“Nga Spaçi më sollën në Tiranë të dëshmoja kundër Kadri Hazbiut dhe Llambi Peçinit, pasi me atë në Paris unë…”, dëshmia e ish-emigranit

Mar 25, 2020 | 7:49
SHPËRNDAJE

pjimage (2)

Dashnor Kaloçi/ Kjo eshte historia e panjohur e Ahmet Beqo Nivicës me origjinë nga fshati i Kurveleshit, i cili pasi u shkollua në Tregtaren e Vlorës, në periudhën e Luftës Antifashiste ishte komandant i çetave të Rinisë së Ballit Kombëtar në Qarkun e Gjirokastrës dhe në fundin e vitit 1944, mundi që të largohej nga Shqipëria me disa prej eksponentët kryesorë të organizatave nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, si Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Kupi etj., duke u vendosur në Itali në kampet e azilantëve politikë që kishin hapur anglo-amerikanët asokohe. 

Largimi i Ahmetit nga Italia për në Francë së bashku me Sadik Premten, pasi ai rrezikohej të arrestohej dhe të dilte para gjyqit, i akuzuar për vrasjen e disa robërve italianë në Selenicë të Vlorës në vitin 1943 dhe stabilizimi i tij në Paris ku dhe ndoqi studimet e larta duke u diplomuar për Kimi-Industriale. Miqësia e Ahmetit me disa nga emigrantët politikë shqiptarë që ishin asokohe në Francë dhe gjithashtu afrimi dhe miqësia shumë e ngushtë e tij me Llambi Peçinin, i cili kryente detyrën e oficerit të Zbulimit Shqiptar, pranw ambasadws shqiptare nw Paris, i kamufluar si diplomat.

Riatdhesimi i Ahmet Nivicës në vitin 1958 në Shqipëri pas një amnistie që dha asokohe regjimi komunist dhe caktimi i tij në punë si përgjegjës i një Ndërrmarje Tregtare në qytetin e Elbasanit, ku më pas ministri i Punëve të Brendëshme Kadri Hazbiu, së bashku me Kryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme, Shim Kolli, e thirën dhe i kërkuan që ai të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit, duke u afruar me disa persona që kishin synime për t’u arratisur jashtë shtetit dhe do kërkonin ndihmën e tij. Refuzimi i Ahmetit për të punuar për Sigurimin dhe arrestimi i tij në vitin 1960, duke u dënuar me shumë vite burg, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit nga ku në vitin 1983 e morrën dhe e sollën në “Repartin 313” të Tiranës, duke i kërkuar që të dëshmonte kundër Kadri Hazbiut dhe Llambi Peçinit

Në ambientet e burgut 313 të Tiranës, në atë kohë ndodheshin edhe qelitë ku mbaheshin të izoluar nën masa të rrepta sigurie, Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Llambi Peçini, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, e disa të tjerë që konsideroheshin si bashkëpunëtorë të tyre. Ndërsa po më çonin në hetuesinë speciale e cila ishte një ferr i vërtetë prej dyerëve të hekurit që hapeshin e mbylleshin me një zhurmë të frikëshme, duke u ngjitur shkallëve, u përballëm me një oficer dhe një civil që po zbrisnin poshtë. Sapo u afruam një metër distancë me ata të dy, oficerët që më shoqëronin mua më ndaluan dhe më kthyen me kurriz, me qëllim që të mos e shikonim njëri tjetrin. Por unë e dallova fare mirë atë njeri, i cili ishte ish-kryehetuesi i Republikës, Nevzat Haznedari”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Ahmet Nivica, ish-komandant i çetave të Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë viteve të Luftës dhe më pas emigrant politik në Itali e Francë deri në vitin 1958, i cili rrëfen të gjithë aventurën e tij me kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit që i kërkonin të dëshmonte kundër ish-Drejtorit të Sigurimit për udhëheqjen e lartë, Llambi Peçinit dhe Ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut.

Kush është Ahmet Nivica dhe çfarë veprimtarie zhvilloi ai gjatë viteve 1949-1958-të që ishte si emigrant politik në Francë? Çfarë i kërkonin atij shërbimet sekrete të disa vendeve perendimore dhe përse i vunë si detyrë parësore që ai duhet të rekrutonte sekretarin e parë të ambasadës shqiptare në Paris, i cili më pas u kthye në Tiranë dhe për shumë vite mbajti funksione të larta në Sigurimin e Shtetit? Çfarë bisedonin në kabaretë e Parisit deri në orët e vona të natës, emigranti politik shqiptar, me bashkëpatriotin e tij, i cili realisht ushtronte detyrën e Shefit të Sigurimit, por të kamufluar nën petkun e diplomatit? Çfarë i kërkonin njëri-tjetrit dhe përse Ahmet Nivica u bind për t’u kthyer në Shqipëri në vitin 1958? Kush e priti në aeroportin e Rinasit, çfarë deklarate i dha ai gazetarit Petrit Mullisi dhe kush ishin njerzit që e vizituan atë fillimisht në hotelet “Vollga” dhe “Dajti”?! Ku u sistemua me punë Ahmet Nivica dhe cilat ishin marrëdhëniet e tij me Llambi Peçinin, ish-diplomatin e ambasadës shqiptare të Parisit, i cili pas kthimit në Tiranë, u bë krahu i djathtë i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut? Çfarë i kërkuan Ahmetit në vitin 1963 Kadri Hazbiu me Shim Kollin dhe përse ai nuk pranoi të vihej në shërbim të tyre?

Zoti Ahmet, ku ndodheshit ju në kohën që ju kërkuan të dëshmonit kundër Kadri Hazbiut dhe Llambi Peçinit?

Në fillimin e vitit 1983 kur më kërkuan që të dëshmoja kundër Kadri Hazbiut dhe Llambi Peçinit, unë ndodhesha në kampin e Spaçit, ku vuaja dënimin prej dhjetë vitesh si i burgosur politik, dënim i cili më ishte dhënë në vitin 1981. Në atë kohë që ndodhesha në atë kamp, unë nuk punoja, pasi më kishte kaluar mosha.

Cilët ishin të dënuarit që shoqëroheshit ju dhe me kë kishit miqësi më të ngushtë?

Në atë kohë unë shoqërohesha me shumë të dënuar, por shokët më të ngushtë që kisha, ishin: Luan Myftiu, Musa Maçi, Lavdosh Beqo, etj. Ndërsa disa vite më parë, në 1977-ën, kur vuaja dënimin e dytë, unë kisha miqësi të ngushtë edhe me Osman Kazazin, Dilaver Radëshin, Qani Çollakun, Vangjel Lezhon, etj.

Kush ju thirri në kampin e Spaçit dhe çfarë ju thanë?

Në fundin e janarit apo fillimin i shkurtit të vitit 1983, më thirrën në komandën e kampit të Spaçit dhe pasi më hipën në makinën autoburg, më nisën për në Tiranë. Asnjeri nuk më tha se përse po më merrnin nga ai kamp dhe për ku po më çonin, pasi ashtu ishte praktika e burgjeve të asaj kohe. Bashkë me mua në atë makinë ishin dhe dy të dënuar të tjerë që unë nuk i njihja fare. Kur erdhëm në Tiranë më çuan në “Repartin 313”, (Burgu i vjetër) dhe aty më lanë në kaush së bashku me shumë të dënuar të tjerë.

Kë kujton nga të dënuarit që ndodheshin në atë kohë në kaushin e “Repartit 313” të Tiranës dhe me cilët të dënuar shoqëroheshit ju?

Në kaushin e 313-ës unë gjeta shumë të dënuar që i njihja, por njeriu që shoqërohesha më shumë, ishte Adem Skëndo nga Salaria, i cili vdiq në burg në vitin 1984. Ademi kishte qenë një ndër krerët e Lëvizjes Antikomuniste të Zhapokikës në rrethin e Tepelenës në vitet ’50-të. Unë kisha miqësi dhe shoqërohesha edhe me Agim Bylykun, vëllain e Dr. Bedri Bylykut. Në atë kohë aty në atë kaush, ndodhej edhe Kristofor Mërtiri, ish-Kryehetuesi i Republikës, të cilën siç e mora vesh më pas, e kishin thirrur për atë qëllim që më kishin thirrur edhe mua.

Kur e mësuat ju arsyen se përse ju kishin sjellë në kaushin e Tiranës?

Arsyen e vërtetë unë e mësova vetëm pas një muaji qëndrimi aty. Gjatë gjithë asaj kohe as që më shkonte ndërmënd se përse më kishin sjellë në kaush. Siç thashë, dikur pas afro një muaji, erdhën dy policë dhe më morën nga kaushi e më çuan në krahun tjetër të godinës së burgut, ku ndodhej Hetuesia Speciale. Aty më mori në dorzim një oficer i ri dhe në kohën që që isha në zyrën e pritjes, ajo u mbush me shumë oficerë e policë të cilët filluan të më pyesnin të gjithë me rradhë.

Për çfarë ju pyesnin?

Ata donin të dinin sa isha dënuar, pse isha dënuar, nga isha me origjinë etj. Të gjitha ato pyetje ata i bënin nga kurizoziteti dhe unë iu përgjigja krejt normalisht.

Po më pas ku ju çuan?

Pasi më mbajtën një farë kohe aty në zyrën e pritjes, më morën dy oficerë policie dhe më ngjitën lart për në Hetuesinë Speciale. Në kohën që ishim duke u ngjitur shkallëve, u përballëm me një oficer dhe një civil që po zbrisnin poshtë. Sapo u afruam një metër distancë me ata të dy, oficerët që më shoqëronin mua, më ndaluan dhe më kthyen me kurriz me qëllim që të mos e shikonim njëri tjetrin. Por unë e dallova fare mirë atë njeri, i cili ishte ish-Kryehetuesi i Republikës, gjeneral, Nevzat Haznedari. Më pas më futën në zyrën e oficerit të rojes ku ndodhej një oficer, i cili më ftoi të afrohesha tek soba dhe më zgjati një cigare. Por unë hezitova ta marr dhe ai qeshi duke më thënë: “E di sepse nguroni të merrni cigaret tona, por merre se nuk e kam me qëllim të keq”. Më pas unë e mora cigaren dhe ai më pyeti nga isha dhe sa isha dënuar. Kur unë i thashë dhjetë vjet, ai tundi kokën në shenjë keqardhje. Por si për të mos u mëshiruar nga ai, unë i thashë: “Nuk ka rëndësi”. Kurse ai mu përgjigj: “Jo nuk është ashtu”. Ndërkohë pa mbaruar mirë fjalën ai, u hap dera dhe një oficer tjetër më rrëmbeu me forcë prej krahu e më nxorri jashtë asaj zyre. Në kohën që ai po më fuste në një qeli, në korridor unë pashë tre gra që vinin në rresht njera pas tjetrës.

Kush ishin ato?

Më duket se njera ishte, Jorgjia Premtja, gruaja e ish-Drejtorit të Sigurimit të udheheqjes, Llambi Peçinit, i cili ndodhej i izoluar në ato qeli të atij burgu ku ndodheshim edhe ne. Ndërsa tjetra, ishte gruja e Nesti Nases. Të paktën kështu m’u dukën mua.

Ç’ndodhi më pas me ju, ku ju çuan?

Oficeri i policisë që më mori prej krahësh nga zyra e oficerit të rojes, më futi me forcë në një qeli dhe më mbylli derën. Unë u ndodha në një gjëndje shumë të vështirë, pasi akoma nuk e dija se përse më kishin marrë nga Spaçi dhe më kishin sjellë në kaushin e Tiranës. Qelia ku më futën ishte një, me një metër e njëzet, dhe e shtruar me dërrasa. Ajo kishte vetëm një dritare me hekura në një distancë shumë të lartë nga dyshemeja, afër tre metra. Megjithse ishte një qeli e shtruar me dërrasa dhe në dukje nuk ishte e keqe, ajo të ndillte vdekjen dhe unë mendova se aty më kishin futur për të më eleminuar fizikisht.

Sa ju lanë në atë qeli?

As në atë qeli nuk më lanë shumë, pasi policët më kapën duke komunikuar me një grua të qelisë fqinjë (me anë të kodit të goditjeve në mur që kanë të dënuarit) të cilës i thosha të mos bërtiste, por të mbahej trimëreshë. Emrin e saj nuk e kam mësuar as sot e kësaj dite. Pasi më hoqën nga ajo qeli, dy oficerët që më shoqëronin më ngjitën lart për në hetuesinë speciale. Në ato qeli mbaheshin të izoluar edhe Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini, Nesti Nase dhe disa të tjerë që konsederoheshin si bashkëpunëtorë të tyre. Dhoma ku më futën mua, ishte në katin e tretë të godinës së burgut dhe ndodhej katër-pesë metra në të majtë të portës kryesore.

Kush ju priti në atë dhomë?

Aty në atë dhomë ishin dy civilë të cilët po ngroheshin në zjarr dhe sapo më panë mua u ngritën në këmbë dhe buzëqeshën të dy në mënyrë të shtirur. Ata më ftuan që të ulesha në karrike dhe pasi më lanë që të ngrohesha edhe unë tek soba, filluan nga pyetjet.

Për çfarë ju pyetën?

Që në fillim ata më thanë:”Ahmet, ti ke bërë shumë vite burg dhe me këto mendime që ke në kokë, do të vdesësh në burg. Partisë i vjen keq për ju dhe ajo e di se janë bërë edhe gabime. Do të na thuash për diçka që do të pyesim. Lirinë e ke tek dera dhe veturën në dispozicion. Ne e kemi: na jep të japim. Ti e ke njohur mirë Llambi Peçinin dhe Kadri Hazbiun. Do të na thuash se çfarë relatash ke pasur me ta”.

Si ju përgjigjët ju?

Unë u thashë: kërkoni që unë të dëshmoj kundër tyre, “po” më thanë ata, “të na thuash ti”. Unë iu përgjigja duke u thënë: Po ju nga unë prisni, kur nuk keni fakte, përse i keni arrestuar. Në rast se keni ardhur për këtë punë, paskeni ardhur kot. Do të ishte mirë që para se të vinit këtu, ta shikonit më parë dosjen time. Unë deri më sot nuk i kam dalë asnjeriu dëshmitar. Unë jam dënuar pasi kam qenë luftëtar me çetat nacionaliste dhe ju nuk mund të merrni dy lëkurë nga një berr. Na muartë rininë dhe tani kërkoni që ta na merrni edhe nderin.

Çfarë ju thanë ata pas përgjigjies që u dhatë ju?

Atyre nuk u bënë fare përshtypje fjalët e mija dhe vazhduan të më pyesnin përsëri në lidhje me Llambi Peçinin dhe Kadri Hazbiun.

Më konkretisht, për çfarë ju pyesnin ata, dhe në realitet, që kur i kishit njohur ju Kadriun me Llambi Peçinin?

Po ju përgjigjem nga pjesa e dytë e pyetjes suaj. Kadri Hazbiun unë e kam njohur që në Shkollën Tregtare të Vlorës, por nuk kam pasur asnjë lloj shoqërie me të, pasi kishim bindje krejtësisht të kundërta. Ndërsa me Llambi Peçinin njihesha që në periudhën kur unë isha emigrant politik në Francë, në vitet 1949-1958. Ata të Hetuesisë Speciale, sigurisht që i dinin këto, prandaj më pyesnin për të tilla gjërë. Pyetjet e tyre pak a shumë ishin të kësaj natyre, si: ku e kisha njohur për herë të parë Llambi Peçinin, në çfarë rrethanash kishte ardhur njohja jonë, kush na kishte prezantuar, çfarë kishim biseduar ne me njëri tjetrin etj. Po kështu më pyesnin dhe për Kadri Hazbiun.

Përveç periudhës që ishit në Shkollën Tregtare të Vlorës, më pas a e kishe takuar ndonjëherë Kadri Hazbiun?

Me Kadri Hazbiun unë isha takuar në Elbasan në vitin 1964. Në parantezë, para se t’ju tregoj për takimin tim me Kadri Hazbiun, desha t’u them se pas ardhjes sime në Shqipëri më 3 prill të vitit 1958, mua më sistemuan me punë si përgjegjës të një Ndërrmarrje Tregtare në qytetin e Elbasanit. Kështu gjatë kohës që punoja dhe jetoja në atë qytet, së bashku me gruan time me të cilën ishim martuar në vitin 1960, aty nga viti 1964, mua erdhi dhe më takoi Kadri Hazbiu, së bashku me Kryetarin e Degës së Brendëshme të Elbasanit, Shim Kollin.

Si e kujton atë takim dhe çfarë ju thanë ata?

Ndërsa unë isha duke ecur i vetëm në një rrugë të atij qyteti, Kadriu me Shim Kollin, ndaluan veturën e tyre fare pranë meje, dhe pa zbritur prej saj, më thanë që të shkoja dhe t’i prisja në një vënd që ma caktuan ata. Unë nuk kisha rrugë tjetër dhe shkova atje ku më thanë. Pasi erdhën aty ku isha unë, i pari e mori fjalën Kadriu i cili më tha: “Ahmet, ti duhet të punosh për ne. Nisur nga fakti se ti ke qenë për shumë kohë jashtë shtetit, shumë persona që duan të arratisen dhe që ne pak a shumë i dimë, do të vinë tek ju për t’u takuar e konsultuar dhe për të marrë rekomandime nga ju në lidhje me kufirin, apo jetën që bëhet jashtë në Perëndim. Për të gjitha këto takime që do të kesh me këta persona, ti do të na informosh ne nëpërmjet njerëzve që do të caktojmë dhe do veprosh sipas udhëzimeve përkatëse që ne do të japim për gjithsecilin prej tyre”. Këto ishin pak a shumë kërkesat që më bëri Kadri Hazbiu në prezencën edhe të Shim Kollit.

Po ju si u përgjigjët kërkesës së tyre?

Unë nuk pranova të bashkëpunoja me ta, duke refuzuar në mënyrë kategorike dhe ata u nxinë në fytyrë, pasi si duket prisnin tjetër përgjigjie nga unë. Para se të ndaheshim, Shim Kolli më tha: “Mirë, po për të gjitha këto që biseduam, ti nuk ke për të biseduar me asnjeri, as me gruan. Dëgjove, këto janë sekrete shtetërore”.

Çfarë ndodhi më pas me ju?

Brenda javës mua më transferuan në qytetin e Fierit dhe për dy vite, deri në dhjetorin e vitit 1966 që më arrestuan, mua më survejonin rregullisht njerzit e Sigurimit.

A mund të na thoni diçka më tepër rreth pyetjeve që u bënin në Hetuesinë Speciale lidhur me këto gjëra dhe çfarë deponuat ju atje?

Ata dy hetuesit e grupit special hetimor që ishte krijuar apostafat për të bërë hetuesinë e atij që në atë kohë quhej “Grupi i Kadri Hazbiut”, vazhduan të më pyesnin për takimet që kisha bërë në Paris me Llambi Peçinin dhe se çfarë kisha folur me të. Unë iu thosha: “Me Llambi Peçinin jam takuar fillimisht në Paris nëpërmjet një shokut tim shqiptar që ishte emigrant ashtu si dhe unë. Llambi mbronte Partinë dhe bindjet e tija, ndërsa unë mbroja pikpamjet e mija. Llambi kërkonte që të më bënte për vete, por unë nuk pranoja”. Pas kësaj përgjigje, ata filluan të më pyesnin nëse gjatë kohës që kisha qenë në Francë, a kisha pasur kontakte me njeri tjetër nga kudrot e Ministrisë së Brendëshme dhe asaj të Ministrisë së Jashtëme të Shqipërisë dhe ku isha takuar me ta.

Çfarë përgjigjie u dhatë ju?

Unë u thashë se përveçse me Llambi Peçinin, nuk kisha pasur asnjë kontakt me njeri tjetër nga kudrot e Ministrisë së Brendëshme dhe asaj të Jashtëme. Për takimin që kisha pasur në Elbasan me Kadri Hazbiun dhe Llambi Peçinin, nuk u tregova fare dhe ata nuk duhet të kishin dijeni rreth atij takimi, pasi nuk ma përmëndën kurrë. Ata insistonin dhe vazhdonin të më pyesnin për takimet që kisha pasur me Llambi Peçinin dhe unë vazhdoja t’u thosha se gjatë takimeve që kisha pasur me Llambin nëpër kabaretë e Parisit, ne të dy vetëm mbronim pikpamjet tona dhe i bënim propagandë njëri-tjetrit. Unë e kisha ndarë mëndjen dhe vetëm këto përgjigjie u jepja sa herë që më pyesnin dhe asnjëherë nuk u tregova të vërtetën se çfarë kisha biseduar me Llambi Peçinin gjatë kohës që kisha qenë në Paris.

Po tani a mund të na e thoni të vërtetën e takimeve tuaja me Llambi Peçinin dhe se çfarë keni biseduar me njëri tjetrin në Paris?

Po patjetër, pas prezantimit që më bëri me të një shok im emigrant, unë me Llambin jam shoqëruar me dhjetra herë duke e gdhirë në kabaretë e Parisit. Në fakt unë me Llambin bashkoheshim në një pikë që do të mundohem t’ua sqaroj. Peçini i përkiste një klani të lartë në udhëheqjen shqiptare, i cili ishte rival i Enver Hoxhës në luftën për pushtet. Kjo me gjalljen apo me vdekjen e tij. Po kështu dhe Llambi e dinte se edhe unë dhe rrethet antikomuniste ku mbështetesha, kishin të njëjtin piksynim: pra rrëzimin e Enver Hoxhës.

Për t’u takuar me Llambi Peçinin, ju kishit marrë më parë miratimin e atyre rretheve antikomuniste që thoni se fshiheshin pas jush?

Patjetër, si mund të takohesha unë vazhdimisht me një diplomat shqiptar, aq më tepër me një njeri të Sigurimit të Shtetit që mbulonte shërbimet e fshehta të qeverisë komuniste të Enver Hoxhës në një prej ambasadave kryesore të Perëndimit, siç ishte ajo e Parisit në Francë.

vijon nesër

 Kush është Ahmet Nivica?

Ahmet Nivica u lind në vitin 1922 në një familje të njohur dhe të pasur të fshatit Nivicë të Kurveleshit. Babai i tij Beqo Nivica, në ato vite emigroi në SHBA ku punoi për shumë vite. Pasi mbaroi shkollën fillore në vëndlindjen e tij, Ahmeti ndoqi Shkollën Tregtare të Vlorës, ku dhe u diplomua në vitin 1939. Gjatë periudhës së Luftës, pasi u arrestua dhe u burgos dy herë nga italianët, ai doli në mal duke u rradhitur me forcat nacionaliste dhe në vitet 1943-‘44, ai u bë komandant i çetave të Rinisë së Ballit Kombëtar. Në nëntorin e vitit 1944, ashtu si shumë eksponentë të tjerë nacionalistë të Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit, edhe Ahmet Nivica u largua nga Shqipëria, duke u vendosur fillimisht në kampet e Rexhio-Emilias. Ndërsa Ahmeti ndodhej në kampet e Italisë të hapura nga aleatët anglo-amerikanë, qeveria komuniste e Enver Hoxhës në Tiranë e kishte shpallur atë si “kriminel lufte” dhe e kishte futur në listën e personave që u ndalohej kthimi në atdhe. Në vitin 1949, pasi rrezikohej të arrestohej e burgosej nga autoritetet italiane i akuzuar se në vitin 1943 kishte pushkatuar 20 robër italianë në Selenicë të Vlorës, Ahmet Nivica së bashku me Sadik Premten dhe një shokun e tyre, u larguan nga Italia dhe në mënyrë klandestine u vendosën në Francë. Pas shumë peripecive, Ahmeti arriti të punësohet në Paris, ku më pas ndoqi edhe studimet e larta duke u diplomuar për Kimi-Industriale. Në vitin 1958, pas një amnistie të dhënë nga qeveria komuniste e Tiranës për disa nga emigrantët politikë shqiptarë që ndodheshin kryesisht në Perëndim, si dhe pas disa peripecive që pati me shërbimet e huaja sekrete, Ahmet Nivica vendosi të kthehej në Shqipëri. Fillimisht ai vendos në Tiranë dhe më pas në qytetin e Elbasanit, ku u caktua si përgjegjës në një ndërrmarje tregtare. Në atë punë ai qëndroi deri në vitin 1966 kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe u dënua me dhjetë vite burg politik, I akuzuar për “agjitacion e propaganda”. Pasi u lirua nga burgu në vitin 1973, Ahmeti qëndroi vetëm një muaj i lirë, sepse ai u arrestua përsëri dhe u ridënua me gjashtë vite burg politik. Nga burgu i dytë ai u lirua në vitin 1977 dhe qëndroi i lirë deri në vitin 1981. Në atë vit ai u arrestua përsëri dhe u dënua edhe me dhjetë vite të tjera, duke u liruar vetëm në fundin e vitit 1990./Memorie.al

2 3 4 5 6 7 8 1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura