Nga përdorimi i makinave për familjarët, te udhëtimet e restorantet/ Rama paralajmëron ministrat: Në shkeljen e parë kërkohet ndjesë, në rast përsëritje lironi vendin!

Sep 18, 2021 | 10:40
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama zhvilloi sot mbledhjen e parë të qeverisë së re, ku paralajmëroi ministrat e rinj lidhur me Kodin Etik.

Rama tha se nuk duhet të përdoren makinat e ministrave për familjarët, si dhe nuk duhet të shkohet në restorante dhe kafene në ditët e punës, pikë që sipas tij nuk është zbatuar deri më tani.

Kryeministri parlajmëroi anëtarët e kabinetit se në shkeljen e parë ministri duhet të kërkojë ndjesë, ndërsa në rast se ajo përsëritet duhet të lirojë vendin.

“Në kod nuk shkruhet as që anëtarët e qeverisë nuk duhet të fluturojnë me Buisness Class kur udhëtojnë nëpër Evropë, as që anëtarët e qeverisë nuk mund të shkojnë me pushime jashtë shtetit. As që anëtarët e qeverisë mund të drekojnë në restorante e kafene gjatë ditëve të punës, përveç festave familjare, apo kur dreka dhe darka ka një arsye pune. 

Dy të parat për udhëtimet dhe pushimet përgjithësisht janë zbatuar. Kjo ka shënuar një ndryshim krahasuar me qeveritë e mëparshme kur anëtarët e qeverisë udhëtonin si biznesmenë apo shullëheshin në plazhet e botës. Duhet përcaktuar që bashkëshortët e anëtarëve të kabinetit nuk mund të përdorin sallën VIP të Aeroportit. Një ministër nuk mund të pranojë bileta udhëtimi nga kompani private për bashkëshortin. E njëjta gjë vlen edhe për veturat e qarkullimit në rrugë.

Po njësoj edhe ndalimi i makinës së ministrit për familjarët, në mungesë të tij. Ndërsa ndalimi i shkuarjes në restorant dhe kafene për ditët e punës, për fat të keq nuk është zbatuar. Kjo është edhe arsyeja që desha ta them publikisht që të gjithë ta dimë, që qeveria ka një Kod Etik dhe nuk është vetëm një kornizë normash etike në letër, por mënyrë jetese publike i çdo ministri. Ndaj dua ta bëj me dije se në rastin e parë të mosrepsketimit të Kodit Etik, ministri përgjegjës të kërkojë ndjesë publike dhe në rast të përsëritur do të duhet të lirojë vendin në këtë tryezë. Kjo bën fjalë edhe për mua. S’e kam problem që të respektojë kodin dhe 4 vite të tjera”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura