Nga negociatat për Popajt, te refugjatët në Bari, ambasadori Dervishi rrëfen për krizën në ‘90

Jul 3, 2020 | 12:20
SHPËRNDAJE

Përpara “pushtimit” të ambasadave në 2 korrik 1990, kishte ndodhur shkëndija që ndezi revoltën e shqiptarëve.pjimage (2)

Familja Popa për vite u strehua në ambientet e ambasadës, deri sa për largimin e tyre u kujdes vetë Organizata e Kombeve të Bashkuara. Diplomati Dashnor Dervishi shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Itali, pikërisht në këtë kohë të vështira.

Plot 30 vjet më vonë nga ngjarja e ambasadave, Dervishi tregon për largimin e Popave, bisedimet me autoritetet italiane, ardhjen në Shqipëri të Havier Perez Dekuelarit, për të arritur te dyndja në ambasada dhe eksodi masiv, gjatë të cilit u larguan plot 200 mijë shqiptarë. Çfarë ndodhte përtej detit në valën e parë të largimeve e më pas kur refugjatët shqiptarë u kthyen në një shqetësim real për italianët.

Gjendja e mjeruar e shqiptarëve në stadiumin e Barit dhe revolta e diplomatit përpara medias italiane, që shënoi edhe kthesën në sjelljen e autoriteteve italiane ndaj të ikurve shqiptarë.Dashnor-Dervishi

DASHNOR DERVISHI

Zhvillimet në Shqipëri dhe ngjarjet në vende të ndryshme të Europës Lindore ndiqnin njëra-tjetrën. Më 25 dhjetor 1989, në Bukuresht ndodhi përmbysja e përgjakshme e regjimit dhe ekzekutimi i çiftit Çaushesku u shfaq në televizion. Por ngjarjet që po ndryshonin Europën, kishin trokitur shumë më herët në Shqipëri se në vendet e tjera të Lindjes. Në Ambasadën Italiane në Tiranë, që prej 12 dhjetorit 1985, kishin mbetur të ngujuar gjashtë pjesëtarët e familjes Popa dhe nuk kishte asnjë shenjë për zhbllokim të gjendjes.

Italia konsiderohej si partneri kryesor i Shqipërisë, por ngjarja në Ambasadën Italiane me familjen Popa, pothuajse i kishte ngrirë marrëdhëniet, megjithëse bëheshin përpjekje artificiale për ta injoruar atë, duke shpresuar në zgjidhjen nëpërmjet “lodhjes”. Dhe, në fakt, lodhja kishte dhënë efektet e saj. Përpara se të nisesha për në Romë, pata disa takime me ambasadorin italian në Tiranë, Giorgio de Andreis, në kuadrin e njohjeve dhe shkëmbimit reciprok të informacioneve. Ai kishte zëvendësuar ambasadorin Francesko Carlo Gentile, i cili kishte përjetuar fillimin e ngjarjes dhe ndjehej viktimë e asaj situate.ambasada1

Tek ambasadori De Andreis pashë lodhje dhe nervozizëm. Ai shprehte jo vetëm nervozizmin e tij, por edhe atë të pjesëtarëve të familjes Popa, me të cilët kohët e fundit pothuajse nuk arrinte të komunikonte. Nga të gjitha palët kishte një mungesë të madhe besimi. Nga ana tjetër, kishte humbur edhe besimi në gjetjen e një rrugëdaljeje, që në pamje të parë dukej se e dëshironin të gjithë. Them në pamje të parë, sepse zhvillimet treguan se ngjarja me familjen Popa ishte vetëm preludi i ndodhive të mëvonshme. Duhet theksuar fakti interesant se me gjithë ngjarjen në ambasadën italiane në Tiranë, dyndjet masive në ambasadë dhe të disa trageteve e mjeteve të tjera lundruese drejt Italisë, marrëdhëniet midis qeverive që pasuan njëra-tjetrën në Tiranë dhe asaj italiane, u karakterizuan nga një frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, që erdhi gjithnjë në rritje, deri në mars të vitit 1992. Dukej sikur zhvillimet dhe ndryshimet e mëdha në Shqipëri po i përjetonim të dyja vendet së bashku.

Në datën 19 dhjetor 1988, në një pritje zyrtare u njoha rastësisht me Flaminio Piçoli-n. Ai ishte i njohur në qarqet e së djathtës italiane dhe me lidhje në sferat e larta të Vatikanit. Së fundmi, ishte Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian.

Mbas disa takimeve dhe bisedave, gjatë pritjeve e darkave të organizuara në ambasadën tonë, Piçoli e mori me pasion angazhimin e tij për çështjen Popa dhe në përgjithësi nxitjen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Ai ndërmori shumë takime me autoritete të vendit, për t’u informuar për situatën. Organizoi disa mbledhje të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit, ku isha i ftuar edhe unë, ku paraqisnim gjendjen dhe jepnim alternativa. Në këto debate kishte pikëpamje të kundërta, mungesë informacioni dhe shprehje të qëndrimeve, sipas partive që përfaqësonin deputetët. Më tej, Piçoli mori miratimin e shumicës së Komisionit të Jashtëm dhe të vetë ministrit të Jashtëm, Giulio Andreotti, për të realizuar një takim direkt me qeverinë shqiptare, për zhbllokimin e gjendjes së krijuar.ambasada

Në atë kohë, përfaqësuesi më autoritar për problemet e politikës së jashtme në vendin tonë ishte Sofokli Lazri, këshilltar i Presidentit Ramiz Alia. Takimi i parë midis Sofokli Lazrit dhe Flaminio Piçoli-t u bë më 1 shkurt 1989, gjatë një dreke, në një ndarje të veçantë të restorantit të një prej hoteleve më të vjetra të Romës: hotel “Columbus” (Via della Conciliazione), pranë Vatikanit. Ulja në një tavolinë e dy të moshuarve, si përfaqësuesit më tipikë të dy sistemeve të kundërta, që për më se pesëdhjetë vjet kishin polemizuar nga dy ekstremet e Adriatikut, ishte domethënëse. Këtë radhë, u vu re se kërkonin respektin e njëritjetrit dhe pajtim. Takimi ishte i përzemërt. Me tone të buta dhe me dëshirën e të dyve për të gjetur zgjidhje, arritën me kompromis në formulat e pranueshme, duke përcaktuar edhe modalitetet përfundimtare të procedurave.

Praktikisht u ra dakord që Flaminio Piçoli, së bashku me një grup deputetësh të Parlamentit italian, me përfaqësim nga të gjitha partitë politike të pranishme në Parlament, të vinin në Tiranë me një avion të posaçëm, rreth muajit mars-prill. Brenda ditës, në kthim do të merrnin me vete edhe gjashtë pjesëtarët e familjes Popa. Ndërkohë, autoritetet shqiptare do të shoqëronin familjen Popa deri në aeroport, tashmë të pajisur me pasaporta shqiptare, për të udhëtuar jashtë vendit.2-Korrik-1990.-Hapja-e-Ambasadave-Dita-kur-shqiptarët-thyen-“murin-e-tyre-të-Berlinit”-Foto-Video-9

Gjatë bisedës u trajtua edhe çështja rrezikut të precedentit që do të krijohej me këtë rast dhe e problemeve që do të krijoheshin për të dy palët në të ardhmen. M’u krijua përshtypja se të dy ishin të ndërgjegjshëm për këtë, por e anashkaluan.

Pas kësaj, u morën të gjitha masat për organizimin e vizitës. Por kjo vizitë nuk u realizua, pasi ndërkohë çështja kishte kaluar përtej Atlantikut.

Më 16 maj 1990, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Perez de Cuellar, me origjinë nga Peruja, mbërriti në Tiranë me një avion me flamur të OKB-së, për të marrë pjesëtarët e familjes Popa dhe për t’i larguar përfundimisht nga Shqipëria.

Më vonë nuk u dëgjua më për familjen Popa, por mësuam për fundin e tyre të palavdishëm. Mbas dy muajsh, historia e tyre do të harrohej përfundimisht, sepse vendin e saj e zuri historia e hyrjes masive të njerëzve nëpër ambasada dhe emigrimet spektakolare me tragete në Adriatik, pamjet e të cilave mbushën faqet e gazetave dhe ekranet e televizorëve në të gjithë botën. Fati i regjimit të fundit socialist totalitar që kishte mbetur në Europë, ishte përcaktuar.

Në analizat që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen herë pas here në raste përkujtimore mbi proceset demokratike në Shqipëri, zanafilla përqendrohet në kalimet masive të mureve të ambasadave në Tiranë, si veprimi i parë i shpërthimit të dëshirës së shqiptarëve për liri e demokraci, që do t’u hapte rrugën të gjitha proceseve të mëtejshme, që sollën përfundimisht ardhjen në pushtet të një regjimi demokratik, më 22 mars të vitit 1992. Shkëndija e parë, sakrifica e gjashtë anëtarëve të familjes Popa, u la në harresë. Ashtu siç parandihej, por edhe siç ishte parashikuar nga kushdo që ndiqte nga afër proceset e ndryshimeve në shoqërinë shqiptare, ngjarja dramatike e familjes Popa në ambasadën italiane, që u pasua nga kapërcimi masiv i mureve të ambasadave nga rreth 5.500 qytetarë dhe largimi i tyre me gjashtë anije në drejtim të brigjeve të Italisë, i la vendin historisë së kapërcimit të Adriatikut me tragete dhe me çfarëdo lloj mjeti lundrues, që gjendej në bregun shqiptar. Në qoftë se në dy aktet e para, duke kapërcyer muret e ambasadave të huaja, në themel të rrezikut qëndronte dëshira për liri, në furinë që rrëmbeu mendjen e njerëzve për arrati nëpërmjet detit, më pas, qëndronte ëndrra për një jetë më të mirë, ëndërr, që për fat të keq vazhdon edhe sot.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve që zbarkonin në Itali, largoheshin për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, pavarësisht se midis tyre kishte edhe shumë të rinj që kërkonin më shumë liri, apo anëtarë familjesh të pakënaqura e të përndjekura politikisht nga regjimi komunist. Nga 2 korriku 1990, me hyrjen nëpër ambasada dhe nisjen e tragetit të parë, deri në fund të dhjetorit të vitit 1991, vazhduan largimet masive me çfarëdo lloj mjeti lundrues që gjendej në brigjet tona. Gjatë këtij eksodi të paparë deri në atë kohë, lanë vendin e tyre më shumë se 200.000 shqiptarë.

Megjithëse pritej, qeveria italiane u gjend e papërgatitur nga të gjitha pikëpamjet për të përballuar një fluks aq të madh emigrantësh. Ngado u shfaqen mungesat e organizimit në administrimin e kapaciteteve për sistemimin e tyre. Entuziazmi dhe propaganda në opinionin italian, për mikpritje dhe jetë më të mirë, filloi të bjerë dhe vendin e tyre e zunë dyshimet, pakënaqësitë dhe thirrjet për masa më të forta nga ana e qeverisë italiane për bllokimin e vazhdimit të këtij procesi. Nisi të qarkullojë mendimi se kjo ishte një ndërmarrje e organizuar nga Tirana, për të shfryrë rrezikun e trazirave që mund të plasin në Shqipëri.

Më 7-10 mars 1991, rreth 20.000 refugjatë shqiptarë të nisur nga porti i Vlorës dhe i Durrësit zbarkuan në portet e jugut të Italisë: në Brindisi, Bari, Otranto dhe Monopoli. Shqipëria dukej sikur ishte shkulur e gjitha nga rrënjët, për t’u zhvendosur në vendin fqinj, i cili nuk dinte ç’të bënte me ata dhjetëra mijëra njerëz të pashpresë, që kërkonin një jetë më të mirë në bregun matanë, ashtu siç e kishin parë në reklamat dhe filmat e transmetuar nga televizionet italiane.

Më 10 mars 1991 u nisa në jug të Italisë, për të parë nga afër gjendjen e krijuar, për të takuar si autoritetet vendore, ashtu edhe emigrantët. I shoqëruar nga miku im i vjetër, rektori i Universitetit të Barit, Attilio Alto, vizitën e parë e bëmë në bashkinë e qytetit. Atje na priste kryetari i bashkisë, Dalfino, dhe autoritetet kryesore vendore, si dhe kryetarët e grupeve kryesore të partive politike, të përfaqësuara në Këshillin Bashkiak. Më pas shkuam në Prefekturë. Prefekti De Mari na dha një pasqyrë të shpërndarjes së emigrantëve shqiptarë në të gjithë provincën e Puglias. Nga 19.409 shqiptarë që kishin mbërritur në Puglia deri në atë datë, në qytetin e Barit ndodheshin 2.173 prej tyre. Ata i kishin shpërndarë kryesisht në Bari, Triggiano, Cassano, Mola, Molfetta, Giovionazzo dhe Noicattaro. Grupi më i madh prej 1.200 vetash ishte sistemuar në disa hotele dhe konvikte të Monopolit. Autoritetet vendore dhe populli i këtyre zonave i mirëpriti të ardhurit, duke i ndihmuar ata me ushqime, veshje dhe strehim.

Bëmë disa vizita në qendrat e grumbullimit, për të parë nga afër kushtet e jetesës, ku vinim re një angazhim maksimal të strukturave të emergjencës italiane, por edhe përkushtimin e vullnetarëve të shumtë, të mobilizuar si për një situatë të jashtëzakonshme të rrezikut humanitar. Meqenëse ndihej nevoja e disa përkthyesve për komunikim, ramë dakord dhe u dërguam disa studentë dhe pasuniversitarë që ndodheshin në Itali, të cilët dhanë një kontribut të çmuar në ato ditë të vështira.

Opinioni i krijuar në Shqipëri se Skënderbeu kishte shpëtuar Italinë nga pushtimi otoman, se populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte strehuar ushtarët italianë për t’i shpëtuar nga hakmarrja e gjermanëve, se Shqipëria me daljen nga Traktati i Varshavës i kishte krijuar siguri Italisë në Adriatik, e të tjera si këto, nxiste pritshmërinë se në bregun tjetër do të priteshin me angazhimin maksimal për të shlyer një borxh historik. Në shtypin e ditës dhe në emisionet e televizioneve italiane, nisi të zërë gjithmonë e më shumë vend pasqyrimi i këtyre zhgënjimeve. Në 8 gusht 1991 ndodhi eksodi i dytë. Në historinë e shtegtimit me tragete do të mbetet e pashlyeshme ndodhia me anijen Vlora, që u nis nga Durrësi me rreth 10.000- 15.000 persona në bordin e saj dhe mbërriti në portin e Barit. Në të njëjtën kohë, disa anije të tjera me rreth 1.000 persona arritën në portin e Otrantos. Dy anijeve të tjera me rreth 675 persona u përpoqën të zbrisnin në portet e Sicilisë dhe në Maltë, por nuk mundën dhe u detyruan të ktheheshin në Shqipëri.

Por pritja e autoriteteve italiane këtë herë nuk ishte si ajo e marsit. Autoritetet portuale të Barit lejuan zbarkimin e turmave të shqiptarëve për arsye humanitare dhe i vendosën ata në kalatat e portit. Pas disa orësh, ata u transportuan në stadiumin “La Vittoria”. Të rrethuar nga forca të shumta të Policisë, ata nisën të shfaqnin shenja nervozizmi, madje edhe u rebeluan ndaj tentativave të Policisë për t’i kthyer mbrapsht me forcë.

Mbyllja në mjediset e stadiumit në kushte jonjerëzore nga të gjitha pikëpamjet, krijoi shumë probleme midis emigrantëve dhe forcave të rendit, deri në përdorimin e forcës. Mbi stadium vërtiteshin helikopterët që vëzhgonin gjendjen dhe bënin furnizimin nga lart me ushqime dhe ujë. Autoritetet italiane filluan riatdhesimin e detyruar, duke përdorur avionë ushtarakë të transportit dhe tragetet. Shqiptarët, të mbyllur në stadium, refuzonin që të ktheheshin në vendin e tyre. Rreth 300 prej tyre arritën të ikin nga stadiumi. Qeveria italiane mori vendimin për të ofruar 50.000 lira (rreth 40 dollarë amerikanë) për secilin që do të kthehej mbrapsht, por edhe ajo masë dështoi.

Ishte ditë e diel, 11 gushti i vitit 1991, kur me një telefonatë në shtëpi u njoftova se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit italian, Vittorio Parisi, kërkonte të fliste me mua. Gjatë bisedës, ai më kërkoi që ta shoqëroja në Bari, për të parë nga afër gjendjen e krijuar në stadiumin e qytetit, ku ishin grumbulluar emigrantët shqiptarë, që prej disa ditësh. Telefonata më kapi në befasi, ndaj, mbas disa pyetjeve të mia për sqarime të mëtejshme e për të fituar kohë, i thashë se do t’i jepja përgjigje pak më vonë. U lidha në telefon me Muhamet Kapllanin, në atë kohë Ministër i Punëve të Jashtme. Ai më tha që ta vlerësoja vetë situatën dhe të bëja si ta gjykoja se bëhej më mirë. “Këtu nuk ka njeri që të të thotë të shkosh ose jo…”, e mbylli bisedën ministri dhe miku im Kapllani.

Vendosa të shkoj, jo me qëllimin për t’u bërë thirrje bashkëkombësve të mi që të dilnin nga stadiumi e të ktheheshin në Shqipëri. Pa e ditur se çfarë do të bëja, në mendje më erdhi akti publik i një prifti kolumbian, i cili protestën e tij ndaj padrejtësive, dhunës së pushtetit, varfërisë dhe përkrahjen ndaj revoltës popullore e shfaqi direkt në një emision televiziv para kamerave, duke mohuar mantelin e tij të priftit.

Pas një ore isha në aeroportin e Ciampino-s, ku në një kapanon të mbyllur më priste Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Vitorio Parisi, dhe dy-tre funksionarë të tjerë, të shoqëruar nga një grup truprojash. Në avionin e vogël, ulur ballë më ballë me Parisin, gjatë gjithë fluturimit, pothuajse nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Përpara se të uleshim në aeroportin e Barit, Parisi më pyeti: Ç’do të bëjmë, ambasador? “Sipas situatës që do të shohim në vend”, iu përgjigja unë.

Nga aeroporti u drejtuam për në Prefekturë, për t’u njohur me gjendjen. Në zyrën e prefektit, së bashku me disa funksionarë ishte edhe një shqiptar, një djalë i ri që e kishin nxjerrë nga stadiumi për të marrë informacion. Ai shpjegoi se gjendja brenda stadiumit ishte tepër e acaruar, se disa djem të zemëruar kishin edhe armë dhe ishin gati të bënin gjithçka në rast të ndonjë ndërhyrjeje me forcë të policisë. Jo vetëm kaq, por ai tha se edhe nëse ndonjë kërkon të dalë e të kthehet mbrapsht, ata nuk e lënë. Ata i kërkuan djalit që të kthehej prapë në stadium dhe t’iu mbushte mendjen disa prej “kapove” që kontrollonin gjendjen, që të dilnin, me premtimin se do t’i linin të lirë të shkonin ku të dëshironin. Nga Prefektura u drejtuam për në stadiumin e Barit. Të mbrojtur nga shumë policë civilë, iu afruam sheshit përpara stadiumit. Gjendja ishte e mjerueshme. Stadiumi ishte mbushur me qindra emigrantë, të rrethuar nga kordonët e Policisë. Jashtë kordonit kishte me dhjetëra shqiptarë të tjerë, që kishin ardhur me tragetet e para, italianë kureshtarë dhe gazetarë. Në një moment, një djalë i ri brenda kordonit më thërret me emër. Ishte një fqinj nga lagjja ime në Tiranë. U nisa drejt tij, për të kaluar gardhin e policëve, me dëshirën për ta takuar, por truprojat më ndaluan. Ndërkohë, kamerat e televizioneve të shumta ndiqnin hap pas hapi çdo veprim tonin. Një gazetar më afrohet e më kërkon mendim për gjendjen e krijuar. “Shikojeni vetë gjendjen e mjerueshme, ajo nuk ka nevojë për koment”, ishte përgjigjja ime. Parisi, i cili e pa skenën, nga frika se mos situata mund të rëndohej më tej, m’u afrua e më tha: “Bën mirë të kthehesh ambasador, unë do të vazhdoj të bëj detyrën time”. Të nesërmen, në shtypin lokal të Barit, kjo ngjarje dhe kthimi im i papritur, do të pasqyrohej si “një gjest proteste i ambasadorit shqiptar në Itali”.

Të nesërmen, në datën 12 gusht 1991, i kërkova Kryeministrit italian Andreotti një takim urgjent. Më tha se më priste në shtëpinë-studio të tij, në rrugën Corso Vittorio 326. I shpjegova gjendjen e mjerueshme të emigrantëve, trajtimet antinjerëzore, që të kujtonin stadiumet e Santiagos në Kili, gjë që më shumë se çdo gjë tjetër, po prishte edhe imazhin e vetë Italisë. Me qetësinë dhe mënyrën e tij të të folurit nëpër dhëmbë, Andreotti më tha se ishin të detyruar t’i kthenin qoftë edhe për të dhënë një sinjal, që kjo punë të mbyllet me kaq, pasi sipas informacioneve që kishin, në Shqipëri po bëheshin grumbullime të tjera me emigrantë për t’u nisur drejt Italisë.

Pas dy ditësh, më 14 gusht 1991, gjatë një interviste në radio (tek emisioni “Anch’io”), Kryeministri Andreotti u shpreh publikisht për gjendjen e vështirë dhe të padëshiruar nga të gjithë, duke shpjeguar se “Provuam shumë trishtim, por duhet të dallojmë mirë çështjet personale nga ato publike. Ne nuk jemi në gjendje t’i vëmë në ngarkim italianëve, pasi ata nuk i dëshironin disa qindra mijëra shqiptarë. Pra, ata që nuk kanë gjetur punë duhet të largohen”.

Andreotti kujtoi se gjatë dyndjes së parë të refugjatëve, ai mori nën kujdes tre shqiptarë. “Unë nuk e bëra për t’u dukur, kur mora tre shqiptarë në ngarkim. Ata do të qëndrojnë këtu edhe për disa vjet. Unë e bëra këtë për të dhënë shembullin tim. Kështu, disa e ndoqën, por shumë pak, rreth 20 vetë. Ne duhet të mësohemi me këtë vend të varfër dhe fqinjë, prandaj duhet të hartojmë një plan ndihmash, qoftë edhe me ndërhyrjen e privatëve pasi të predikosh është shumë e thjeshtë, por t’i bësh gjërat ashtu siç duhet, ndeshesh shpeshherë me shumë vështirësi”. Mbas ngjarjes në stadiumin e Barit, qeveria italiane u mobilizua më shumë për ta trajtuar më me seriozitet dhe shqetësim dukurinë e dyndjeve masive nëpërmjet Adriatikut drejt brigjeve të Italisë. Ata e kishin kuptuar se kjo gjë nuk mund të përballohej duke mbrojtur brigjet italiane, por duke e ndaluar këtë dukuri që në Shqipëri. Në ato rrethana, u ngritën grupe pune në nivele të larta qeveritare, pati delegacione të shpeshta që shkonin e vinin, u organizua dërgimi i ndihmave, u vendos bashkëpunimi midis dy policive etj. Mbas kësaj, kalimi i Adriatikut nuk do të konsiderohej më si një sakrificë për një jetë më të mirë, por do të trajtohej si një emigracion i paligjshëm.

Më 13 gusht 1991, në mënyrë të papritur, Presidenti Cossiga ndërmori një udhëtim në Tiranë, ku u takua me homologun shqiptar Ramiz Alia dhe autoritetet e tjera të nivelit të lartë, në prani të mediave të shumta vendase e të huaja. Në këtë vizitë, Cossiga kishte marrë me vete ministren Boniver. Mëngjesin e datës 13 gusht, pas disa komunikimeve me Tiranën, rreth orës 11, avioni presidencial italian u nis nga Roma dhe mbërriti në Tiranë rreth orës 12:50. Për rreth 4 orë e gjysmë, ai pati takime me pothuajse të gjithë personazhet politike në Tiranë, përfshirë edhe Ramiz Alinë, gjatë drekës së shtruar prej tij në Pallatin e Brigadave.

Mesazhet e miqësisë dhe solidaritetit që përcillte vizita dhe mënyra se si u realizua ajo ishin kuptimplotë. Këtë e shprehu edhe vetë presidenti Cossiga përballë gazetarëve: “Vendimin për të ardhur në Shqipëri e mora sot në mëngjes, duke thyer protokollin, por në solidaritet me popullin shqiptar”. Ai shprehu keqardhjen për gjendjen e vështirë që u krijua në të dy vendet tona, nga dyndjet masive të shqiptarëve drejt brigjeve të Italisë dhe për vështirësitë e vetë refugjatëve. “Por Italia është e papërgatitur, nuk ka infrastrukturën e duhur për të përballuar këtë dyndje kaq të madhe…Erdha këtu, jo për t’ju mësuar se çfarë duhet të bëni, por për të njohur nga afër gjendjen. Ndryshimet e mëdha në Europë sollën edhe dukuri negative, pasojat e të cilave po i ndjemë edhe në Itali. Emigracioni nuk është zgjidhja e problemeve që ka Shqipëria…”.

Me kalimin e kohës, emigrantët shqiptarë, pasi kaluan fazën e parë të hutimit, që vinte nga mosnjohja e vështirësive, rregullave dhe ligjeve të forta, që mbajnë në këmbë një sistem të ngritur mbi pronën private dhe ekonominë e tregut, arritën të kapërcejnë vështirësitë, të fitojnë admirimin e punëdhënësve të tyre, në sajë të punës së palodhur. Ata arritën të integrohen në shoqërinë italiane shumë shpejt. Shumë prej tyre sot janë bërë pjesë e integruar në shoqërinë italiane, duke luajtur një rol të ndjeshëm në zhvillimin e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura