Nga punëtor arash në menaxher, nigeriani Ambruzio nis jetën e re në Mamurras

Jan 30, 2017 | 19:38
SHPËRNDAJE

Më shumë se dhjetë vjet më parë mbërriti në Shqipëri në kulmin e importit të futbollistëve nigerianë në vendin tonë. Ambruzio Ohedivo ishte një prej shumë nigerianëve që nisi një aventurë të re, gjithmonë me synimin për të kaluar më pas në ndonjë kampionat tjetër në Europë.

Ambruzio

Një dekadë më pas, jeta e tij ka ndryshuar plotësisht, shumë ndryshe nga sa e kishte imagjinuar. I tërhequr nga futbolli i luajtur prej tri vitesh, i martuar dhe një baba i një vajze të quajtur Xhenifer. Ambruzio është shndërruar prej vitesh në një qytetar normal të Mamurrasit.

Vuajtjet

Nigeriani, që luajti me disa ekipe në Shqipëri si Burreli, Kastrioti dhe në fund Mamurrasi, ka kaluar një jetë me shumë vuajtje në vendin tonë. Tri vite më parë u shkëput nga futbolli i luajtur për arsye financiare. Jetonte në një barakë së bashku me bashkëshorten shqiptare dhe vajzën e vogël.

Pa kushte optimale dhe gati pa të ardhurat e mjaftueshme për të siguruar jetesën normale të fëmijës dhe familjes. Ndonjë banor i Mamurrasit i siguronte ndonjëherë punë në ara bujqësore, por kjo ishte e pamjaftueshme për nigerianin. Megjithatë, tri vite më pas, jeta e tij ka ndryshuar plotësisht dhe duket se ka vendosur t’i rikthehet futbollit, por tashmë në rolin e menaxherit.

Ambruzio - Ded Ndreca

Ndryshimi

Ndryshimi i Ambruzios duket qartë edhe në fotot e publikuara nga gazeta. Rreth tri vite më parë ishte i dobët dhe i veshur shumë keq. Ndërsa tani gjithçka është ndryshe. I stabilizuar financiarisht dhe me një mendësi tjetër për jetën.

“Mendoj se gjërat e këqija kanë kaluar tashmë. Jeta ime ka ndryshuar në krahasim me disa vite më parë. Jetoj i lumtur me familjen time në Mamurras. Ky qytet është streha ime, ku besoj se do të jetoj gjatë. Është një ambient perfekt dhe njerëzit më kanë ndihmuar gjithmonë. Megjithëse jam shkëputur nga futbolli i luajtur, nuk mund të heq dorë kollaj nga ky sport.

Sot (dje) pata një takim me presidentin e Mamurrasit, Ded Ndreca, dhe i sugjerova një sulmues nigerian për ta afruar në ekip. Është një futbollist shumë cilësor, që do ta ndihmojë Mamurrasin nëse drejtuesit pranojnë ta afrojnë. Po bëj më të mirën time për ta ndihmuar këtë ekip, tek i cili kam kujtime shumë të bukura”, shprehet Ambruzio në prononcimin e tij.

Nigeriani ka nisur karrierën si menaxher dhe shpreson që të sjellë sa më shumë lojtarë. “Synimi është që ta ndihmoj sa më shumë Mamurrasin dhe ekipet e tjera. Unë e njoh shumë mirë futbollin dhe mendoj se mund të sjell në Shqipëri futbollistë cilësorë. Niveli në kampionatin shqiptar është rritur dhe ka nevojë për lojtarë të mirë”, përfundon prononcimin e tij nigeriani Ambruzio.

AHMET ZANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura