Nga një roje, në një shkencëtar, pse Lulzim Zeqja, s’do ta përsërisë kurrë veten

Apr 23, 2018 | 16:04
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Nga një Romeo, te një playboy, nga një dukë te një roje, nga një i marrë te një mendimtar, nga një luftëtar te një shkencëtar…

Ai mund t’i bëjë të gjitha, ndonëse përpara çdo roli të ri duhet të kalojë në kalvarin e përpëlitjeve dhe dyshimit se mos do të bjerë në përsëritje. Por kjo nuk ndodh, sepse për Lulzim Zeqjen nuk ka rol të madh apo të vogël, protagonist apo dytësor. Ai është i dashuruar pas profesionit të tij dhe çdo rol e trajton me po aq pasion dhe seriozitet si të jetë i pari dhe i fundit.NJ

AKTORI

Kush ka kaluar në rrugën “Abdi Toptani” apo siç njihet prej disa vitesh si “Pedonalja”, pa dyshim që ka hasur atypari shumë aktorë. Kjo, jo sepse aty pranë është Teatri Kombëtar dhe shpesh i sheh të kalojnë aty, apo të gjerbin një kafe në baret ane rruge, por sepse marrin një si “fryrje”, një lloj pompoziteti dhe një buzëqeshje mes arrogancës dhe sfidës, sikur duan të thonë: “Po, jam unë ai çuni/goca!”.

Po me shumë gjasë nuk jua ka zënë syri Lulzim Zeqjen. Jo se nuk kalon aty, po sepse ecja e tij nuk klith vëmendje. Për të mjafton skena. Aty ai ia del të jetë gjithnjë protagonist, edhe kur roli është dytësor. Madje, shumë rrallë e keni parë nëpër emisione televizive apo faqe gazetash, duke folur për veten. “Po ç’të them?! Unë jam një aktor në rritje… Kam shumë për të mësuar. Më duket si dje kur jam diplomuar”, thotë ai, ndonëse, që nga ajo dita e diplomimit, bëhen 17 vjet.

Dhe, gjatë këtyre 17 viteve, madje që prej kohës së shkollës, i është dashur të punojë shumë. Së shpejti bën 40 dhe lista e roleve të luajtura është e gjatë. Ka punuar me regjisorë shqiptarë e të huaj. Numërohen disa bashkëpunime me regjisorin Altin Basha, për të vijuar me Kiço Londo, Spiro Duni, Hervin Çuli, Ema Andrea, Ilir Bokshi, Robert Budina, Mihallaq Luarasi, Sesilia Plasari, Edino Mustafiç, Eric Vigner, etj..DG

Ka luajtur që nga skena e Akademisë së Arteve, në atë të Metropolit, të Komedisë, Eksperimentalit, ndërkohë që shumë role i ka realizuar në skenën e Teatrit Kombëtar. E konsideron me vlerë një 5– vjeçar kaluar në Itali, ku pati mundësi të punojë me regjisorë italianë e të mësojë më shumë mbi disiplinën në punë dhe kërkimin që i duhet një roli. E paskëtaj ka ndërtuar figura të spikatura, që e kanë bërë atë padyshim një nga aktorët më të mirë të Teatrit Kombëtar dhe ndër më të kërkuarit e regjisorëve.

Pa harruar se numëron edhe të paktën edhe 10 role në kinematografi, në filma me regji të Minarollit, Budinës, Xhuvanit, Alimanit, por edhe Angeliki Antoniu e Daniele Vicari. Puna është thelbësore për të. Nuk i pëlqejnë zhurmat e kota, “përçarjet mes llojit”, thashethemet dhe arroganca. Do të donte të punonte në një atmosferë më të shëndetshme se ajo ku punon tashmë, pa i vënë gishtin se i takon njërës apo tjetrës “palë”, të përballej me sfida të reja dhe të mos kënaqej e mjaftohej me “këto që na gjenden”. “Unë dua të jem i sinqertë me publikun, të punoj me regjisorë e kolegë të zgjuar prej të cilëve të kem ç’të mësoj, të dëgjoj kritikat e të tjerëve pa i marrë për personale, të mund të ballafaqohem me kolegë të mi përtej kufijve për të kuptuar se ku jemi, të marrim pjesë nëpër festivale…

Do të doja të kishte mes nesh një atmosferë dashurie, sepse tek e fundit, të gjithë luftojmë për të shpë- tuar artin”, thotë Lulzim Zeqja. E teksa e dëgjon të flasë kështu, të vjen ndër mend një nga thirrjet personazhit që ai interpretonte te “Rojat e Taxhit”: “E bukura do të jetojë!”.

“PËRPËLITJET” E NJË ROLI

Sa herë që merr në dorë një skenar të ri, jeta fillon e rrjedh ndryshe. Duhet të fillojë të mendojë si dikush tjetër, të jetojë me të dhe për të. Do të ishte fare e thjeshtë sikur vetëm të lexonte tekstin, por a mund të mos jetë i sinqertë me publikun?! Ai do ta kuptonte se nuk i ka hyrë në kockë personazhit… Një rol, nuk është një punë… Sigurisht ka role e role, ka nga ato që kërkojnë një impenjim të jashtëzakonshëm, që kërkojnë të vuash… Dhe ato përgjigjet standarde që japin rëndom aktorët se “çdo rol dhemb si gishtat e dorës”, i duken qesharake. Lulzim Zeqja është i vetëdijshëm se roli i Baburit te “Rojat e Taxhit” është padyshim më i miri që ai ka realizuar deri më sot. Një nga ato figura që të mbetet gjatë në mendje, që të bën të qeshësh me naivitetin e personazhit, të fluturosh me ëndrrat e tij dhe të përlotesh me dramën e madhe dhe fundit tragjik. Një nga ato figura që i ka dhënë aq shumë spektatorit, por që edhe i ka kthyer kaq shumë kënaqësi vetë aktorit. Mesazhe pa fund, falënderime, duartrokitje…

Por është pikërisht ky rol edhe më i “frikshmi” për të. Jo thjesht për përjetimin emocional, për gjendjen në të cilën kërkon të futesh, por te sfida e të qenurit një kulm. A do mundet ta kalojë dot atë?! Ishte kjo dilema që e shoqëroi gjatë gjithë kohës kur përgatitej për rolin e Henry Clervalit, një shkencëtari të ri, mik fëmijërie i Victor Fankesteinit në dramën “Frankeshtajn” me regji të Ilir Bokshit, që po shfaqet në Teatrin Kombëtar. Jo, nuk e fsheh se e mori me frikë.

Frika e rënies në përsëritje e ndiqte përgjatë gjithë kohës. Por kishte qenë një frikë e kotë. Pa dyshim që Henry i përket një tjetër kategorie nga ajo e Baburit. Ai është një shkencëtar dhe jo një roje pallati, por qëllon që të dy të jenë ëndërrimtarë. Henry, nuk e kishte menduar, por i përfshirë nga pasioni i kërkuesit dhe krijuesit, do të bënte gjithçka për shkencën, deri në fundin tragjik. Dhe këtu përkime ka, por aktori ia del të sjellë diçka të re, një personazh të gjallë, dinamik, stërpikur me nota humori. Për të qenë të sinqertë, nuk mund të themi se janë role me të njëjtën peshë, por dëshmi se kulmin Lulzim Zeqja e ka akoma përpara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura