Nga Roben, Jovetiç e Xheko, ja yjet që do t’i mungojnë Europianit

Nov 19, 2015 | 10:07
SHPËRNDAJE

Europiani francez i verës së ardhshme do të shohë protagonistë shumë kombëtare surprizë, ku pa dyshim spikasin Shqipëria dhe Islanda, por nga ana tjetër, shumë sportdashës dhe tifozë do të “qajnë” yje të mëdhenj që mungojnë, prezenca e të cilëve zbeh disi edhe spektaklin që kompeticione të tilla rezervojnë.

formacioni qe mungon

Nuk ka dyshime që mjafton të përmendësh emrin e Holandës, për të kuptuar sesa talent ka në përbërje kjo skuadër, e cila nuk arriti të kualifikohet, apo edhe të tjerë kampionë të Serbisë, Bosnjës etj., që liston e përditshmja “DailyMail”.

Portier/ Begoviç

Sikur të mos mjaftonte momenti negativ që po përjeton me klubin e Çelsit, “gardiani” do ta kalojë verën e ardhshme si spektator i “Euro 2016”, pasi Bosnja e tij, një nga pretendentet për të luajtur këtë turne, nuk arriti të kualifikohet në “play off” ndaj Irlandës.

Mbrojtës/ Kolarov

Po luan ndoshta sezonin më të mirë të karrierës së tij te Mançester Siti, por mbrojtësi serb, ashtu sikundër e gjithë kombëtarja e tij ishin “viktima” e Grupit I, ku të kualifikuarat qenë Portugalia dhe Shqipëria (shënoi gol ndaj Shqipërisë, në “Elbasan Arena”).

Mbrojtës/ Ivanoviç

Shpeshherë ka qenë më kritiku për kombëtaren e tij, si rrjedhojë edhe e faktit se është kapiteni i Serbisë. Por, siç ka ndodhur shpesh në vitet e fundit, gjiganti i Çelsit nuk arrin të jetë në nivelet e tij reale, kur mban mbi shpatulla bluzën e Kombëtares.

Mbrojtës/ Blind

Mbase, mbrojtësi i Mançester Junajtid i ka vuajtur familjarisht ato eliminatore të tmerrshme, duke qenë se në stolin e Holandës ulej babai i tij, Dani Blind.

Mesfushor i djathtë/ Roben

Klasin që ky lojtar ka, e tregoi në miqësoren e fituar me Uellsin, por dëmtimet që e përndoqën gjatë aventurës së tij me Bajernin bënë që Holanda të humbte shumë nga shkëlqimi i saj dhe pa fenomenin e tyre, “tulipanët” të dështonin.

Mesfushor qendre/ Matiç

I shënoi Portugalisë në një ndeshje që më pas e humbën, por ndoshta mesfushori serb dhe shokët e tij të përfaqësueses nuk e morën më veten që pas humbjes në tavolinë kundër Shqipërisë.

Mesfushor qendre/ Fletçer

Pas viteve të Junajtid, Fletçer po shkëlqen me Uest Bromuiç, duke bërë që eksperienca e tij t’i shërbente shumë edhe Skocisë, e cila dukej e sigurt se nuk do të mungonte në Europian. Por, mungesa e tij me Gjeorgjinë solli një barazim dhe në sfidën e fundit ishte polaku Levandovski që me golat e tij dënoi britanikët t’i jepnin fund ëndrrës së tyre.

Mesfushori i majtë/ Eriksen

I pazëvendësueshëm dhe deciziv për Totenhemin, Kristian Eriksen nuk arriti që të jetë një udhëheqës edhe për kombin e tij. Pas Portugalisë dhe Shqipërisë që i ndalën në grup, së fundmi ishte Ibrahimoviç që i dha “shqelmin” deciziv danezit që të mos merrte “vizën” për në Francë.

Sulmues/ Van Persi

Pas “fluturimit” spektakolar në Botërorin brazilian, së bashku me Holandën, sivjet Van Persi dhe shokët e tij humbën gjurmët, duke u transformuar në një skuadër që e pranonte lehtësisht humbjen.

Sulmues/ Xheko

Edhe pse shënoi 8 gola në eliminatore, bomberi kryesor i Bosnjës nuk arriti që të tërhiqte skuadrën në ndeshjen decizive, në Dublin kundër Irlandës.

Sulmues/ Jovetiç

Impaktin që ka pasur tek Interi sivjet nuk arrin që ta transmetojë edhe në kombëtaren malazeze, ndonëse mosha e tij e re 26-vjeçare do t’i japë të tjera shanse që Stevan Jovetiç të luajë një tjetër Europian.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura