Nga pensionet te shtimi i konsumit, kush përfiton nga rritja e pagës minimale

May 2, 2016 | 15:59
SHPËRNDAJE

Rritja e fundit e pagës minimale, e detyrueshme për t’u paguar për çdo të punësuar, është bërë në verën e vitit 2013. Që atëherë, çdo i punësuar paguhet minimalisht 22 mijë lekë në muaj. Ky është niveli minimal i pagesës për një punë.

TE MOSHUARIT NE RRADHE PER PENSIONET - Pensioniste, duke mbajtur rradhe per te terhequr parate e tyre ne sportelet e nje nga pikave te shperndarjes se pensioneve. Prej disa ditesh Posta Shqiptare eshte duke aplikuar nje nje procedure te re te sherbimit te pageses se pensioneve.

Paga minimale i shërben qeverisë për llogaritjen e sigurimeve shoqërore. Çdo rritje e këtij detyrimi do të sillte kosto shtesë për bizneset, të cilët do të duhet të paguanin rreth 17% të pagës së re për të siguruar punonjësit e tyre.

Me skemën e re të tatimit mbi të ardhurat, paga minimale nuk tatohet. Burime të gazetës konfirmojnë se qeveria ka në plan dhe po studion rritjen e pagës minimale në shkallë vendi.

Vetë bizneset, habitshëm, kërkuan dy ditë më parë rritjen e kësaj page nga 22 mijë lekë në muaj, në 23 mijë lekë në muaj.

Sipas të dhënave, nga ky vendim preken rreth 300 mijë të punësuar, pjesa dërrmuese në aktivitete private. Punëdhënësit e tyre do të duhet të paguajnë më shumë për sigurimet, ndërsa vetë të punësuarit do të përfitonin një pagesë më të lartë.

Bëhet fjalë për të punësuarit e punëve më të vështira dhe më pak të paguara. Por në këtë skemë përfshihen edhe të gjithë të vetëpunësuarit që kanë një biznes personal. Këta të fundit që të ardhurat për rrogën i fitojnë nga puna e vet, pra nuk paguhen nga të tretë, do të paguajnë më shumë sigurime. Rritja që parashikon qeveria prek më fort të vetëpunësuarit dhe favorizon të punësuarit në ndërmarrje apo biznese të tjera. ÇFARË

PËRFITOHET

Në vitin 2006, qeveria Berisha e rriti ndjeshëm pagën minimale, nga 11 mijë lekë në 14 mijë lekë në muaj. Të njëjtën gjë bëri edhe në vitin 2008, ku paga minimale arriti në 18 mijë lekë në muaj.

Më pas, shtesa e pagës minimale ka qenë çdo vit me 1 mijë lekë për të arritur në vitin 2013, ku shkoi 22 mijë lekë në muaj. Qeveria Rama nuk e ka lëvizur pagën minimale për dy vitet e para.

Pritet që këtë vit të ketë një rritje të ndjeshme të saj. Arsyeja e parë është inflacioni. Paga minimale të paktën duhet të indeksohet me rritjen e çmimeve. Për dy vite, kjo nuk është bërë edhe për shkak të një inflacioni jo shumë të lartë.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me konsumin. Me dy vite paga dhe pensione të ngrira, duket se konsumi nuk po ndihmohet dhe të dhënat e INSTAT tregojnë qartë që tregjet janë në gjendje stanjacioni. Rritja e pagës minimale është një sinjal për rritjen e kërkesës.

PENSIONI

Por të punësuarit nuk përfitojnë vetëm më shumë para. Ata përfitojnë edhe më shumë pension. Me skemën e re të pensioneve, ku llogaritja është mbi bazën e pagës, për dy vite rreth 300 mijë të punësuar nuk kanë kontribuar asgjë për një pension më të lartë.

Rritja e pagës minimale do të shërbejë edhe për një pension më të lartë, kur këta të punësuar do të mbushin moshën.

Nga ana tjetër, vetë qeveria do të përfitonte jo pak si kontribute. Këto të fundit llogariten rreth 26 për qind e pagës dhe rritja me 1 mijë lekë e pagës për 300 mijë të punësuar do të thotë rreth 7 milionë USD më shumë në skemën e pensioneve vetëm gjatë një muaji.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura