Nga shqetësimi te akuzat, ç’po ndodh me fushatën e Trump. Çfarë tha para se rivali i tij të pranonte emërimin

Aug 21, 2020 | 7:35
SHPËRNDAJE

Presidenti amerikan Donald Trump vazhdoi të enjten fushatën për rizgjedhjen në qytetin Old Forge, të shtetit Pensilvani, vetëm 9 kilometra larg vendlindjes së Joe Biden-it, orë përpara se Biden të pranonte zyrtarisht emërimin si kandidat i demokratëve për president.trump

Fjalimi i Presidentit Trump nënvizoi atë që ai e quajti “një gjysëm shekulli gjatë të cilit Joe Biden ka zhgënjyer Amerikën”. Fjalimi gjithashtu synoi të rrisë mbështetjen në këtë shtet që mund të rezultojë kyç për rizgjedhjen e tij në nëntor.

“Ai braktisi Pensilvaninë. Ai braktisi Scranton-in”, u tha Presidenti Trump qindra mbështetësve në Old Forge, i cili gjendet në të dalë të Scranton-it, ku zoti Biden ka lindur.

“Por, ai kaloi gjysmën e dytë të shekullit të fundit në Uashington, duke shitur vendin tonë, duke na hequr vendet e punës dhe duke lejuar vende të tjera të na i vjedhin. Meksika, Kina dhe të gjitha”, tha Presidenti Trump.

Në vitin 2016, Presidenti Trump fitoi Pensilvaninë me rreth 45 mijë vota mbi demokraten Hillary Clinton. Që nga ajo kohë, ai u përplas me guvernatorin demokrat rreth përpjekjeve për rihapjen e ekonomisë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Vizita e Presidentit Trump në këtë shtet kyç për betejën elektorale vjen ndërsa anketimet e opinionit publik e radhisin atë pas zotit Biden.

Biden do të mbajë fjalimin e tij të pranimit të emërimit pak orë më vonë nga shtëpia e tij në Wilmington, Delaware, ndërsa Konvendit Kombëtar Demokrat mbyll punimet.

Duke udhëtuar në disa shtete kyçe për betejën elektorale, Presidenti Trump ka zhvilluar aktivitete fushate dhe ka mbajtur konferenca për shtyp gjatë javës që zoti Biden gjendet në epiqendër të vëmendjes politike.

Republikanët po përgatisin zhvillimin e kuvendit rë tyre virtual kombëtarë javën e ardhshme, duke filluar nga e hëna dhe duke kulmuar me pranimin e riemërimit nga Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë, më 27 gusht.

Por, Presidenti Trump, i cili që nga ajo kohë është përplasur me guvernatorin demokrat të Pensilvanisë rreth përpjekjeve për rihapjen e ekonomisë në mes të pandemisë, rezulton pas zotit Biden, fushata e të cilit po punon për të rimarrë këtë shtet ku kishin fituar demokratët gjatë periudhës 1992 – 2016.

Anketimet tregojnë se zoti Biden, ish-nënpresident gjatë administratës Obama, është i mirëpozicionuar për të fituar Pensilvaninë. Ai ka origjinë të hershme në qytetin Scranton të këtij shteti dhe tërheq punëtorët e bardhë dhe votuesit afrikano-amerikanë në Filadelfia dhe Pittsburgh.

Andrew Bates, zëdhënësi i zotit Biden tha se Presidenti Trump “ka vendosur në rrezik shëndetin e familjeve të panumërta në mbarë shtetin dhe fundosi në një vorbull ekonominë e fortë që trashëgoi nga administrata Obama-Biden”.

Fushata e Presidentit Trump është e shqetësuar për humbjen e mbështetjes në radhët e votuesve në zonat përreth Filadelfias, veçanërisht të grave. Fushata shpreson të kompensojë humbjet duke nxitur pjesëmarrjen e votuesve në zonat rurale dhe jourbane. VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura