Nga sëmundjet kronike tek mbipesha, efektet e karantinës dhe zgjidhja përmes ushqimeve

May 24, 2020 | 19:16
SHPËRNDAJE

Qëndrimi në shtëpi gjatë karantinës diktoi zakone të reja ushqyerje jo vetëm në cilësi, siç vë në dukje nutricionistja Albana Daka por edhe në sasi.

Por ky model i ri, me një regjim të shkujdesur dhe pa kontroll si edhe mungesa e aktivitetit fizik për më shumë se një muaj ka sjellë shtim në peshë dhe më keq akoma mund të bëhet shkak për sëmundje kronike.

albana

“Tanimë vaktet janë shtuar dhe nuk konsumohen të gjitha në tavolinën e ngrënies. Ushqimi në divan, në dhomën e gjumit ose para kompjuterit është bërë pjesë e rutinës ditore dhe në këtë mënyrë konsumohet më shumë nga sa është nevoja pa e kuptuar se sa ushqeheni.

Ky model sjelljeje mund të çojë në shtim në peshë, madje edhe sëmundje kronike. Ndryshime të tilla në sjelljen e ngrënies po ashtu mund të kenë një efekt negativ në sistemin imunitar, shëndetin e përgjithshëm fizik dhe mendor dhe mirëqenien e individëve globalisht”, pohon Albana Daka, mjeke laboratori dhe nutricioniste.

Me rritjen e temperaturave dhe në kushtet kur koronavirusi ende nuk mund të quhet një betejë e fituar, doktoresha këshillon që të shmanget konsumimi i ushqimeve pikante, diuretike dhe ato me proteina të larta.

Dr. Albana Daka/ Pasojat e karantinës

Jeta e karantinës ka qenë sfiduese dhe të gjithë ne po luftojmë mendërisht, emocionalisht dhe fizikisht. Askush nuk do t’ju fajësojë nëse jeni tunduar të braktisni dietën tuaj dhe planin e aktivitetit fizik dhe po konsumoni ushqime jo të shëndetshme ndërsa shikoni çdo film të mundshëm gjatë karantinimit. Por ekspertët e shëndetit rekomandojnë fuqimisht që të bëni çmos për të parandaluar shtimin e peshës së tepërt gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme.

Por cilat janë ushqimet që janë konsumuar më shumë gjatë kësaj periudhe? Qëndrimi në shtëpi ka bërë që të konsumohen më shumë ushqime të procesuara se sa ato bio. Blerjet e nisura nga paniku mund të kenë pasoja negative, të tilla si superfurnizime të panevojshme dhe shpërndarje e pabarabartë e produkteve. Është joshëse të konsumojmë “ushqim komfort” kur jemi të stresuar, dhe kjo është OK herë pas here.

Por mos e bëni zakon sepse shumë nga këto ushqime, të tilla si pica, burger dhe patate të skuqura, janë të pasura me yndyrë, sheqer dhe kripë. Lexoni etiketat e ushqimit në mënyrë që të informoheni për vlerën ushqyese të ushqimeve që blini, duke i shërbyer familjes dhe shëndetit.

Cipsat, çokollatat, ëmbëlsirat e ndryshme, pijet e gazuara ose pijet me sheqer të shtuar, janë disa ushqime që nuk janë të mira të konsumohen sidomos gjatë kohës sa jemi në karantinë. Të ëmblat ishin shumë tërheqëse për të përballuar stresin. Sipas studimeve në periudha stresuese njerëzit janë shumë të prirur të konsumojnë ushqime të ëmbla, sidomos çokollata. Qëndrimi në shtëpi gjatë karantinës bëri që edhe një pjesë e madhe e popullsisë të mos e kufizonin veten në këtë pjesë. Mbi të gjitha, të konsumonin në sasi më të mëdha se zakonisht.

U rrit numri i vakteve gjatë karantinës

Të qëndruarit mbyllur në shtëpi ndikoi negativisht në zakonet e ushqyerjes jo vetëm në cilësi por edhe në sasi. Tanimë vaktet janë shtuar dhe nuk konsumohen të gjitha në tavolinën e ngrënies. Ushqimi në divan, në dhomën e gjumit ose para kompjuterit është bërë pjesë e rutinës ditore dhe në këtë mënyrë konsumohet më shumë nga sa është nevoja pa e kuptuar se sa ushqeheni. Ky model sjelljeje mund të çojë në shtim në peshë, madje edhe sëmundje kronike.

Oraret e gjumit dhe obeziteti

Duke e ditur që në këtë periudhe karantine përveç çrregullimeve në ushqyerje është çrregulluar edhe orari i të fjeturit. Por kjo mund të ketë pasoja negative të tilla si obeziteti. Dieta dhe aktiviteti fizik luajnë një rol të rëndësishëm në këtë, por një faktor shtesë jo më pak rëndësi, mund të jetë gjumi jo adekuat.

Ushqimet që duhet të kenë përparësi

OBSH këshillon që të hiqni dorë nga kripa dhe sheqeri i tepruar. Në vend të tyre konsumoni fruta, perime dhe ushqime të tjera të freskëta që mund të keni në shtëpi. Sipas ekspertëve është më e shëndetshme të përgatisni fruta dhe perime të ngrira, se sa të konsumoni ushqime të konservuara për një kohë të gjatë.

Ndërkohë COVID-19 është ende aty dhe sipas rekomandimeve duhet të kemi një regjim shumë të mirë ushqimor. Qasja e kufizuar në ushqime të freskëta mund të çojë në një konsum të rritur të ushqimeve shumë të përpunuara, të cilat priren të jenë të larta në yndyra, sheqerna dhe kripë. Ndryshime të tilla në sjelljen e ngrënies mund të kenë një efekt negativ në sistemin imunitar, shëndetin e përgjithshëm fizik dhe mendor dhe mirëqenien e individëve globalisht.

Rritja e temperaturave

Me rritjen e temperaturave duhet të shmangim konsumimin e ushqimeve pikante, diuretike dhe ato me proteina të larta. Kapsaicina (që gjendet në ushqime pikante) është e lidhur me një rritje të shkurtër të temperaturës së trupit, kështu që kur është vërtet e nxehtë, duhet të bëni çdo përpjekje për ta mbajtur atë temperaturë të ulët dhe të qëndroni të hidratuar.

Rekomandohet të shmangni ushqimet që shpërndajnë ujin jashtë trupit. Kjo përfshin kafe, çaj, ushqime si:  mango, kopër, articoke dhe asparagus, të cilat kanë një efekt të ngjashëm në trup. Për tretjen e proteinave nevojitet shumë energji dhe sugjerohet që të konsumohen ushqime me karbohidrate të lehta, si frutat, të cilat kërkojnë më pak energji. Sipas studimeve mund të duhet diku nga 50 deri në 100% më shumë energji për të zbërthyer proteina në krahasim me karbohidratet.

Heqja e kileve të tepërta

Gjatë kësaj kohe pandemie që është e mbushur me një pasiguri të madhe duhet t’i qëndroni besnike qëllimeve tuaja për humbje peshe, edhe pse mund të mos jenë në qendër të vëmendjes tuaj për momentin. Një gjë është thelbësore: të vazhdoni me zakonet tuaja të shëndetshme.

Disa nga këshillat që duhet të ndiqni janë: të bëni një dietë ushqimore dhe t’i qëndroni strikt asaj, të hani me orar dhe ushqime të shëndetshme që ju ngopin, mesvaktet të përbëhen kryesisht nga snaks të shëndetshme si arrat apo frutat e tjera të thata. Gjithashtu, aktiviteti fizik luan një rol mjaft të rëndësishëm në humbjen e peshës. Përpiquni të ushtroheni çdo ditë dhe të menaxhoni stresin. Ky i fundit ndikon shumë negativisht në ngrënien emocionale dhe të pakontrolluar të cilën duhet ta shmangni plotësisht mbase duke u marrë me ndonjë hobi. Gjithashtu sigurohuni të flini mjaftueshëm gjumë.

Hidratimi

Hidratimi i mirë është thelbësor për shëndet optimal. Kurdoherë që është në dispozicion dhe i sigurt për konsum, uji natyral është pija më e shëndetshme dhe më e lirë.

Pirja e ujit në vend të pijeve të ëmbëlsuara me sheqer është një mënyrë e thjeshtë për të kufizuar konsumimin e sheqerit dhe kalorive të tepërta. Për të përmirësuar shijen e saj, mund të shtohen fruta të freskëta ose të ngrira si manaferrat ose feta agrumesh, si dhe kastravec ose barishte të tilla si nenexhiku, livando ose rozmarina. Shmangni pirjen e sasive të mëdha të kafesë, çajit të fortë dhe sidomos pijeve joalkoolike me përmbajtje kafeine dhe pijeve energjetike. Këto mund të çojnë në dehidratim dhe mund të ndikojnë negativisht në gjumin tuaj.

Disa nga këshillat që duhet të ndiqni janë:

  • të bëni një dietë ushqimore dhe t’i qëndroni strikt asaj
  • të hani me orar dhe ushqime të shëndetshme që ju ngopin
  • mesvaktet të përbëhen kryesisht nga snaks të shëndetshme si arrat apo frutat e tjera të thata
  • aktiviteti fizik luan një rol mjaft të rëndësishëm në humbjen e peshës. Përpiquni të ushtroheni çdo ditë dhe të menaxhoni stresin
  • sigurohuni të flini mjaftueshëm gjumë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura