Nga themelimi i PS tek arrestimi nga Berisha, rrëfimi i Spartak Brahos: Si e njoha Sabit Brokajn. Donin ta eliminonin…

Sep 14, 2020 | 16:50
SHPËRNDAJE

pjimageSpartak Braho, një nga miqtë e vjetër të Sabit Brokajt, miqësia me të cilin nisi në 1991 me themelimin e PS-së, tregon cilësitë e veçanta të profesorit që u nda dje nga jeta nga një atak kardiak.

Sabit Brokaj
Sabit Brokaj

Angazhimi i fundit politik i profesor Brokajt ishte anëtar i grupit të të urtëve pranë kryetarit të PSsë, Edi Rama, gjatë periudhës së opozitës, një organizim këshillues për Kryeministrin e ardhshëm për çështje të rëndësishme të të bërit opozitë. Braho shprehet: “Pa frikë mund të them se nuk ka dhe nuk do ketë në lidershipin e PS-së burra dhe udhëheqës të orientuar me largpamësi si Sabit Brokaj”. Ai tregon dhe për arrestimin që iu bë profesor Brokajt në vitin 1997, kur PS-ja ishte në opozitë, ku sallën e gjyqit sipas Brahos, ai e ktheu në një tribunë demaskuese ndaj pushtetit të atëhershëm të Sali Berishës.spartak braho

SPARTAK BRAHO

Vdekja e papritur e prof Sabitit, jo vetëm për familjen e të afërmit e tij ishte e papritur, por edhe për shokët e tij, kolegët dhe bashkëluftëtarët politikë të tij.

Jam njohur dhe lidhur ngushtë me profesorin që para 30 vjetësh. Na lidhi bashkë fronti dhe llogorja ku u rreshtuam në vitin 1991. Na lidhi Partia Socialiste, ku ai militoi dhe i dha jetë me kurajë, guxim, devocion dhe mençuri për një kohë të gjatë.

Pa dyshim, figura politike si Sabit Brokaj ishin të veçanta në PS, madje ai nuk kishte shok të dytë për nga qartësia, serioziteti parimësia, vendosmëria në qëndrimet, analizat dhe veprimet që merrte dhe orientonte PS-në si udhëheqës i saj. Ishte kalibër i lartë, i qartë, trim e i guximshëm, jo vetëm me kundërshtarët, por edhe brenda partisë.

Pa frikë mund të them se nuk ka dhe nuk do ketë në lidershipin e PS-së burra dhe udhëheqës të orientuar me largpamësi si Sabit Brokaj. Pa dyshim, mungesa e angazhimit institucional të tij dhe prania e tij në shtypin e ditës do të ndihet tek e majta. Sabit Brokaj ishte si rrallëkush një patriot i vërtetë.

E donte Shqipërinë, e donte Kosovën, e donte Çamërinë, e donte Vlorën dhe Bratajn, fshatin e tij të lindjes, veçanërisht. Ishte një lab i vërtetë, fisnik e i ditur, i mençur 24 karat. Mbaj mend që në 24 shkurt 1997, regjimi i Berishës e arrestoi dhe e burgosi se i trembej dhe synonte eliminimin fizik të tij.

E ndoqa direkt procesin gjyqësor ndaj tij si avokat i tij, proces që ai e ktheu në një tribunë demaskuese, jo vetëm për farsën që iu sajua, falsitetin e saj, por dhe vetë regjimin e Sali Berishës. Aty në atë proces mora vesh se profesori erudit i shkencave mjekësore, ishte shpallur dhe ‘Qytetar Nderi’ dhe ‘Anëtar Nderi’ i Akademisë së Shtetit të Oklahomës në SHBA.

Modest deri në fund, i papajtueshëm me pazarxhinjtë, lajkatarët, arrivistët, intrigantët brenda PS-së. Po kaq i ashpër me pseudodemokratët dhe antishqiptarët.

E thashë edhe më sipër, burra si Sabit Brokaj nuk vijnë më. Humbje e madhe për familjen, intelektualët shqiptarë, për mjekësinë, politikën, për ne shokët e tij. I paharruar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura