Nga rubrika … Pse s’ika emigrant?! Një puthje nga Elivari

Sep 15, 2014 | 14:06
SHPËRNDAJE

Një puthje nga Elivari

Mundet që gjermani Bernhard Schlink, autor i romanit “Leximtari”, të ketë pasur të drejtë për atë që i la të kuptonte personazhit të tij, Mikaelit, se për hir të krenarisë njeriu pranon ndëshkimin, me shpresën që, një ditë, do të mund të arrijë diku tjetër, atje ku ka shpresuar. Por do ta bëjë këtë, pa u mëshiruar. Nuk është që Elivar Golemi ka ndonjë lidhje me Hanën, personazhin tjetër të librit. Ky i fundit, edhe mund të mos na ishte kujtuar, nëse nuk do të ishte për seancën e gjyqit, dhe kontrastin mes të dyjave. Hana analfabete e Gjermanisë së luftës, e pafaj, pranoi në heshtje gjithçka. Nuk mundi të bëjë as edhe një lëvizje të vogël të muskujve të qafës për të parë që, në çdo seancë gjyqesh, ishte edhe Mikaeli. Elivari e demokracisë së lirë, na puthi të gjithëve… nëse mund të shihni ndonjë ndryshim! Hanën, pavarësisht qëllimit të mesazhit të librit, e mëshiruam. Po me Elivarin çfarë të bëjmë?! Që mos ta bëjmë shumë librare, se asnjë nga personazhet e çështjes “Fullani” nuk e meriton. (Aq të vajosura sa i kanë pasur rrugët, nuk kanë pasur pse të sforcojnë dhe aq mekanizmat e të menduarit, ndaj, nuk është për t’u marrë aq shumë). Duam vetëm të ndajmë me ju një episod që, mbase nuk është vënë re nga të gjithë, por pushtoi edicionet qendrore të lajmeve përgjatë gjithë javës që lamë pas. Siç thamë, Elivar Golemi! E pashpjegueshme në gjithë këtë zallamahi është  ngazëllimi (nuk mund të quhet thjesht dhe vetëm buzëqeshje) i Golemit, qysh nga makina e policisë me të cilën shoqërohej për në sallën e gjyqit e derisa shpërtheu në vendin e të pandehurës me një përshëndetje mbresëlënëse! Befas, të gjitha fytyrat e zymta në gjyq (siç ndodh rëndom të jenë, në mos qoftë divorc) morën dritën e një të qeshure “vesh më vesh”. Për disa çaste, mimika gazmore nuk ndalej, kur hop, ngrihet një dorë e cila puth buzët dhe e shpërndan puthjen në ajër. Kujt ia dërgoi këtë puthje Golemi?! Duam shumë të besojmë që pa aty, pikërisht në sallë të gjyqit, pas kaq e kaq vitesh, një të dashur të vjetër të cilit nuk mund t’i rezistonte. Jo se, shpjegim tjetër nuk mund të ketë! Nuk mund të mendojë njeri që ish-inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, e arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës, mu në mes të mijëra syve, aty, përpara kamerave, u dërgon një të puthur të gjithë teleshikuesve(!) Në qoftë rasti i parë, kamerat duhet doemos të filmonin edhe njeriun që prishi festën. Në të kundërt, karshillëku i këtij lloji duhet të dënohet me ligj. Jo në rastin e Elivarit, se s’ka pse rëndohet më tepër, por të jetë në vëmendje të tjera. E kuptojmë zonjë që je krejt e pafajshme, po lërja më mirë kohës e pastaj na puth të gjithëve me nge. Përndryshe, ul kokën e mat dyshemenë, siç ndofta je duke bërë…

Leonora Jakupi, album të ri deri në fund të vitit
Ajo ka publikuar tre këngë të reja bashkë me videot e tyre brenda këtij viti. Por me sa duket, ky është vetëm fillimi i publikimeve të reja për të. Në një intervistë për emisionin “Prive” në Kosovë, ajo ka treguar se në përfundim të 2014-s do të publikojë dhe një album të ri për të cilin po punon. Megjithatë, ajo bëri të ditur se nuk ka përzgjedhur ende këngët e madje as titullin e bashkëpunëtorët për këtë album, që shënon të gjashtin në numër për Jakupin.

Olta Boka feston ditëlindjen mes miqve këngëtarë
Në fakt, nuk është që mund ta ndash tamam nëse Juliana Pasha, Olta Boka, Kejsi Tola apo edhe ndonjë tjetër koleg janë bashkë sepse duhet të jenë të ftuar diku për të kënduar, apo sepse kanë diçka të tyren për të festuar. Por, komentet
me të cilat shoqërojnë fotografitë që i bëjnë publike, të qartësojnë. Këtë herë, në restorantin e Juliana Pashës, miqtë
janë mbledhur për të festuar ditëlindjen e Olta Bokës.

Lori Hoxha në turin e Beyonce në Francë
Vajza e madhe e Dritan Hoxhës, Lori, është mësuar që të ndajë me ndjekësit e saj në Instagram thuajse të gjitha udhëtimet a eventet në të cilat merr pjesë. Këtë herë ka qenë e pranishme në një koncert live të Beyonce-s dhe Jay Z, në turin që çifti po zhvillon këto ditë në Francë. Pra, siç kuptohet, fotografia është e shkrepur nga Lori, nuk e kemi gjetur rastësisht në imazhet e Google… Vihet re menjëherë në komentet poshtë fotos së Lorit “zilia’ (ndonjëherë e mirë) e komentuesve që do ta shihnin vetëm në ëndërr një koncert të tillë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura