Nga psikoza e turmës te rrëfimi për nënën, novelat e reja të Preç Zogajt

Nov 16, 2020 | 15:36
SHPËRNDAJE

“Unë shkruaj për t’i dhënë lexuesit kënaqësi estetike, për të praruar kohën e tij të lirë”, thotë Preç Zogaj, që sapo ka botuar librin e tij më të ri “Tri novela”.

prenc-zogaj-libri

Por librat e Preç Zogajt janë më shumë se një kënaqësi estetike. Pas çdo teksti ka edhe një kumt, që lidhet me kujtesën, pengjet, politikën… Ndonëse poetët mbeten të tillë deri në fund dhe proza për ta mbetet thjesht dhe vetëm një tundim, Preç Zogaj bën përjashtim nga rregulli.

Ai i zotëron të dyja, si poezinë edhe prozën, duke qenë bindës te të dyja. Në një kohë jo fort të zakontë, aq më tepër për artin, Zogaj ka promovuar në ambientet e UET, librin e tij më të ri, një triptik novelash: “Hedhja”, “Bija e vjetër e nënës së re” dhe “Kompleksi”.

Ndonëse zakonisht thuhet se për autorin çdo krijim është i dashur, Zogaj vlerëson më së shumti të parin: “Hedhja”, një rrëfim realist, që vërtitet rreth hedhjes nga lartësia të një emigranti, që kishte bërë famë në vendin fqinj, pikërisht me këtë numër “magjie” e “guximi”.

Shumëkujt i sjell ndërmend iluzionistin Nadir Murra, që vite më parë u hodh nga hotel “Tirana”. Por Zogaj sjell një tjetër “Nadir”, të lindur me emrin Kuqo, por që emrin e artit e kishte Edgar Allen, që disi të kujton Edgar Allen Poe-n, poetin e errësirën. E në zhurmën e ngritur mes habisë, mëdyshjeve, pikëpyetjeve, që mbushnin jetën rutinore të një qyteti provincial, vërtiten politikanë, biznesmenë, njerëz të dyshimtë, gazetarë, femra të bukura që përbënin lajm në qytet, por edhe ca të tjerë që as u bëhej vonë për atë që do të ndodhte.

Aty gjen edhe figurën e Kryeministrit, që i pëlqen ta thërrasin “Konti”, me një ndërthurje tiparesh, që sapo ti thua se është aksh (ish)-Kryeministër, një batutë apo një papjon me pika, ta rrëzon hamendjen. E, megjithatë, ajo që sundon është turma e mahnitur pas kotësisë apo imazheve të rreme.

Te ky rrëfim, në dukje realist, që të mban lidhur me një fije tensioni për aktin e pazakontë të hedhjes nga një pallat i ri, që do të thotë më lart se 8 kate, poeti dhe përkthyesi Rudof Marku sheh edhe pikën e fortë të veprës. “‘Hedhja’ fillon me një rrëfim realist, duke skalitur personazhet e një province, ku shpërfaqen me radhë kryetari i bashkisë, nëpunësi, artisti në mbijetesë, gazetari televiziv i provincës, ata zotërinjtë politikanë me të dashurat e tyre, një Kryeministër, të gjithë aktorë që fshihen mes turmës; me çdo gjë që ngjason me një provincë shqiptare. Pastaj është profesori intelektual, por që jeton në një skaj të shoqërisë, të kësaj shoqërie të madhe të provincës; befas del dhe Kryeministri i Shqipërisë, i cili mund të jetë cilido Kryeministër i sotëm dhe i djeshëm. Aftësia për të përshkruar realitetin shqiptar është meritë e jashtëzakonshme e autorit. Nga mënyra realiste kthehet vetvetiu në alegori dhe simbol, jo në mënyrë të vetëdijshme. Novela është një alegori e trukut, sugjestionimit. Pas formës sugjestive, hedhjes, që i bën të besojnë turmat, fshihen fytyrat e politikanëve shqiptarë, gazetarëve shqiptarë e presidentëve shqiptarë që sugjestionojnë turmën, e cila është ajo që pranon sugjestionimin, iluzionin”, shprehet Rudolf Marku.

“Bija e vjetër e nënës së re” është një tjetër novelë që ngrihet në të tjera rrafshe, gati surreale, por që pikënisjen e ka aq të prekshme dhe tokësore, te nënat, gratë, jo vetëm ato të Veriut, që jetojnë mes pengjesh. E Preç Zogaj sheh aty edhe nënën e vet. “Është 90 për qind historia e nënës sime, por kam dashur t’i jap një dimension paksa më të gjerë se një histori personale”, shprehet autori. “Unë dhe Preçi vijmë nga e njëjta zonë dhe kemi hasur ngjashmëri në fëmijëri. Bëhet fjalë për fatet e grave, jo vetëm në Veri. Sesi shpesh humbasim prindërit, të afërmit dhe nuk dimë as ku kanë eshtrat”, thotë gazetarja Fatmira Nikolla, që ka pasur fatin ta lexojë librin e ri të Zogajt që në dorëshkrim. Sa i takon novelës së tretë, “Kompleksi”, sipas Nikollit, ajo shtillet rreth “një raporti emotiv dhe fizik mes dy njerëzve që nuk mund të arrijnë të gjejnë zërin e tyre për shkak të komplekseve që i vuajmë dhe ne akoma sot. Janë përballje që mund të kemi pasur me veten apo me tjetrin. Në të tria novelat Preçi sjell dy kohët duke i vënë përballë personazhet”.

Duke e konsideruar të tepërt të fliste për veprën e tij, Preç Zogaj u shpreh: “Shpresoj që lexuesve t’u pëlqejë dhe t’u japë kënaqësi leximi i këtyre novelave, sepse unë për këtë shkruaj; prandaj dhe i jap rëndësi stilit, pasi qëllimi im është të ndaj me lexuesit momente të një kënaqësie estetike”. Ai shprehu keqardhjen për pamundësinë e ndërveprimit të drejtpërdrejtë me lexuesit në stendën e Panairit, si çdo vit, e megjithatë në kushtet e pazakonta pandemike ai vlerësoi përpjekjen për të mos e ndërprerë traditën e Panairit, por për t’u qasur përmes alternativash të tjera, përmes platformave on line. “Ne shkruajmë se nuk mund të bëjmë ndryshe, e megjithatë një autor nuk mund të bëjë pa lexuesin. Ashtu siç thotë Rudolf Marku, është si të vallëzosh vetëm në errësirë”, u shpreh Zogaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura