Nga pasuria trashëgimi nga babai te denoncimi për masakrën e Çoles, Prokurorja Alma Muça para KPK

Jan 10, 2019 | 10:20
SHPËRNDAJE

Alma Muça, prokurore pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Teksa hetimi është mbështetur në 3 kritere, rivlerësimi i pasurisë, figura apo dhe aftësitë profesionale, nga verifikimet e ILDKPKI rezulton se Muça ka bërë deklarim të saktë në përputhje me ligjin.

b2ae5112-8676-42b3-a5f8-b413a11970d5-600x450

Pasuria

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se KPK ka theksuar se prokurorja ka burime te ligjshme për të justifikuar pasurinë dhe nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit. Mes të tjerash thuhet se prokurorja disponon një depozitë bankare me një shumë prej 5 milionë lekësh të krijuar nga kursimet e pagës në vitet 2014-2015. Ndërkohë, në verifikimet e bërë, KPK shton se Muça disponon dhe një automjet me vlerë 17 mijë e 500 euro, burimi i krijimit hua nga babai i saj dhe nga një shume prej dy milionë lekësh nga shitja e një makine të mëparshme. Po ashtu bëhet e ditur se prokurorja ka një apartament në Durrës 185 m 2, ndërkohë që 28 mijë e 182 euro janë në pronësi të mamasë së subjekti. Në vitin 2017 Muça ka marrë dy apartamente me sipërfaqe 96 m 2 dhe 32 m2 të trashëguar pas vdekjes së babit të saj.

Denoncimi për masakrën e Çoles

KPK nënvizon mes të tjerash faktin se Muça është paditur me pretendimin se ka favorizuar ndryshimin e akuzës si dhe më pas një lajm tjetër u dha në media se prokurorja ishte pezulluar. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëri me dije se në ONM ka ardhur një denoncim lidhur me masakrën e Çoles në Vlorë, që konsiston tek mënyra e organizimit të punës prej prokurores Muça.

Teksa u ndal tek një nga kriteret e vlerësimit, KPK vlerësoi aftësitë profesionale të Muçës, ndërsa shton se ‘nuk janë gjetur afera korruptive tek denoncimet’. Vet Muça, gjatë fjalës së saj para KPK-së kërkoi konfirmim në detyrë.

Karriera

Alma Muça e ka filluar karrierën në sistemin e akuzës në vitin 2001, fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2013, ajo është emëruar prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme, ku vazhdon të ushtrojë detyrën edhe sot.

Në shkurt të vitit 2017, kur mbante postin e kreut të Drejtorisë Gjyqësore, Muça u pezullua nga detyra së bashku me prokurorin Artur Selmani, pas qëndrimit të këtij të fundit për lehtësimin e akuzave ndaj tre të akuzuarve për masakrën e Çoles në Vlorë. Sipas njoftimit të Prokurorisë në atë kohë, Muça në rolin e eprores ishte në dijeni të qëndrimit të Selmanit.

Prokuroria e Përgjithshme nisi në atë kohë edhe një hetim, por tre muaj më pas, Alma Muça u rikthye në detyrë dhe hetimet për të u pushuan.

Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura