Nga sot nis vaksinimi i personave që kryejnë dializë, me kancer dhe këto sëmundje të tjera. Manastirliu: Merrni rekomandim te mjeku i familjes

Apr 13, 2021 | 15:14
SHPËRNDAJE

Ka nisur nga dita e sotme, vaksinimi kundër koronavirusit i personave që kryejnë dializë, që kanë kryer transplantin dhe për të gjithë ata me sëmundje kronike të riakutizuara.

Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila ishte në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Vijojmë pa u ndalur me vaksinimin e gjysheve, gjyshërbeve, nënave dhe baballarëve, dhe çdo ditë e më shumë po i afrohemi dritës në fund të tunelit”, u shpreh ministrja.

Sipas shefes së Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino, do të vaksinohen “personat me patologji si disa lloj kanceresh, skleroza multiple, melanoma, sëmundje kronike të riakutizuara, personat që marrin mjekim të vazhdueshëm që është tepër i rëndësishëm për shëndetin e tyre”.

Manastirliu tha se për personat që do kryejnë vaksinimin duhet rekomandimi i mjekut të familjes sipas grupeve të riskuara që i përkasin.

Manastirliu ju ka bërë apel qytetarëve që i përkasin grupmoshës +60 vjeç ose janë në kategoritë e riskut, të drejtohen tek mjeku i familjes, për të marrë rekomandimet dhe planifikuar vaksinimin antiCOVID.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 267,556 doza të vaksinës ndaj COVID19. prej tyre 192,209 vaksinime për të moshuarit; 36,939 vaksinime për personel shëndetesor; 27,090 për arsimtarët; 10,835 vaksinime për punonjës të policisë, etj.

Duke ecur me këto ritme të shpejta të vaksinimit, Manastirliu nënvizoi se brenda muajit maj do të realizohet plani për 500 mijë vaksinime në rang kombëtar.

“Ritmi i vaksinimit do të vijojë të jetë i shpejtë, sikurse ka qenë deri më sot, pasi vaksina të tjera do të mbërrijnë në kuadër të kalendarit tonë të vaksinimit, me kontratat e lidhura aktualisht. Dhe ne duam që të arrijmë ato objektiva ambiciozë që i kemi vendosur vetes që brenda muajit maj, të kemi arritur një numër prej 500 mijë vaksinimesh dhe për të arritur dhe planin tonë ambicioz të vaksinimit të gjithë popullatës brenda pranverës së vitit të ardhshëm”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Dr Merita1 Merita Rroji manastirliu dializa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura