yaris”. Pse nuk shkon në Gjykatë në Belgjikë, sa herë të kanë thirrur në gjykatë?! Pse nuk ke shkuar?! E dija para foltores këtë punë. Pse skanerin duhet ta paguajnë qytetarët? Me ç’dëgjova unë tani gjendja është e rëndë shumë. Ka rënë gardhi i vetëpërmbatjes është shfrenuar goja, si të në kishte ardhur këtu ai tjetri, por ai është origjinali. Sa për besimin.. po kujt i besojnë shqiptarët Lulzim. Sa nga këta që ke rrokur të besojnë ty, sa? Bëj një reflektim shikoi mirë. Ty s’të beson gjysma e këtyre që janë këtu kur flet e pretendon se të beson Shqipëria dhe ca forca të errëta që janë vënë mes teje dhe të ardhmes edhe na kanë vënë ne këtu që të mbajmë errësirën kurse ti komisari i dritës po përpëlitesh këtu që t’i sjellësh dritë Shqipërisë. O Lulzim mbahu mor burrë mbahu. Mbahu se për burrat janë të gjitha. Mbahu mos e lësho veten kështu se u bërë komplet … mbahu tani mbahu.

Lulzim Basha: Më drejtohet mua pse s’shkon ti në Belgjikë?! Po shko në SPAK dhe merr fotokopjen e dëshmisë time në prani të prokurorit, gjykatësit hetuesit belg, hetuesve belgë, oficerëve të Policisë Gjyqësore belge dhe autoriteteve shqiptare për “Toyota Yaris”. Ti e di fare mirë, se ti ke jo vetëm kaq, por shumë më shumë kontroll. Ti i ndal çështjet penale në SPAK. Ti e ke korruptuar një pjesë të SPAK-ut. Fashikullin e dëshmisë time prej më shumë se një viti e ke atje. Merre botoje. Po ta kisha unë do ta botoja. Lëri gënjeshtrat, mos u fshih tek dhoma e miellit por thuaji shqiptarëve dot se çfarë morali njerëzor prindëror, qytetar dhe jo më politik vjen këtu dhe i kërkon deputetëve të tu të ngrenë dorën për të rritur edhe njëherë borxhin të marrësh borxh më shumë se sa qeveritë e marra së bashku, të rrisësh taksat më shumë se ndonjëherë që në kohën e “Tanzimatit” pa iu kthyer asgjë mbrapsht. Ky është thelbi. Kjo është e vërteta e kësaj nuk i ikën dot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura