Nga “Partia dixhitale” tek “PS e hapur për ty”, zbardhen 12 pikat e axhendës se Asamblesë së PS

Sep 4, 2018 | 19:07
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Aristir Lumezi/ Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Kryesia e PS, e mbledhur dje paradite nën drejtimin e kryesocialistit Edi Rama, përcaktoi axhendën e aktivitetit politik të saj me fokus zgjedhjet për pushtetin vendor 2019.

rama asamble

Pritet që në Asamblenë Kombëtare që do të mbahet ditën e premte, më 7 shtator, të kemi ndryshime në sekretariatin ekzekutiv, ku, përveç emrave, do të ketë dhe rregullime të funksioneve të tyre.

Burime pranë kryesisë socialiste thanë për gazetën “Panorama”, se gjatë mbledhjes së djeshme, nuk është folur për ndryshime në qeveri edhe pse lëvizja e ministrave mbetet kompetencë ekskluzive e Kryeministrit Rama. Por, do të jetë koordinatorja kombëtare për bashkëqeverisjen me qytetarët, Elisa Spiropali, e cila, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, do të paraqesë Raportin Kombëtar të Procesit të Bashkëqeverisjes deri më datë 31.08.2018. Por në mbledhjen e së premtes të Asamblesë Kombëtare, do të ketë dhe një raport mbi llogaridhënien publike të qeverisë “Puna për Shqipërinë që duam”, ku çdo ministër është ballafaquar me grupet e qytetarëve dhe shqetësimet që janë shprehur në to.

BASHKIAKËT

Kryesia e PS miratoi dhe axhendën e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, e cila në qendër do ketë punën e çdo kryebashkiaku dhe Këshilli Bashkiak dhe strategjinë e kësaj partie në këto zgjedhje. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, kreu i grupit të punës për analizën e punës së çdo bashkie, Ilir Beqja, do të prezantojë raportin ku janë marrë parasysh realizimi i programit për çdo bashki, investimet, shërbimet e ofruara për publikun, punën e administratës, mbledhjen e të ardhurave, por dhe shpenzimet.

Mësohet se në raport ka kritika për shumë bashki, por dhe vlerësime për disa nga bashkitë kryesore që kërkohen të merren si standarde të punë së të zgjedhurve socialistë. Në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore, PS do të nisë Fushatën Kombëtare “E gjithë vëmendja te Ju”, ku kryebashkiakët do të kalojë nëpër të gjitha njësitë vendore që përfshin bashkia e tyre për të dhënë llogari para qytetarëve. Do të jenë këto takime, që do të matin dhe aprovimin ose jo të punës së çdo bashkiaku.

Gjithashtu, asambleja do të miratojë dhe udhëzimin për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillave Bashkiake për zgjedhjet vendore 2019. Në funksion të një fitoreje të pastër në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, PS do të ngrejë një rrjet të mirorganizuar të strukturës së saj elektorale.

PARTIA

Por jo vetëm kaq; socialistët do të nisin dhe një analizë të strukturave të PS, ku pritet që disa nga drejtuesit e saj në degë të largohen për shkak të performancës së dobët të tyre. Kjo do të çojë në zgjedhje të reja në PS përmes parimit “një anëtar, një votë”. Por, kryesia e PS ka vendosur që të hapë një fushatë për të shtuar radhët e saj. “Partia Socialiste e hapur për Ty”, do të jetë fushata për të regjistruar më shumë se 30 mijë anëtarë të rinj në PS deri në fund të këtij viti.

Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Taulant Balla, pritet të paraqesë raportin mbi punën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në dy sesionet e para të kësaj legjislature, kryesisht në procesin legjislativ, por dhe të kontrollit të qeverisë, përmes interpelancave dhe takimeve të ministrave me komisionet parlamentare. Në mbledhjen e djeshme të kryesisë, u kërkua nga grupi strategjik për zgjedhjet lokale, në përbërje të të cilit janë Taulant Balla, Damian Gjiknuri, Blerina Gjylameti, Ditmir Bushati, Bledi Çuçi, Erion Veliaj, Elisa Spiropali dhe Gramoz Ruçi, që të finalizohet strategjia e PS për zgjedhjet vendore 2019.

AXHENDA E ASAMBLESË KOMBËTARE

  1. Raport Kombëtar i Llogaridhënies Publike të Qeverisë “Puna për Shqipërinë që duam”.
  1. Raport i Grupit të Punës të Asamblesë Kombëtare të Partisë: “Mbi performancën e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në qeverisjen vendore”.
  1. Udhëzim për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillave Bashkiake për zgjedhjet vendore 2019.
  1. Udhëzim për ngritjen e strukturave koordinuese elektorale për zgjedhjet vendore 2019.
  1. Raporti Kombëtar i Procesit të Bashkëqeverisjes deri më datë 31.08.2018.
  1. Raport mbi punën e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në dy sesionet e para të Legjislaturës IX.
  1. Informacion mbi punën e strukturave vendore të Partisë në raport me Axhendën Politike Vjetore të Partisë.
  1. Udhëzim për fillimin e Fushatës Kombëtare “E gjithë vëmendja te Ju”.
  1. Miratimi i strategjisë: “Partia Socialiste e hapur për Ty”.
  2. E drejta e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe informacion mbi ecurinë e Reformës Zgjedhore.
  1. Raport mbi gjendjen aktuale të Partisë dixhitale.
  2. Vendim për unifikimin e Regjistrit Dixhital të PS.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura