Nga solidariteti në subsidiaritet

Dec 2, 2019 | 10:15
SHPËRNDAJE

EDUARD HALIMI edi halimi

Kur tronditja e madhe që prodhoi tërmeti i datës 26 nëntor të ketë kaluar përfundimisht, përtej dhimbjes dhe trishtimit që shkakton natyrshëm humbja e pesëdhjetë jetëve dhe qindrave të plagosurve, shteti (qeveria) do të përballet me dy sfida shumë të mëdha: së pari, shpërblimi i viktimave dhe familjareve të tyre, dhe së dyti, strehimi për mijëra qytetarë, banesat e të cilëve janë dëmtuar apo shkatërruar përfundimisht. E thënë shkurt dhe qartë: do të testohet aftësia ripërtëritëse e shtetit, pra, aftësia e sistemit, komunitetit apo shoqërisë së ekspozuar ndaj rreziqeve për të rezistuar, thithur, akomoduar, për t’u përshtatur, transformuar dhe për t’u rimëkëmbur nga efektet e një rreziku në kohën e duhur dhe mënyrën efikase, mes të tjerash, nëpërmjet ruajtjes dhe restaurimit të strukturave e funksioneve të tij thelbësore themelore.

Për sa i përket problematikës së parë, pra, shpërblimit të viktimave dhe familjarëve të tyre, qeveria duhet të marrë në konsideratë gjithë paketën ligjore, duke filluar nga Kushtetuta, ligji nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, vendimi nr. 329, datë 16.05.2012 i Këshillit të Ministrave “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së ndihmës shtetërore financiare për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore”, Vendimi nr. 750, datë 27.11.2019 i Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë”, i ndryshuar, si dhe Vendimi Unifikues nr. 12, datë 14.09.2007 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë etj.

Neni 174 i Kushtetutës, neni 41 i ligjit nr. 45/2019, pika 1 e Vendimit nr. 329/2012 të Këshillit të Ministrave dhe pika 8 dhe 9 e Vendimit Nr. 750/2019 të Këshillit të Ministrave kanë përcaktuar të drejtën e qytetarëve për t’u dëmshpërblyer nga pasojat e një fatkeqësie natyrore. Megjithatë, këto akte më shumë sesa te shpërblimi i dëmeve që vjen nga humbja e jetës, janë përqendruar tek evidentimi, vlerësimi dhe shpërblimi i dëmeve materiale.

Megjithatë, një rregullim të plotë të dëmit pasuror dhe jopasuror kanë bërë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me Vendimin Unifikues nr. 12, datë 14.09.2007. Kështu, dëmi pasuror përbëhet nga dëmi aktual (damnum emergens) dhe fitimi i munguar (lucrum cessans). Në rastin e vdekjes së një familjari, anëtarët e tjerë të familjes kanë të drejtën e dëmshpërblimit në lidhje me dëmin pasuror të pësuar në formën e dëmit aktual (në rastet kur familjari siguronte të ardhura) dhe fitimit të munguar (pavarësisht faktit nëse familjari siguronte ose jo të ardhura). Me fitim të munguar duhet kuptuar përkujdesja dhe mbështetja ekonomike që familjari që ka humbur jetën do të ofronte për anëtarët e tjerë të familjes.

Ndërsa për dëmin jopasuror, jurisprudenca ka përcaktuar se përfshin çdolloj dëmi të pësuar nga cenimi i të drejtave dhe interesave jopasurore që bëjnë pjesë në vlerat e njeriut dhe nuk janë subjekt vlerësimi të drejtpërdrejtë ekonomik në treg. Dëmi jopasuror në vetvete përbëhet nga tri figura të dëmit: biologjik, moral dhe ekzistencial. Me dëm biologjik ose të shëndetit duhet kuptuar cenimi i shëndetit, integritetit fizik dhe/ose psikik të njeriut. Ndërsa, dëmi moral (pretium doloris) është shfaqje e brendshme, e përkohshme, e turbullimit të padrejtë (non iure perturbatio) të gjendjes shpirtërore të njeriut, dhimbje e vuajtje shpirtërore apo gjendje ankthi e mundimi shpirtëror. Dhe së fundmi, dëmi ekzistencial duhet kuptuar si një dëmtim thuajse në mënyrë të përhershme i shprehjes dhe realizimit të dëmtuarit si njeri, shfaqjen e personalitetit të tij në botën e jashtme, duke tronditur objektivisht jetën e përditshme dhe veprimtaritë e zakonshme të tij, duke i shkaktuar përkeqësim të cilësisë së jetës nga ndryshimi dhe prishja e ekuilibrit, sjelljes e zakoneve të jetës, të marrëdhënieve personale e familjare.

Pra, çdo qytetar i dëmtuar nga pasojat e tërmetit apo që ka humbur familjarë ka të drejtën e kërkimit të shpërblimit të të gjitha dëmeve pasurore dhe jopasurore (shëndeti, moral, ekzistencial).

Siç mund të konstatojë lexuesi më sipër, qëllimi im në këtë shkrim është të informoj atë (lexuesin) mbi të drejtat dhe detyrimet thelbësisht ligjore, edhe pse evidentohet qartë se vendimi i fundit i qeverisë për dëmshpërblimin e viktimave të tërmetit dhe konceptet e shprehura në të janë larg kuptimit dhe zbatimit të drejtë të Vendimit Unifikues nr. 12/2007 si për sa i përket dëmit pasuror dhe jopasuror, aq dhe jurisprudencës shqiptare dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, për këtë do të flas në një kohë të dytë, duke shpjeguar më në detaje manualin e veprimeve që viktimat apo të dëmtuarit nga tërmeti duhet të ndjekin.

Për sa i përket problematikës së dytë, e cila përbën ndoshta edhe qëllimin primar pse u ula të shkruaja sot, pra, sigurimit të strehimit të qëndrueshëm për qytetarët apo familjet, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar, prishur apo shkatërruar tërësisht, situata paraqitet më e komplikuar në disa drejtime. Kjo, duke filluar nga fakti që numri i të prekurve në këtë rast është shumë herë më i lartë, evidentimi dhe vlerësimi kërkon një kohë relativisht të gjatë dhe fatura financiare e masës së shpërblimit të dëmeve pritet të jetë tepër e lartë. Megjithatë, shteti është i detyruar të përballet me përgjegjësitë e tij. Shpallja e “Fatkeqësisë natyrore” ka të drejta dhe detyrime sa për shtetin, sa për individët, aq dhe për subjektet private! Dy ditë më parë, unë shkrova diçka në lidhje me këtë kërkesë ndaj qeverisë. Nëpërmjet strukturave të ngarkuara me ligj, në bashkëpunim me subjektet private dhe qytetarët, shteti duhet të kryejë vlerësime të përgjithshme të situatës dhe të hartojë plane dhe strategji afatshkurtra me qëllimin adresimin në mënyrë sa më efikase të problematikave posttërmet. Kështu, një ndër vendimet e para që gjykoj se do të merret në vijim, do të jetë nëse banesat e pabanueshme do të jenë të riparueshme, pra, do të vendosë ripërtëritjen e dëmeve, në apo do shkatërrohen dhe do të zbatojë konceptin “rindërto më mirë”, i cili nënkupton përdorimin e fazave të rimëkëmbjes, rehabilitimit dhe rindërtimit pas një fatkeqësie për të rritur aftësinë ripërtëritëse të kombeve dhe komuniteteve nëpërmjet masave të integruara të zvogëlimit të riskut të fatkeqësive në restaurimin e infrastrukturës fizike dhe të sistemeve shoqërore dhe në rijetësimin e mjeteve të jetesës, ekonomive e mjedisit.

Tërësia e masave të marra nga shteti duhet t’u shërbejë dy objektivave kryesorë: (i) sigurimin e banesave cilësore dhe solide, dhe në rast të një fatkeqësie natyrore të përsëritur (ii) garantimin e sigurisë maksimale për qytetarët.

Shpallja e “Fatkeqësisë Natyrore” për tri qarqe është një vendim i mirë. Vendimet janë ato që karakterizojnë fuqinë dhe forcën e një lideri, thotë dr. Munroe, por ato janë të parëndësishme nëse ti nuk arrin t’i vësh në zbatim nëpërmjet një sërë nënvendimesh.

Durrësi, përveçse një qytet i shkatërruar, është një qytet i braktisur, ku sipas informacioneve që kam, ka rënë preh e vjedhjeve. Unë do mirëprisja që në lagjet e shkretuara të Durrësit, ku njerëzit janë larguar të lemerisur nga paniku, të shihja makina të Policisë apo edhe të Ushtrisë. Unë nuk e di ku është ushtria këto ditë pas rrënojave. I kam ndjekur me mirënjohje përpjekjet e tyre dhe shumë më tepër ato të vendeve fqinje, që me mjetet e duhura, të thjeshta e praktike, arrinin të nxirrnin nga rrënojat të lënduarit dhe viktimat! Por asgjë nuk ka mbaruar. Ajo që qeveria ka përpara, është po aq tragjike.

I gjendur në ketë situatë, shteti mbart detyrimin për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të tij dhe duhet të përcaktojë masat e jashtëzakonshme dhe detyrat konkrete për institucionet publike, strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile, subjektet private dhe shtetasit. Ndoshta nuk jemi mësuar me detyrimet ndaj individëve dhe kompanive, por duhet të krijojmë një standard. Tërësia e këtyre masave duhet të ketë për qëllim përballimin në mënyrë optimale të situatës kritike, deri në momentin kur situata të normalizohet. Pas normalizimit të situatës, të gjitha strukturat shtetërore duhet të marrin masat, e shpjeguara gjerësisht më lart, për shpërblimin e plotë të dëmeve pasurore dhe jopasurore, si dhe ndërtimin apo rindërtimin e banesave të dëmtuara, prishura apo shkatërruara nga tërmeti.

Unë e di se ndërsa lexoni këto rreshta, shumë prej jush mund të ngrenë pyetjen se si mund të realizohen të gjitha këto? Kemi ne kaq mundësi financiare? Ne nuk jemi aq të pasur! Sado të jetë parashikuar fondi i emergjencave, këto që ti thua nuk i përballon një faturë që po shkon drejt 1 mld eur..etj

Plotësisht e vërtetë! Sigurisht, që ky është një shqetësim i drejtë dhe i kuptueshëm. Por, shteti duhet të ngrihet në nivelin e përgjegjësisë së tij dhe të mos mjaftohet vetëm me solidaritetin. Unë i kam vlerësuar të gjitha përpjekjet e organizatave jofitimprurëse për mbledhjen e ndihmave për qytetarët dhe familjet e prekura nga tërmeti, ashtu siç kam parë me admirim mbështetjen inkurajuese të bashkëkombësve tanë nga Kosova. Gjithashtu, i kam përgëzuar publikisht dhe personalisht pronarët e kompanive të mëdha (pjesa më e madhe klientë të firmës ligjore që drejtoj) për kontributin e tyre. Por, solidariteti i tyre dhe shumë të tjerëve në vijim nuk mjafton. Një miku im, ish-koleg, u shpreh se fatura financiare e dëmeve nga tërmeti mund të jetë mbi një miliard dhe se ndihmat e ardhura janë vite larg detyrimit që ka shteti ndaj qytetarëve. Kjo, sigurisht që është pjesë e ekspertëve në fushën e ndërtimeve dhe vlerësuesve, të cilët do doja t’i shihja sa në terren dhe në media, ndaj dua të rezervohem në këtë pjesë, pasi fusha ime e ekspertizës është Kushtetuta dhe ligji.

Në këtë kuptim, çmoj se zgjidhja më e mirë për përballimin e situatës është kalimi nga solidariteti te subsidiariteti. Parimi i subsidiaritetit, i përkufizuar në nenin 5 të Traktatit themelues të Komunitetit Europian, ka për qëllim të sigurojë që vendimet të merren sa më afër të jetë e mundur me qytetarët dhe të kryhen kontrolle të vazhdueshme nëse veprimet në nivel qendror janë të arsyeshme, duke i krahasuar me mundësitë në nivel rajonal apo vendor. Ky parim përmbledhtazi parashikon se në rastet e një fatkeqësie natyrore, siç mund të jetë tërmeti, fillimisht përdoren ato kapacitete që janë më afër qytetarit dhe në rast se ato janë të pamjaftueshme, kërkohen kapacitete shtesë nga struktura të tjera shtetërore.

Në rastin konkret, parimi i subsidiariteti nënkupton që pasi të bëhet evidentimi, vlerësimi dhe përcaktimi i masës së dëmit nëpërmjet ekspertizës ndërkombëtare (të ofruar bujarisht nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara), qeveria duhet të marrë vendime që nuk mund t’i marrin as bashkitë dhe as pjesët e tjera t’ë administratës. Qeveria duhet të ndajë barrën e secilit subjekt në mënyrë përpjesëtimore, duke filluar nga institucionet publike, strukturat e mbrojtjes civile, kompanitë private dhe shtetasit.

Unë do preferoja të shihja vendime të jashtëzakonshme, që do mbronin qytetarët. Nuk e kam fjalën fare për vendimet në lidhje me publikimet në Fb dhe as kërcënimet se kush duhet futur në burg nesër. Kuptoj se qeveria është nën presion dhe tension dhe se lehtësisht këto nuk janë detyrë e qeverisë, as të kërcënojë dhe as të fusë në burg, as të mbyllë media. Kjo është punë e drejtësisë, ndërsa detyra ligjore kushtetuese e qeverisë është të marrë vendime të cilat qetësojnë shpirtrat e qytetarëve në një plan afatshkurtër dhe riaftësojnë vendin dhe shoqërinë në planin afatgjatë.

Disa vendime energjike për të garantuar rendin në Durrës duhen marrë. Unë nuk mendoj se duhet lënë në dorë të qytetarëve nëse do ta kalojnë apo jo shiritin e bashkisë për të hyrë, por shteti duhet të angazhojë sa Policinë, Ushtrinë dhe policitë private (me detyrim pa e paguar si kontribut në një situatë të jashtëzakonshme), që të paktën në çdo godinë të ketë një ushtar/polic/privat, që të mos lejojë qytetarët të rrezikojnë jetën e tyre për të hyrë në banesa, të cilat mendohen si të pabanueshme.

Unë do mirëprisja jo një kërcenim për ndëshkim, por një vendim që i detyron inxhinierët e ndërtimit të jenë pranë këtyre ndërtesave dhe të ndihmojnë qeverinë dhe ekipet në këtë situatë. Kjo është situatë e jashtëzakonshme dhe vendimet duhet të jenë të forta, sui generis, të jashtëzakonshme.

Problemet që do të lindin, veçanërisht në rastin e shembjes së banesave të përbashkëta, do të jenë juridikisht të konsiderueshme. Kjo do të kërkojë ndërhyrjen energjike dhe efikase të shtetit. Mbi truallin e pallateve të shembura janë bashkëpronarë të gjithë pronarët e apartamenteve, të cilët i kanë pasur pasuritë e regjistruara. Akoma më problematike do të shfaqet situata në rastet kur pasuritë e paluajtshme janë të paregjistruara. Për t’i dhënë një zgjidhje të shpejtë dhe efikase këtij problemi, shteti do të duhet të marrë në pronësi truallin e pallatit të shembur dhe t’u kërkojë kompanive private ndërtimin e njësive të reja të banimit. Unë do preferoja të shihja më shumë detyrim të qeverisë për të detyruar kompanitë të subvenciononin ndërtimin e lagjeve apo ndërtesave sesa kontribute, të cilat nuk e di ku do shkojnë e si do përdoren. Kompania ndërtuese, investuese, duhet të jetë e përjashtuar nga çdolloj detyrimi financiar apo tatimor dhe ndërtimi duhet të njihet si një kontribut themelor, i qenësishëm dhe vizibël. Për ilustrim: pallatin në Thumanë, me kaq apartamente, e ka ndërtuar kjo kompani ndërtimi, t’i vendosim edhe përmendore investitorit nëse duhet, por, ama, e di që në x datë, ata banorë që presin në qiell të hapur do hyjnë në një apartament. Dhe kjo merret me vendim, nuk lihet në dëshirën e banoreve nëse duan apo jo të largohen nga Këneta, por nga Thumana. Ne jemi shtet mbi 100-vjeçar dhe duhet të tregohemi shtetarë. Vendimet duhet t’i marrë qeveria, si për sa u përket kontributeve solidare, aq edhe vendimeve subsidare.

Kjo nuk duket të jetë aq e komplikuar në kushtet kur tashmë vetë disa kompani private kanë shprehur dëshirën për ndërtimin e pallateve apo banesave të prekura nga tërmeti. Për këtë mjafton që shteti të hartojë një strategji dhe plan veprimi në një kohë sa më të shkurtër, në mënyrë që të orientohen drejt të gjitha kompanitë e vetofruara apo të tjera.

Shpërblimi i dëmeve pasurore dhe jopasurore, si dhe ndërtimi apo rindërtimi i banesave për qytetarët kërkon angazhimin maksimal dhe me efikasitet të institucioneve publike dhe private, me qëllim ripërtëritjen e shpejtë të qytetarëve dhe familjeve, që për fatin e tyre të keq u gjenden në mes të kësaj fatkeqësie natyrore.

Në konkluzion të kësaj analize ligjore, mesazhi që dua t’i përcjell lexuesit është, se duke qenë se jemi në një situatë “fatkeqësie natyrore”, duhet të marrim parasysh sa të drejtat për të dëmtuarit, sa detyrimet që kemi të gjithë si shtet solidar, por mbi të gjitha detyrimet që ka shteti (qeveria), për të marrë vendime. Se solidariteti nuk mjafton, se është i përkohshëm dhe se duhet kaluar në subsidaritet nga ana e qeverisë. Se shteti (qeveria) duhet të marrë sa më shume vendime. Se këto vendime duhet të jenë të forta, efikase dhe me qëllim riaftësimin e shpejtë dhe kthimin në normalitet, por para së gjithash dhe mbi të gjitha, vendimet e qeverisë duhet të jenë sa kushtetuese, aq e ligjore. Se nuk kanë vlerë të shtuar kërcënimet ndaj mediave apo ndërtuesve sot, sepse këto janë detyra të drejtësisë, por se mirëpriten vendimet që ngjallin siguri, shpresë dhe detyrim për çdo individ, kompani që të mbajë barrën që i takon në shtet në një situatë të jashtëzakonshme si kjo.

* Avokat i korporatave dhe bankave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura