Nga SHBA: Nji mësim thelbësor i demokracisë liberale

SHPËRNDAJE

SAMI REPISHTI, PHD* Sami Repishti

Sot, zyrtarët publikë mbrojnë Republikën Amerikane! Ky asht nji shembull  i shkëlqyeshëm i patriotizmit të vërtetë! Diplomatët e Departamentit të Shtetit marrin udhëheqjen e kësaj lëvizjeje rezistence. Presidenti Trump ka vendos me quejt “deep state” (nji shtet i padukshëm) si nji “kabala” antidemokratike dhe ndjenjakeqe e andrrave të tija në gjumin e përçartë.

Asgja nuk ashtë ma larg nga e vërteta. Aksioni i të gjithë atyne që flasin hapun mbi të vërtetën, ashtu si e kanë përjetue ata e jo për kënaqësinë “maniakale” të Presidentit, janë nji koleksion zyrtarësh të naltë publikë dhe patriotë- diplomatë të karrierës, shkencëtarë, zyrtarë të shërbimeve informative e të tjerë- që korrupsionit dhe administratës korruptuese i kanë thanë me guxim nji “JO” të vendosun, i janë përgjigj detyrës së tyne qytetare me mbrojtë interesat jo të nji udhëheqësi të veçantë, por interesave të përgjithshme të popullit dhe republikes amerikane.

Ambasadorët Fiona Hill dhe Marie Jovanovich, diplomati Michael McKinley, koloneli Alexander Windman, ambasadori William B. Taylor dhe tani se fundi ambasadori Gordon D.Sondland, si dhe “the whistle-blower”, personi që zbuloi i pari të vërteten dhe justifikoi hetimin dhe akuzën për nji “Impeachment Inquiry” (hetime për akuzën)- që kur këta persona konstatuen se ka diçka të dyshimtë, ata folën haptas për publikun. Amerikanët kanë nji shprehje kardinale: “Talk Truth to the Power, with no Fear or Favor!” (Fol të drejtën para pushtetarëve, pa frikë ose favorizim!).

Pikësynimi i tyne nuk ka qenë me rrëzue Presidentin Trump nga pushteti presidencial, të nxitun nga shpërdorimet e Presidentit. Shembulli i tyne na tregon se ata që refuzojnë me qëndrue në heshtje para impulseve ma të këqija të Presidentit cilësohen si heronj dhe meritojnë mirënjohjen publike. Kongresisti Adam Schiff, që kryeson hetimet, përshëndetet nga masat si “a current american hero” (nji hero amerikan i ditëve tona). Për hir të ruejtjes së kombit amerikan nga rreziqet e jashtme dhe të brendshme, i bahet thirrje publikut amerikan që patriotë të tjerë të dalin publikisht dhe të shkatërrojnë konspiracionin e heshtjes zyrtare, si dhe të nji segmenti të Partisë Republikane të grumbulluem për rreth Presidentit. Opinioni publik amerikan ndjek me vëmendje zhvillimin e procedurave të Dhomës së Përfaqësuesve, që përgatit me kujdes dhe respekt për Kushtetutën, frymën dhe shkrimin e saj, artikujt e akuzës publike për aktet joligjore dhe shkeljen e Kushtetutës amerikane nga Presidenti.

Më 30 tetor 2019, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Zonja Nancy Pelosi, paraqiti solemnisht dhe publikisht akuzën kundër veprimeve të Presidentit Trump- akuzë e njohun si “Impeachment inquiry”. “Akuza” u aprovue me shumicë votash, 234 pro dhe 186 kundër. Hetimet që vijojnë do të drejtohen nga kongresisti Adam Schiff, kryetar i Komisionit për çështje të “intelligences” (zbulimit).

Bota akademike amerikane asht përfshi në diskutimet dhe dialogun e ashpër dhe të hapun me këtë rast të jashtëzakonshëm. Nji nga shkrimet që ka trajtue në nivel të nalt akademik “problemin” e krijuem nga Presidenti, ashte shkrimi editorial në “New York Times” (10 tetor 2019, f.A 27): “Dhe tani jemi në krizë kushtetuese”, i nënshkruem nga profesor Noah Feldman, pedagog i së Drejtës Kushtetuese (Harward Univ.) dhe ekspert i problemeve kushtetuese.

Paraqesim këtu të përkthyem në gjuhën shqipe disertacionin e tij.

Na mendojmë se nji lexim i kujdesshëm i këtij shkrimi asht nji përvojë ndërtuese dhe nji orientim drejtues për të gjithë; sidomos për kuadrot e edukuese, ai ashtë udhërrëfyes. (SR).

DHE TANI JEMI NË KRIZË KUSHTETUESE

Noah Feldman*

“Me dy degët e pushtetit, në nji përplasje kokë më kokë, kryetari i Gjykatës Supreme ka mundësi që të ndërhyjë”. (Noah Feldman).

Për të parën herë, që nga data kur Presidenti Richard Nixon refuzoi me dorëzue kasetat magnetofonike të Shtëpisë së Bardhë, SHBA-të përballohen me nji krizë kushtetuese reale.

Sigurisht, Donald Trump tashma ka krijue nji krizë kushtetuese në Présidencë, me abuzim të pushtetit që gëzon nga zyra e tij, me qenë se ka ushtrue presion mbi nji qeveri të huej, me kërkesën që ajo qeveri të fillojë hetimet rreth veprimtarisë së rivalit tij politik, Joseph (Joe) Biden. Por ky akt i vetëm nuk mund të përcaktohet si nji krizë kushtetuese, sepse Kushtetuta parashikon nji përgjigje kur asht rasti i abuzimit të pushtetit të zyrës: impeachment (akuzë).

Tashti që Presidenti Trump ka lajmërue – me anë të nji letre të firmueme nga avokati i tij, Pat Cipollone- se ai (Presidenti) nuk do të bashkëpunojë në asnji mënyrë me hetimet për “impeachment” që kanë fillue në Dhomën e Përfaqësuesve, na nuk kemi vetëm nji krizë të Presidencës. Këtu kemi të bajmë me nji thyemje të strukturës themelore të qeverisë sipas Kushtetutës. Dhe asht ky fakt, që na sjell në nji krizë kushtetuese.

Nji krizë kushtetuese ekziston kur plotësohen dy kondita:

E para, na përballohemi me nji situatë, për të cilën Kushtetuta nuk parashikon nji përgjigje të qartë dhe definitive për këtë problem të qeverisjes.

E dyta, aktorët politikë, konflikti i të cilëve krijon problemin, duket se po avancojnë kushtet e tyne të veprimit deri në pikën e fundit.

Kambëngulja e Presidentit Trump për mosbashkëpunim me Dhomën e Përfaqësuesve në hetimin e “impeachment” (akuzës) u përshtatet këtyne dy konditave. E para, Kushtetuta nuk na tregon se çfarë do të ngjasë nëse Dhoma përpiqet me ushtrue pushtetin e saj kushtetues për mbikëqyrjen në hetimin e Presidentit dhe vetë Presidenti refuzon plotësisht autoritetin kushtetues të Dhomës. Kongresi ka autoritet me kërkue që Presidenti t’i bindet rregullores, por nuk ka autoritet me dërgue Policinë në Shtëpinë e Bardhë me zbatue urdhnin e saj (subpoena) (nën kërcënimin e dënimit).

Mund të themi se sipas Kushtetutës, Dhoma e Përfaqësuesve mund të justifikojë akuzën kundër Presidentit me faktin se ai refuzon me bashkëpunue në “impeachment inquiry”(hetimet mbi akuzën). Prapëseprapë, si duket z. Trump llogarit se nuk asht aq e thjeshtë apo e kënaqshme për Dhomën me vazhdue rrugën për “akuzën” pa nji hetim të fakteve. “Abuzimi” i nji Presidenti, që refuzon me marrë pjesë në hetimin e akuzës, asht pak a shumë nji “meta-impeachment” (përtej përkufizimit të akuzës). Sepse i jep mundësi z. Trump me argumentue se “akuza” asht jo e ligjshme, me qenë se nuk asht mbështet mbi nji hetim.

Kjo na sjell te pika e dytë, d.m.th se asnjeni nga dy aktorët kryesorë nuk asht i prirun me u tërheq. E vetmja ndërmarrje që mbetet për Dhomën asht me kalue nji rezolutë, që autorizon formalisht “hetimin e akuzës” (impeachment inquiry)- nji qëndrim që nuk asht marrë ma parë dhe që këshilltari legal i Shtëpisë së Bardhë e përshkruente në letrën e tij si nji arsye me konsiderue hetimin e tanishëm “i pashembullt”. (Shënim: Kjo rezolutë u votue më 30 tetor 2019,SR). Kalimi i nji rezolute të këtillë mund të jetë nji ide e mirë për Dhomën e Përfaqësuesve. Por nuk do të cilësohej si nji taktikë tërheqjeje.

Letra e këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, megjithatë jep sinjalet e forta që konfirmojnë se z. Trump nuk mund të fillojë bashkëpunimin, edhe në qoftë se Dhoma kalon nji rezolutë me autorizue hetimin e akuzës. Letra paraqet nji numër argumentesh të pavarura, se akuza e tanishme asht jokushtetuese dhe e paligjshme dhe se ky gjykim vlen, supozohet, dhe aktivizohet edhe nëse Dhoma kalon nji rezolutë, e cila autorizon hetimin e akuzës.

Le të thèmi se z. Trump nuk ndryshon qëndrim; atëherë jemi dëshmitarë të nji ballafaqimi të plotë në mes të Dhomës dhe Presidentit, pa asnji zgjidhje të mundshme të situatës.

Kur dy degët e qeverisjes janë ngurrëzue në pozitat e tyne, ka gjithmonë mundësi që dega e tretë e qeverisjes të ndërhyjë, me qëllim që të ndihmojë zgjidhjen. Në këtë rast kemi të bajmë me gjykatore dhe Gjykata Supreme asht logjikisht kandidati i preferuem për këtë rol. Të gjetun para nji situate ku refuzimi presidencial nuk pranon me zbatue “subpoenas”. Dhoma ka mundësi me kërkue përmbarimin gjyqësor të “subpoenas”. Si nji problem i së drejtës kushtetuese të zakonshme, ka pak dyshim se argumentet e Dhomës para Gjykatës do të ishin shumë ma të forta se cilido argument i paraqitun nga këshilltari legal i Presidentit, z. Cipollone, në letrën e tij. Nga pikëpamja e doktrinës kushtetuese, asht në pozita të stabilizueme dhe Kongresi mund të dërgojë “subpoena” për çdo vendim legjislativ të vlefshëm. Kushtetuta i jep Dhomës të drejtën me akuzue. Nji “hetim i akuzës” asht, për këtë arsye, nji iniciativë e vlefshme për qëllimin që synon sipas Kushtetutës- dhe “subpoena”-t që rrjedhin nga procesi i “akuzës” duhet të zbatohen nga gjykatat.

Presidenti ka mundësi të ushtrojë “executive privilege” (privilegj ekzekutiv që gëzon si shef i shtetit SR.) në rastet e dokumenteve të veçanta dhe konfidenciale. Reklamime të tilla për privilègje mund të analizohen nga gjykatat në bazë të precedentëve kushtetues që ekzistojnë. Nuk ka precedentë në doktrinën kushtetuese, megjithatë, që përkrah refuzimin e plotë të Presidentit me u bindë “subpoena”-ve, pavarësisht privilegjeve ekzekutive.

Akoma ma me randësi, letra e z. Cipollone paraqet Presidentin si gjykatës me përcaktue nëse hetimi konstitucional në rastin e nji “impeachment” (akuzë) asht kushtetues apo jo. Qartazi, nji qëndrim i këtillë nuk mund të jete i drejtë. Jo vetëm që ky qëndrim shkel parimin e ndamjes së pushtetit, por edhe nuk mund të vërë Presidentin si kontrollues përfundimtar të procesit të “impeachment”.

Tue pase parasysh dobësinë ekstreme të argumenteve të z. Trump, ka mundësi që gjykatat e ulëta e federale të marrin kahun e Dhomës. Me shkue në Gjykatën Supreme, megjithatë, asht gjithmonë si nji “lojë e fatit”. Katër anëtarët me prirje ma shumë liberale, pa dyshim që do të merrshin krahun e Dhomës. Nga katër anëtarët e tjerë, me prirje ma shumë konservatore, dy të tjerë që janë emnue nga z. Trump, do të viheshin në nji situatë të vështirë.

Po të marrim parasysh dobësinë e argumenteve të z. Trump, ka mundësi me parapa se ata do të merrshin nji qëndrim, se pushteti i degës gjyqësore duhet të abstenojë në rastin e nji konflikti në mes dy degëve të tjera të pushtetit – nji mënyrë me evitue marrjen e nji qëndrimi, që do të mundësonte efektivisht marrjen e nji qëndrimi, që do të ishte nji fitore për z. Trump.

Në nji situatë të tillë, balanca e forcave mbetet në duert e kryetarit të Gjykatës Supreme, z. John Roberts, i cili asht nji konservator judiciar, por mbi të gjitha kërkon mbrojtjen e Gjykatës nga paraqitja si organ partizan. Këtu problemi asht se nuk shihet asnji rrugëdalje tjetër për Gjykatën Supreme me zgjidhë krizën, pa lanë përshtypjen se po merret nji anim në këtë ballafaqim politik.

Çfarë mund të ndodhë? Nji vlerësim/ hamendje asht se kryetari i Gjykatës Supreme, z, John Roberts, i mbështetun me shpatulla për muri, do të ngrihet me mbrojt nji precedent judicial të qartë, i cili thotë se Gjykata do të zbatojë “subpoena”- t e vlefshme kongresiste.

Por nji vlerësim/hamendje e këtillë nuk asht nji siguri kushtetuese. Dhe, në nji krizë kushtetuese, nji siguri e këtillë asht ajo që ka nevoje sot Republika (amerikane).

*Autori asht qytetar amerikan, me kombësi shqiptare. Voton demokrat.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.