Nga testi fizik te shkrimi i eseve dhe arsyetimi logjik/ Ja si do të bëhet përzgjedhja e hetuesve të BKH. Kur mbyllen aplikimet dhe formulari që…

Sep 28, 2020 | 13:25
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Dita e martë, 29 shtator, është afati i fundit për të interesuarit që aplikojnë në garën për të qenë hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

BKHMësohet se që nga hapja e procesit e deri tani kanë aplikuar 165 persona, civilë dhe me grada policore, për 60 vende që është limiti i përcaktuar në organikën e “FBIsë shqiptare”. Gara u hap më 8 shtator, ditën kur ambasadorja amerikane, Yuri Kim, zhvilloi një takim me drejtoreshën e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, dhe drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja. Pas këtij takimi, në njoftimin e BKH-së jepeshin të gjitha detajet e kushteve që duhet të plotësojë kandidati për të qenë hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe kontaktet e nevojshme.

Sipas BKH-së, kandidatët duhet të kenë eksperiencë në fushat e përcaktuara në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në fushat që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (ekonomik, teknologji e Informacionit).

APLIKIMI

Sipas njoftimit zyrtar të BKH-së, për të aplikuar për pozicionin e hetuesit të BKHsë kandidatët do të duhet të plotësojnë disa kritere, si dhe të dorëzojnë disa dokumente. Nevojitet vërtetim zyrtar që vërteton vlerësimet për aftësitë e tij/saj profesionale, etike dhe integritetin moral; vërtetim zyrtar që vërteton se ndaj tij/saj nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e aplikimit; një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit, që do të pohojë se kandidati nuk është palë ose përfaqësues ligjor në çështje që janë objekt hetimi nga BKH-ja dhe Prokuroria e Posaçme, si edhe nuk ka asnjë konflikt interesi, i cili do ta bënte të pamundur angazhimin e kandidatit në pozicionin e hetuesit. Pas kësaj, do të kryhen fazat e përzgjedhjes ku aplikantët do t’u nënshtrohen disa testimeve. Vetëm kandidatëve që do të kualifikohen për në fazën e intervistës, do t’u kërkohet të dorëzojnë dokumentet në lidhje me procesin e verifikimit.

TESTET E PERZGJEDHJES

Për përzgjedhjen e 60 hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të kryhen 5 teste përzgjedhjeje sipas kategorive: arsyetimi logjik – test që mat aftësitë e kandidatit në lidhje me të menduarit kritik, ku përfshihet përpunimi i fakteve, nxjerrja e përfundimeve dhe arsyetimi abstrakt; testi i aftësisë fizike – që përfshin testim në palosje, sprint 300 m, pompa dhe vrapim 2.4 km; shkrimin e eseve – test që mat aftësitë e kandidatit për të shprehur ide me shkrim dhe saktësinë ortografike, gramatike, formatin, prezantimin dhe sa i është përmbajtur kandidati pyetjes; intervista e strukturuar – test që mat aftësinë e kandidatit për të shprehur verbalisht ide, për të shprehur vlerat e tij/saj profesionale dhe për të dhënë zgjidhje për probleme që kanë lidhje me punën, si dhe testi i poligrafit; procesi i verifikimit – kandidati për hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet do të kalojë në verifikimin e pasurisë dhe figurës.

TESTET E PERZGJEDHJES

1. Arsyetimi logjik – test që mat aftësitë e kandidatit në lidhje me të menduarit kritik, ku përfshihet përpunimi i fakteve, nxjerrja e përfundimeve dhe arsyetimi abstrakt
2. Testi i aftësisë fizike – që përfshin testim në palosje, sprint 300 m, pompa dhe vrapim 2.4 km
3. Shkrimi i eseve – test që mat aftësitë e kandidatit për të shprehur ide me shkrim dhe saktësinë ortografike, gramatike, formatin, prezantimin dhe sa i është përmbajtur kandidati pyetjes 4. Intervista e strukturuar – test që mat aftësinë e kandidatit për të shprehur verbalisht ide, për të shprehur vlerat e tij/saj profesionale dhe për të dhënë zgjidhje për probleme që kanë lidhje me punën, si dhe testi i poligrafit
5. Procesi i verifikimit – kandidati për hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet do të kalojë në verifikimin e pasurisë dhe figurës.

1

2

3

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do trajnohen në Amerikë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej disa muajsh, nëpërmjet videove të shumta, ka mbështetur ngritjen e BKH-së, ndërsa ka bërë të ditur se qeveria amerikane do të mbështesë financiarisht këtë njësi. Sipas këtyre videove, hetuesit që do të jenë pjesë e Byrosë do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Amerikë.

Byroja dhe FBI-ja janë të ngjashme, shkruante Ambasada disa muaj më parë, ndërsa e shikon këtë organ si një garanci që askush nuk do të jetë mbi ligjin. Trajnimet e hetuesve të Byrosë do të ndiqen edhe nga një komision ndërkombëtar vëzhguesish, për të parë ecurinë e tyre dhe përgatitjet që do t’u bëhen.

Ashtu si prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, edhe hetuesit e BKH-së, do t’u nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme të llogarive bankare dhe telefonit. Këto kontrolle, theksohet në video, do të bëhen me qëllim për të monitoruar dhe parë nëse hetuesit janë duke kryer punën me integritet dhe të pandikuar. Duke vënë në dukje se në të kaluarën ka qenë shumë e lehtë që me para dhe pushtet të mund të ndikoje në sistemin e drejtësisë për të marrë një vendim, me ngritjen e strukturave të reja, sipas SHBA-së, kjo nuk do të jetë më e mundur.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura