Nga rikandidimet te prurjet e reja, emrat e PS për 14 majin! “Një jetë në karrige”, kush është kryebashkiaku që kërkon mandatin e shtatë! Në Vlorë “mbijeton” vetëm Jorgo Goro

Mar 27, 2023 | 8:44
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Kryesia e Partisë Socialiste zyrtarizoi mbrëmjen e së shtunës 61 kandidatët për zgjedhjet vendore të 14 majit.

14 maji

Gati 1 e katërta e listës së kandidatëve për kryebashkiakë të PS-së është e përbërë nga emra të rinj. Dy ditë para përfundimit të afatit zyrtar të depozitimit të listave të kandidatëve, kryetarët e 12 qarqeve të vendit zbardhën emrat e listës.

Në disa nga bashkitë e vendit kandidatët aktualë u kanë lënë stafetën kandidatëve të rinj si në bashkitë: Gramsh, Bulqizë, Libohovë, Has, Patos, Divjakë, ndërsa në bashkitë e tjera janë rikonfirmuar aktualët. Në raundin final të diskutimeve në kryesi, selia rozë zgjodhi t’u besojë 45 kryetarëve aktualë duke sjellë risi në vetëm 16 bashki të tjera. Riformatimi më i madh i është bërë qarkut të Vlorës, ku nga 7 bashki janë ndryshuar 6. Besimin për të fituar Vlorën, socialistët ia dhanë Ermal Dredhës, një diplomat karriere i cili do të lerë Dubain ku shërben si ambasador për qytetin bregdetar.

Në listën e kandidatëve për kryebashkiakë, socialistët kanë edhe dy deputetë, të cilët do të duhet të lënë mandatet për të garuar më 14 maj. Bëhet fjalë për Benet Becin në Shkodër dhe Besjan Ajazin në Gramsh. Por pavarësisht rinovimit të pjesshëm, socialistët edhe në këto zgjedhje kanë vendosur të mos heqin dorë nga disa prej kandidatëve të tyret historikë, që kanë disa mandate si kryebashkiak. Rekordin e mban kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, i cili në zgjedhjet e ardhshme do të garojë për një mandat të 7-të. Ai ka qenë zgjedhur për herë të parë në vitin 2000. Një tjetër emër që pason Topçiun drejt rekordeve është Adriatik Zotkaj i Poliçanit. Zotkaj drejton Bashkinë e Poliçanit prej vitit 2004 dhe kërkon tashmë të marrë një mandat të gjashtë. Jo pak mandate në krye të Tepelenës ka Tërmet Peçi, i cili për herë të parë u zgjodh kryebashkiak në 2011.

KANDIDATËT

Mes emrave socialistë që do të garojnë më 14 maj ai që ngjalli reagimin më të madh të gazetarëve që po prisnin në selinë e PS-së ishte ai i kryebashkiakut të Maliqit, Gëzim Topçiu. Kjo, për faktin se Topçiu kandidon për një mandat të shtatë në këtë bashki, një rekord ky për të zgjedhurit vendos në Shqipëri. Sipas drejtuesit politik të Korçës, Niko Peleshi, arsyeja e kandidimit të Topçiut sërish është fakti se Maliqi ka nevojë për një menaxher si ai.

“Kemi shumë figura në këtë bashki, por Gëzim Topçiu është kampioni i shërbëtorit ndaj qytetarëve. Në Bashkinë e madhe të Maliqit, në fakt, ka vetëm dy mandate. Është një nga kampionët e punës dhe jam shumë i bindur që nuk do të jetë thjesht një mandat i ri, me të cilin jemi mësuar, por do të jetë një mandat ku do të kemi projekte të mëdha. Maliqi ka nevojë për një menaxher si Gëzim Topçiu” u shpreh Peleshi.

Por teksa kryebashkiaku i Maliqit kandidohet për herë të shtatë, dy kryebashkiakë të tjerë në Fier do të jenë të detyruar të hapin krahun për shkak se kanë marrë nga tri mandate. Rajmonda Balili në Patos dhe Fredi Kokoneshi në Divjakë morën mbrëmë vlerësimet e Taulant Ballës për punën e bërë, por pas tre mandatesh, sipas tij, ka nevojë për energji të reja. Të 11 drejtuesit e qarqeve që prezantuan njëri pas tjetrit emrat e kandidatëve të Partisë Socialiste pas mbledhjes së Kryesisë shprehën besim se në 14 maj të zgjedhurit e tyre do të marrin edhe votëbesimin e qytetarëve.

Vlora është qarku që ka më shumë emra të rinj, ku nga 7 bashkitë vetëm Jorgo Goro në Himarë është rikandiduar. Për Bashkinë e Vlorës është zgjedhur diplomati Ermal Dredha. Kreu i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, është emri i vetëm që u ka “mbijetuar” ndryshimeve të emrave për zgjedhjet vendore nga Partia Socialiste. Drejtuesi politik i PS në Vlorë, Blendi Klosi, bëri me dije se në 6 bashki të këtij qarku nuk do të ketë rikandidime. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi se kryesia vendosi që në Lezhë do të rikandidojë të 3 kryebashkiakët aktualë. Ndërkohë është miratuar edhe përbërja e listës së Këshillave Bashkiakë. Në Lezhë rikandidon Pjerin Ndreu, në Kurbin Majlinda Cara dhe në Mirditë Ndrecë Deda.

LISTA E KANDIDATËVE TË PARTISË SOCIALISTE

1.QARKU SHKODËR
Malësi e Madhe – Tonin Marinaj
Shkodër – Benet Beci
Pukë – Gjon Gjonaj
Vau i Dejës – Kristjan Shkreli
Fushë Arrëz – Franc Tuci
2.QARKU ELBASAN
Elbasan – Gledian Llatja
Cërrik – Andis Salla
Belsh – Arif Tafani
Gramsh- Besian Ajazi
Peqin – Bukurosh Maçi
Librazhd – Mariglen Disha
Përrenjas – Nuri Belba
3.QARKU LEZHË
Lezhë – Pjerin Ndreu
Kurbin – Majlinda Cara
Mirditë – Ndrec Deda
4.QARKU DIBËR
Dibër- Rahim Spahiu
Mat – Agron Malaj
Klos – Valbona Kola
Bulqizë – Festime Mjeshtri
5.QARKU BERAT
Skrapar – Adriatik Mema
Poliçan – Ardiatik Zotkaj
Berat – Ervin Demo
Dimal – Juliana Mema
Kuçovë- Kreshnik Hajdari
6.QARKU DURRËS
Durrës- Emirjana Sako
Shijak- Elton Arbana
Krujë- Artur Bushi
7.QARKU KORÇË
Korçë- Sotiraq Filo
Pogradec – Ilir Xhakolli
Devoll- Eduard Duro
Maliq – Gëzim Topçiu
Pustec- Pali Kolefski
Kolonjë- Erion Isai
8.QARKU GJIROKASTËR
Gjirokastër – Flamur Golemi
Përmet – Alma Hoxha
Këlcyrë – Klement Ndoni
Tepelenë- Tërmet Peçi
Memaliaj – Gjolekë Guci
Dropull – Dhimitraq Toli
Libohovë – Leonard Hide
9.QARKU KUKËS
Bashkia Kukës – Safet Gjici
Bashkia Tropojë – Rexh Byberi
Bashkia Has – Halit Mulaj
10.QARKU FIER
Bashkia Fier – Armando Subashi
Bashkia Lushnje – Eriselda Sefa
Bashkia Mallakastër – Qerim Ismaili
Bashkia Roskovec – Majlinda Bufi
Bashkia Patos – Fatjon Duraj
Bashkia Divjakë, Josif Gorrea
11.QARKU TIRANË
Bashkia Tiranë – Erion Veliaj
Bashkia Kamëz – Rakip Suli
Bashkia Kavajë – Redjan Krali
Bashkia Vorë – Blerim Shera
Bashkia Rrogozhinë – Edison Memolla
12.QARKU VLORË
Bashkia Vlorë – Ermal Dredha
Bashkia Selenicë – Nertil Bellaj
Bashkia Delvinë – Besmir Veliu
Bashkia Finiq – Romeo Çakulli
Bashkia Himarë – Jorgo Goro
Bashkia Konispol – Erges Dule
Bashkia Sarandë – Olti Çaç

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura