Nga Rama te Kurti, Vuçiç dhe Varhelyi/ Ja të gjitha reagimet e liderëve të Ballkanit dhe BE-së për tragjedinë me 46 viktima në Bullgari

Nov 23, 2021 | 12:41
SHPËRNDAJE

Liderët nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kanë shprehur solidaritetin e tyre me Maqedoninë e Veriut, pas aksidentit me autobus në Bullgari, ku vdiqën të paktën 46 persona. 

Një autobus që po transportonte udhëtarë, kryesisht nga Maqedonia e Veriut, u dogj në orët e para të 23 nëntorit, teksa po udhëtonte në një autostradë afër Sofjes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë autoritetet maqedonase pas aksidentit në Bullgari.

“Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shpreh gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet”, shkroi Kurti në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur ngushëllime për tragjedinë në Bullgari.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij maqedonas, Stevo Pendarovski dhe kryeministrit Zoran Zaev.

“Me mosbesim dhe pikëllim mora lajmin e tmerrshëm për vdekjen tragjike të pasagjerëve të autobusit në Bullgari. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndajmë me qytetarët e vendit tuaj. Serbia është me ju, e gatshme për të ofruar të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme, sepse nuk jeni vetëm në këtë tragjedi”, ka shkruar Vuçiç.

Edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç përmes një telegrami ngushëllimi drejtuar Pendarovskit ka thënë se shteti i tij ndan “dhimbjen me popullin maqedonas për jetët e humbura tragjikisht, në mesin e tyre edhe fëmijë”.

“Ju lutemi përcillni ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe urimet më të mira për pasagjerët e mbijetuar për shërim të shpejtë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

Ndërkaq, komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi e quajti “tragjik” aksidentit me autobus në Bullgari.

“Lajme të tmerrshme lidhur me aksidentin tragjik në Bullgari në orët e para të mëngjesit. Mendimet dhe ngushëllimet e mia për familjarët dhe miqtë e atyre që vdiqën dhe për popullin dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Varhelyi në Twitter, duke iu uruar shërim të shpejtë të lënduarve.

Autoritetet bullgare kanë thënë se ende nuk dinë shkaqet e aksidentit, ndërkaq besohet se me autobusin e kompanisë BesaTrans po udhëtonin 53 persona. Pasagjerët po ktheheshin nga Turqia ku kishin shkuar për një vizitë treditëshe në Stamboll. /Rel/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura