Nga qelia e burgut në zyrën e Kadri Hazbiut, agjenti grek rrëfen prapaskenat në gjyqin e Teme Sejkos: Ja kush e sulmoi

Nov 23, 2020 | 20:45
SHPËRNDAJE

Deshmia-Teme-sejko-agjenti-grek-Kosta-Fili

AFRIM IMAJ

“Teme Sejko ka qenë agjent i amerikanëve”. Dëshmitari kyç i procesit të bujshëm të vitit 1961 me të ashtuquajturat prova nga Greqia, dëshmonte 20 vite më vonë se pohimet e tij në gjyqin e Teme Sejkos nuk kishin qenë të vërteta.

Kosta Fili, i famshmi agjent i zbulimit grek, që vuante dënimin në Burgun e Burrelit qysh prej vitit 1960, i thirrur në gjyqin e Kadri Hazbiut në qershor të vitit ’83, ka dëshmuar se ish-ministri i Brendshëm, tashmë në bankën e të akuzuarve, e ka përdorur me metoda misterioze për të kryqëzuar Teme Sejkon me akuza të përpunuara nga agjentë të sigurimit të shtetit.

Që në fillim të dëshmisë, i burgosuri i Burrelit i është drejtuar trupit gjykues se çdo gjë që ka konsumuar në procesin e ishadmiralit të flotës në vitin ’61, ka qenë shpifje e diktuar në zyrën e Kadri Hazbiut nga oficerët e Policisë Sekrete. Dëshmia tronditëse kundër ish-ministrit më jetëgjatë të regjimit komunist, i shtohej kësisoj çështjeve të tjera që e penalizonin atë për veprime sektare gjatë luftës, për raporte të dyshimta me Koci Xoxen, për qëndrimet antiparti në Konferencën e Tiranës të vitit ’56 etj.

Rasti i Teme Sejkos, me dëshminë “bombë” nga agjenti grek, vlerësohej ndër të tjera nga paneli i procesit një provë e patjetërsueshme që konfirmonte aktivitetin e ish-ministrit “karizmatik” në shërbim të agjenturës sovjetike. Episodet e sjella në proces nga Kosta Fili rreth përkujdesjes së jashtëzakonshme të Hazbiut për ta penalizuar me doemos Teme Sejkon si agjent të amerikanëve, zbulojnë anën e errët të praktikës misterioze të sigurimit të shtetit për të shpikur agjentë e tradhtarë nga zyrat e shtetit.

Gazeta “Panorama” zbardh dokumentin e panjohur me dëshminë autentike të Kosta Filit në procesin e ish-ministrit të Policisë Sekrete.

Legjenda ogurzezë e artikuluar nga mjeshtrit e kreut të Policisë Sekrete dhe e konsumuar nga agjenti grek, tashmë në prag të lirimit pas 25 viteve burg në procesin e admiralit të Flotës Luftarake, është ngritur mbi tre episode kryesore.

Episodi i parë, Kosta Fili pohonte se gjatë një udhëtimi që ka bërë me Haki Rushitin për në Shqipëri, një i arratisur ky në SHBA-ja pas lufte dhe i njohur për veprimtarinë në shërbim të CIA-s, ka qenë i pranishëm në një takim që ka pasur ky i fundit me Sejkon në një shtëpi në Mursi të Sarandës.

teme sejko

DESHMIA

Procesverbal i dëshmisë së Kosta Filit më 28 qershor 1983

Unë, Kosta Vasil Fili, i datëlindjen 06.08.1928, i dënuar me 25 vite për spiunazh dhe i ridënuar me 10 vjet për agjitacion e propagandë në repartin 321, Burrel, jap dëshminë time për sa më pyet hetuesi Perlat Kasaj.

Jam dënuar për veprimtari armiqësore kundër shtetit. Kur jam arrestuar, çështjen time e ka hetuar Irfan Shaqiri. Në hetime ka ardhur dhe Kadri Hazbiu. Fillimisht, unë deponova sikur kisha ardhur në Shqipëri për punë private gjoja për të marrë disa para. Më vonë u akuzova për veprimtari diversioniste, që kisha hyrë e kisha dalë disa herë në Shqipëri. Pasi më rrahën në hetuesi, fillova të flas.. Vangjel Zaho, me të cilin kisha ardhur diversant, kishte deponuar në atë kohë se ne kishim ardhur në Shqipëri për veprimtari diversioniste.

Në prill të vitit 1959 më erdhi në hetim Kadri Hazbiu. Herën e parë erdhi bashkë me Beqir Ballukun. Unë këta nuk i njihja po kur pyeta shoqëruesin se kush ishin, mora vesh se ishin ata. Beqiri e Kadriu më thanë se ti nuk po flet, po të bëjmë ne të flasësh. Pas këtij rasti Kadri Hazbiu erdhi vetëm në birucë dhe më tha fol, përgjigju pyetjeve të hetuesve, ti e di që ne përdorim edhe dhunën, ti fol çfarë të të thonë hetuesit. Unë i thashë Kadri Hazbiut që ju bëni çfarë të doni, unë një shpirt kam.

Ai më pyeti pse kisha ardhur në Shqipëri, çfarë doni të komplotoni, të përmbysni pushtetin popullor. Unë i thashë se kam ardhur për punët e mija. Në hetuesi më kanë rrahur disa herë deri sa kam filluar të flas dhe të firmos çfarë shkruante hetuesi në proces. Më kërkonin çfarë kisha parë e dëgjuar për të tjerët. Unë fillimisht u thosha se përgjigjem vetëm për ato që kam bërë vetë. Unë nuk doja të flisja me qëllim që të shpëtoja sa të kishte mundësi të tjerët. Kur kam ardhur një herë në Shqipëri, shoqëroja Haki Rushitin, i cili punonte për llogari të zbulimit amerikan. Unë punoja për llogari të grekëve dhe vetë zbulimi grek më nisi për të shoqëruar Hakiun.

Detyra ime ishte vetëm ta shoqëroja dhe nuk dija gjë për misionin e tij. Unë kisha shoqëri të mirë me Hakinë. Kur erdha me të, ai erdhi dhe u fut në një shtëpi në Mursi. Kur u kthyem e pyeta se kë takove. Hakiu më tha se e kreva punën, se në këtë punë, domethënë për llogari të zbulimit amerikan punon e bën pjesë dhe Teme Sejko. Aty nuk më tha se ishte takuar apo jo me Temen në Mursi.

Në një rast tjetër, kur më erdhi Kadri Hazbiu, më pyeti. A di gjë për ndonjë njeriun tonë, apo ke dëgjuar gjë që të jetë i lidhur me agjenturat e huaja. Unë i thashë aq sa kisha dëgjuar nga Haki Rushiti. Në hetuesi më porositën që këtë fakt që na the për Teme Sejkon, mos e bisedo me njeri.

Në hetuesi më ka ardhur dhe Mihallaq Ziçishti dhe më thoshte pse nuk flet për ato që të thotë hetuesi. Unë i thashë se flas për ato që di. Mihallaqi më tha se “ne gjejmë një Kosta Fili tjetër”. Pastaj më pyeste se çfarë përgatisnin grekët për Shqipërinë. Në fakt unë nuk dija ndonjë gjë konkrete, po Mihallaqi insistonte që unë të thosha që grekët kërkojnë Vorio Epirin. Unë përsëri i thashë se nuk di gjë..

Në fakt, unë nuk kam pasur dijeni që ndaj Shqipërisë përgatitej ndonjë komplot, nëse do të sulmohej Shqipëria. Kur më nisnin grekët me qëllim spiunazhi, shqetësimi i tyre ishte që unë të mësoja se çfarë sillnin rusët në Shqipëri, çfarë bazash kishin ata në Shqipëri. Ideja në atë kohë në Greqi ishte se rusët do t’i nxisin shqiptarët kundër grekëve. Në atë kohë, grekët nuk kanë pasur asnjë qëllim për të bërë komplot kundër Shqipërisë, tjetër punë se bënin detyra spiunazhi.

Po kështu di që grekët në atë kohë shqetësoheshin se mos rusët, me anën e Shqipërisë, do të fusnin në Greqi ishdemokratët që ishin arratisur nga Greqia. Unë kam biseduar me shumë kuadro që drejtonin në Greqi, nëse Greqia kishte ndonjë sherr me Shqipërinë dhe ata thoshin se, ne nuk kemi gjë me Shqipërinë, po këtë e mendojnë rusët. Di që në vitin 1957, në Greqi erdhi ministri i Bujqësisë, i BS-së, me një delegacion. Më vonë erdhën dhe disa turistë sovjetikë. Grekët atyre iu bënë pritje shumë të mirë.

Për veprimtarinë time kundër Shqipërisë, unë jam dënuar me pushkatim e pastaj mu falë jeta. Pas kësaj, u godit grupi i Teme Sejkos.

VIJON NESER

Kosta Fili-Agjenti

Kosta Fili, në liri dhe i riatdhesuar me procedurë të veçantë

Ka qenë gushti i vitit 1988 kur Kosta Fili ka lënë qelinë e Burrelit me një procedurë speciale të autoriteteve shtetërore. Vendimin për riatdhesimin e tij e ka firmosur ministri i Punëve të Brendshme, Simon Stefani. Kërkesat për lirimin e Filit kishin ardhur personalisht nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Karolos Papulias. Pasi ishte liruar nga burgu, menjëherë ishte vendosur në hotelin e Burrelit.

Nga këtu ka nisur pastaj procedura e riatdhesimit. Lidhur me aktin e fundit, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, vlerësonte se riatdhesimi i Filit duhet të kuptohej si një nder që i bëhej ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, pasi ai nuk e meritonte këtë gjë. Në dosjen zyrtare të agjentit të riatdhesuar me porosi shtetërore rezulton se Kosta Fili ishte dënuar në vitet 1960 dhe 1979, së pari si diversant (kishte ardhur 15 herë në Shqipëri) dhe së dyti për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, duke nënvizuar sakaq se ai kishte dalë dëshmitar në procesin gjyqësor kundër Teme Sejkos.

Në shënimet përmbledhëse vihet në dukje se Fili dallon për zgjuarsi dhe dinakëri. Interesante janë ndërkohë pohimet e agjentit të famshëm shumë vite më vonë, kur është përballur në Greqi me ishhetuesin. I vetmi peng që kishte, donte të mësonte si ishte kapur në vitin 1959. Deri në fund, Fili shpresonte ta mësonte edhe prej ish-hetuesit se si ra në kurth asokohe, por nuk mundi ta mësonte kurrë.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:  “Kur i hoqëm litarin nga fyti, zgurdulloi sytë dhe…”- Zbardhet dëshmia e ish-oficerit të Policisë Sekrete: Ju rrëfej torturat ndaj Teme Sejkos! Ç’më kanë parë sytë në vilën e Maminasit

 Zbardhet dëshmia rrënqethëse e ish-kolonelit: Ja kush e urdhëroi mbytjen me litar të Teme Sejkos! Si e zhdukëm trupin ish-Komandantit në kodrat e Linzës

“E goditëm me 100 shkopinj”- Zbardhet dëshmia, ish-koloneli rrëfen torturat: Si e masakruam Teme Sejkon pas bisedës me Kadri Hazbiun

“I gjeta duke e rrahur, i thyen 6 shkopinj në trup”- Shefi i Sigurimit të Shtetit rrëfen ditët e fundit të Teme Sejkos: Ja kush na tha ta mbysnim me litar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura