Nga shtëpitë te pronat, ja taksat e reja që do të paguhen në Tiranë

Dec 26, 2015 | 8:20
SHPËRNDAJE

Mbledhja më e afërt e Këshillit Bashkiak të Tiranës, më 30 dhjetor, do të vendosë sa duhet të paguajnë banorët e kryeqytetit.

Veliaj-Keshilli BashkiakJanë 11 taksa e tarifa që nga shtëpitë e banimit e deri te pronat që ata posedojnë, vlera e të cilave pëson ndryshime në varësi të vendndodhjes.

Niveli i taksave e tarifave është i miratuar me ligj, ndërsa bashkia ka të drejtë të miratojë taksa të përkohshme, si ajo për infrastrukturën arsimore që do të jetë vetëm për 7 vjet. Ndërsa, për shumë prej tyre ka lehtësira, nuk përjashtohen rritje deri në masën 10% për disa shërbime.

Një koncept që futet rishtazi, ai i agjentit tatimor, i cili do të sigurojë mbledhjen e të gjithë taksave bashkiake.

TAKSAT E REJA

Janë një sërë ndryshimesh të detyrimeve të banorëve ndaj bashkisë të parashikuara në paketën e re fiskale.

Ajo nis me zerimin e tatimit të fitimit për biznesin e vogël, me xhiro deri në 5 milionë lekë. Ndërsa për ato me xhiro deri në 8 milionë, ndonëse konsiderohen biznese të vogla, ka një ulje të detyrimit tatimor në masën 5 për qind mbi fitimin.

Taksa e truallit si pasuri e paluajtshme qëndron e palëvizur, ndërsa ka pësuar ulje për banorët që me ndarjen e re territoriale i janë bashkuar Tiranës. Kështu, njësitë Tiranë, Dajt, Farkë dhe Kashar duhet të paguajnë 15-30 lekë për metër katrorë në vit, ndërsa njësitë e reja administrative gjysmën e tyre, këste të cilat duhet të paguhen 2 herë në vit. I pandryshueshëm mbetet niveli i taksës për tokat bujqësore, ndërsa aplikohet ulje në masën 30% për ata që i punojnë.

Një tjetër taksë po për pasurinë e paluajtshme është ajo e truallit me një vlerë, që është 0.56 lekë/m2 për individët dhe 20 lekë/m2 për bizneset. Bashkia mbështet bizneset e hoteleri-turizmit, duke ulur taksën e fjetjes, e cila varion nga 140-350 lekë për natë.

Për ndërtimet e reja ka një taksë më vete, e cila duhet të paguhet 5 ditë nga data e miratimit të lejes. Kjo ka pësuar një rritje që kap vlerën e 8% të çmimit të shitjes për metër katror, ndërsa për ndërtesat në proces legalizimi investitori duhet të paguajë 0.5% të parave për ndërtimin e objektit. Rritja e kësaj takse, sipas Bashkisë, argumentohet me dekurajimin e ndërtimit në zona të caktuara të qytetit.

Ata që duan të shesin banesa apo objekte, duhet të paguajnë 700-1 mijë lekë për metër katrorë. Një taksë e re që nga muaji prill 2016-ës do të vijë bashkë me faturën e ujit është ajo për infrastrukturën arsimore, e cila nuk është gjë tjetër veçse ish-taksa e gjelbërimit, vlera e së cilës mbetet e pandryshueshme, 1800 lekë në vit.

Ky detyrim do të aplikohet vetëm për disa vite, ndërsa akumulimi i tyre do të shkojë për ristrukturimin e objekteve arsimore. Këtë taksë nuk do ta paguajnë pensionistët, veteranët, invalidët e luftës, përfituesit e ndihmës ekonomike, të verbrit dhe të sëmurët tetra e paraplegjikë.

BESARTA BASHA

Taksat-reja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura