Nga porta në sulm, ja çfarë pret Kastrioti

Aug 11, 2018 | 17:21
SHPËRNDAJE

Kastrioti është gati për Superioren! Ekipi dita-ditës po merr formën e tij përfundimtare, duke plotësuar të gjitha repartet me lojtarë me eksperiencë, por edhe të rinj të perspektivës. Pavarësisht se kampionatit i duhet edhe një javë për të nisur, krutanët do të vazhdojnë me afrimet edhe gjatë ditëve në vazhdim. Afrimet e fundit pritet të jenë lojtarë, që krutanëve do t’u bëjnë punë në sezonin e ri. Dhe më kryesorja është se janë “të kualifikuar” dhe nuk do të kenë nevojë për të marrë “OK”-in e stafit teknik.

plori1

PORTA
 – Erkan Spahija mbeti jashtë listës së krutanëve kur skuadra u nis për etapën e dytë të fazës përgatitore në Bullgari. Krutanët e zhvilluan fazën vetëm me dy portierë, Klajdi Kuka dhe të riun e afruar së fundmi, Bruno Puja. Mirëpo, kampionati është i gjatë dhe krutanët nuk mund ta nisin vetëm me dy portierë. Emri më i mundshëm për t’u bërë pjesë e krutanëve është ish-portieri i Teutës, Shpëtim Moçka. Nga burime të “Panorama Sport” mësohet se të dy palët kanë nisur kontaktet dhe momentalisht ka një ofertë të krutanëve për 28-vjeçarin, i cili është një portier me eksperiencë të madhe në Superiore, ku krahas Teutës, ka luajtur më parë edhe për Flamurtarin, Laçin, por edhe Apoloninë e Kastriotin.

mocka

MESFUSHA – Mesfusha është një tjetër repart, që në ditët në vijim krutanët pritet të zyrtarizojnë një ose dy lojtarë. I pari është nigeriani Kehinde Ouoeje, me të cilin krutanët thuajse kanë arritur akordin. Pritet që ditët në vijim, lojtari të mbërrijë në Shqipëri për të mbyllur marrëveshjen.

Lojtari është një njohës i mirë i kampionatit shqiptar, pasi është aktivizuar në Superiore me Laçin, Bylisin dhe Tomorin, ndërsa ka qenë edhe pjesë e Kastriotit përpara dy vitesh, ndërsa sezonin e fundit ka luajtur në Qipron veriore. Një tjetër emër i rëndësishëm që ka qarkulluar së fundmi te krutanët është ai i Valon Et’hemit, mesfushori me tipare sulmuese, i cili u aktivizua sezonin e fundit te Kukësi. Ai aktualisht është lojtar i lirë dhe krutanët e kanë piketuar për ta pasur në skuadër. Nëse dhe ky transferim do të realizohej me sukses, mesfusha e krutanëve do të “blindohej” dhe do të ishte tejet konkurruese.

kastrioti

SULMI
 – Afrimi i fundit i planifikuar nga stafi teknik është në repartin e sulmit. Pak ditë më parë u përfol për afrimin e Filit te Kastrioti, por ky lajm u mohua nga stafi teknik. Megjithatë, gazeta ka mundur të zbulojë se stafi teknik dhe lojtari kanë biseduar me sulmuesin, por nuk kanë dashur që të bëjë publik këtë lajm, pa e mbyllur më parë marrëveshjen. Gjasat janë që Kastrioti do të jetë destinacioni i tij i radhës, gjithmonë nëse sulmuesi do të mbetet në Shqipëri.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura