Nga njeriu te pasnjeriu, endërr apo realitet?

May 21, 2018 | 12:25
SHPËRNDAJE

ethemrukaPROF DR. ETHEM RUKA

Antibiotikët, avionët, satelitët, armët bërthamore, . televizioni, kompjuterët e gjeneratës së inteligjencës artificiale, teknologjitë e informacionit si: interneti, motorët e kërkimit, rrjetet sociale, telefoni celular pa kabllo, robotika, prodhimet e inxhinierisë gjenetike, si insulina, hormoni i rritjes, prodhimi i bimëve dhe kafshëve të modifikuara gjenetikisht, zemra artificiale, aparati kolear i dëgjimit, sy dhe krahë bionikë të komandueshëm nga sistemi nervor, e sa e sa produkte të tjera janë bërë pjesë e kulturës sonë të përditshme.

Thuajse çdo javë dëgjojmë për shpikje e hedhje në treg të pajisjeve të reja teknologjike, të cilat na ngjallin shpresë dhe na vënë përballë “analfabetizmit” tonë elektronik. Përballë këtij revolucioni teknologjik që ecën me shpejtësi marramendëse, natyrshëm pyesim veten se çfarë ndikimi ka teknologjia në të sotmen dhe të ardhmen tonë, në sfidat për përmirësimin e kushteve të jetës si dhe në mundjen e shqetësimeve shekullore për sëmundjet, plakjen dhe vdekjen.

Në këtë botë që sa vjen e globalizohet, në këtë botë kur shkenca dhe teknologjia ecën më shpejt nga sa e mendojmë dhe e kuptojmë, bëhet e domosdoshme të analizojmë me shumë kujdes produktet e saj duke parashikuar si të mirat, por edhe rreziqet që e shoqërojnë atë. Nga një trung peme mund të prodhojmë një numër të pafund kunja shkrepësesh. Me një kunjë të tillë mund të ndezim zjarrin për të pjekur bukën e gatuar, por po ashtu vetëm një prej tyre do të mjaftonte për të djegur të gjithë pyllin nga u mor trungu për përgatitjen e saj.

Çdo kohë nxjerr elitën e vet që di të analizojë e parashikojë. Bota vazhdimisht ka nxjerrë mendimtarë, të cilët kanë parë larg dhe kanë paralajmëruar për atë çfarë premton e ardhmja për njerëzimin. Këtu nuk bëhet fjalë për magjistarë të tipit të Nostradamusit, por për mendimtarë e shkencëtarë që i kanë dhënë njerëzimit forcën, dritën dhe kurajën e Prometeut të lidhur të Eskilit.

E kështu njeriu, ku bir i natyrës dhe shoqërisë, që lindi diku në Afrikën plot diell, rrugëtoi pa u lodhur deri sa pushtoi gjithë botën. Ai është produkt i evolucionit si gjithë qeniet e gjalla, por pa asnjë dyshim dhe i shoqërisë ku bën pjesë. Ne, falë inteligjencës jemi qenia me e ndërlikuar ndër të gjitha qeniet e tjera të gjalla. Falë inteligjencës, jo vetëm që kemi përmirësuar vazhdimisht kushtet e jetës, për i kemi dhënë vet jetës kuptimin dhe dinjitetin që meriton. Inteligjenca njerëzore është arma më e rëndësishme, por ndoshta edhe më e rrezikshme për njeriun.

Ajo e çliroi njeriun dhe po e largon gjithmonë e më shumë nga vargonjtë e biologjisë, duke e bërë të vetmen qenie që edhe pse nuk mund ta pengojë dot evolucionin darvinian, ka ditur dhe do të dijë ta ngadalësojë atë. Ne njerëzit jemi qenie të jashtëzakonshme, por jo perfekte. Ne tentojmë të përmirësohemi nga një njeri i mirë në një njeri edhe më të mirë. Evolucioni teknologjik ka qenë dhe mbetet një armë e fuqishme, e përmirësimit dhe rritjes sonë. Një njëri që mban syze e shikon egërsirën nga larg dhe e shmang atë. Kjo nuk ndodhte në foshnjërinë e shoqërisë njerëzore, kur syzet as që mund të imagjinoheshin. Shembull i thjeshtë, por që tregon rolin e teknologjisë në bashkëevoluimin teknologji-njeri.

Këtu e 30-40 vjet më parë, në Siklon Valley të San Françiskos filloi të zhvillohej industria e teknologjisë së lartë të gjysmëpërçuesve prej silici. Emërtimi Silikon Valley u përdor për herë të parë në vitin 1971 nga një gazetar vendës, për t´i dhënë kuptim përgjithësues përqendrimit të madh të ndërmarrjeve të gjysmëpërçuesve prej silici (silicon) në luginën Santa Klara të San Françiskos në Kaliforni. Qysh atëherë, Silikon Valley është bërë meka botërore e revolucionit teknologjik. Mbi 6000 kompani lider, ndër të cilat mund të përmenden Adobe system, Microsoft, Apple, eBay, Facebook, Google, Netfix, Netscape, Oracle, Yahoo etj.

Aty lulë- zojnë gjigantët e webit dhe ata numerikë, të paarritshëm sot për sot për internetin, motorët e kërkimit, pajisjet e regjistrimit të informacionit, për harduerët dhe softuerët, për rrjetet sociale, inteligjencën artificiale etj. Këta gjigantë e kanë shtrirë ndikimin e tyre në të gjithë botën dhe gati mbi gjithë qytetarët e planetit. Aty nuk ka përparuar vetëm teknologjia e lartë, por edhe filozofia që kërkon të shpjegojë ndikimin e saj në të sotmen dhe të ardhmen e njeriut dhe vetë shoqërisë njerëzore. Praktikisht, aty mori jetë rryma transhumaniste, si nevojë për të parashikuar ndikimin e teknologjisë në fatet e qenies njerëzore.

Kjo rrymë u përpunua akoma më shumë teorikisht në Universitetin e Oksfordit në kuadrin e projekteve për të ardhmen e njerëzimit. Më vonë pikëpamjet transhumaniste fituan terren në shumë vende të Europës dhe pak e nga pak edhe në kontinentet e tjerë. Sot pikëpamjet transhumaniste kanë nxitur debatin më të madh të mundshëm në qarqet shkencore, politike, filozofike, fetare, bioetike dhe qytetare për përmirësimin e njeriut e mbase të kalimit të tij nga faza njerëzore (humane) në atë pasnjerëzore (post-humane). Transhumanizmi mund të përkufizohej si një rrymë idesh dhe refleksionesh të iniciuara nga një lëvizje intelektuale, e cila synojnë të nxitë shkencën e teknologjinë për përmirësimin e llojit njeri, duke e çliruar atë nga kushtet biologjike.

Thelbin e transhumanizmit e përbën ideja se njeriu i sotëm “mund të rritet”, pra, të përmirësohet përmes arritjeve të shkencës dhe teknologjisë. Transhumanizmi nënkupton idenë e ndryshimit të vazhdueshëm (“trans”) në raport me gjendjen aktuale të qenies njerë- zore (“humain”). Atëherë si do të ishte më mirë, thonë transhumanistët, të mbetemi kështu si jemi apo të rritemi e të përmirësohemi drejt një qenieje të ardhshme post-humane më të arrirë.

Ky përkufizim duket tronditës dhe e tillë është. Thelbi i tij është të përgatisë njerëzimin e sotëm për shndërrimin gradual të shoqërisë njerëzore në atë pasnjerëzore, ndoshta deri në krijimin e hibrideve njeri-makinë. Sa të drejtë kanë transhumanistët dhe sa të drejtë kanë kundërshtarët e tyre? Kjo është një çështje e diskutueshme. Koha është ajo që do të japë përgjigjen më të mirë. Lëvizja transhumaniste ngjall shpresa e premtime shpesh në dukje utopike, por edhe shqetësime të justifikuara për të ardhmen.

Ajo tenton ta bjerë të ardhmen më afër realitetit të sotëm duke shpjeguar skenarët e mundshëm për një jetë pa kufi, të lumtur e të shëndetshme, për një progres të mundshëm në ekonomi, ekologji, edukim, shëndetësi e demokraci, si dhe për ta ndërtuar identitetin njerëzor sipas dëshirës së vet. Njeriu ka sfiduar vazhdimisht rreziqet dhe ka luftuar për të realizuar ëndrrën e vet. Sot ka ardhur koha të kalohet nga fantashkenca në realitet, ka ardhur koha që ëndrrat tona të marrin rrugë, ka ardhur koha të thyejmë shumë barriera biologjike dhe t´i japim njeriut më shumë jetëgjatësi, më shumë kualitet jete, më shumë inteligjencë, më shumë performancë fizike e psikologjike, më shumë liri e më shumë të drejta shoqërore.

*Rektor i Universitetit “Luarasi”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura