Nga ndërhyrjet në pasaporta deri te ato estetike, zbulohen teknikat e kalimit të kufijve të emigrantëve

SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Zbulohen teknikat që përdornin pesë grupet e trafikut të arrestuar një javë më parë nga Policia, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Panorama” mëson se grupi fillimisht mundohej të siguronte pasaporta autentike, që merreshin kryesisht në Bullgari, si pjesë e BE-së. Këto pasaporta, pasi siguroheshin, falsifikoheshin në një punishte të sajuar te “Kodra e Diellit” në Tiranë, në varësi të kërkesave nga emigrantët që kërkonin të emigronin në Britani, SHBA apo vende të BE-së.

Pasaportave u bëhej ndërhyrje në foton e personit dhe ato zëvendësoheshin me foton e emigrantit.

auto_Ardian-Corri-copy1521708819

Në këtë mënyrë, emigranti mund të lëvizte me to lirisht në vendet e BE-së, kryesisht në Britani. Por ndonjëherë nuk ishte e mundur që të behej ndërhyrja, për shkak të fluksit dhe kërkesave të mëdha. Në dosjen hetimore njihet një rast i veçantë i një personi të quajtur Izmir. Ky person kërkonte të udhëtonte drejt vendeve të BEsë.

I pandehuri, Luan Qyrku, i ka ardhur në ndihmë me një ide krejt ndryshe. Pasi ka siguruar pasaportën e një shtetasi bullgar, i cili ngjasonte me pamjet e Izmirit, e kanë dërguar këtë të fundit në Bullgari, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje estetike të thjeshtë.

Në këtë mënyrë, Izmiri dukej njësoj si personi që ia kishte blerë pasaportën dhe mund të lëvizte me të drejt vendeve të BE-së. Por si ky rast ka edhe të tjerë, që bëheshin kryesisht në Bullgari, ku edhe oferta për shitjen e pasaportës ishte e lartë. Disa pjesëtarë të tjerë të grupit ishin të ngarkuar që të shoqëronin emigrantët deri në destinacionin final.

Hyrje-daljet e shpeshta të tyre të pasqyruara në sistemin TIMS i kanë nxjerrë zbuluar. Grupet kriminale shqiptare bashkëpunonin edhe me shtetas të huaj, kryesisht bullgarë, të cilët prisnin dhe sistemonin emigrantët në vendet tranzite. Hetimet për këto grupe vazhdojnë ende, pasi dyshohet se pjesëtarët janë edhe më shumë.

ITINERARET

Tri linja për në Amerikë, po kaq për në Kanada dhe një linjë për në Mbretërinë e Bashkuar kanë qenë rrugët kryesore që ndiqnin të arrestuarit për emigrantët e paligjshëm. Linja e parë për të mbërritur në Amerikë niste nga Shqipëria drejt Italisë, më pas në Francë, në Meksikë dhe SHB.

E dyta niste nga Shqipëria, në Malin e Zi, në Serbi, Gjermani, Spanjë, Meksikë ose Kosta Rika dhe mbërrinin në SHBA. Linja e tretë që përdorej nga trafikantët ishte nisja nga Kosova, në Bullgari, Spanjë, nga ku më pas udhëtonin drejt Kosta Rikës e arrinin në destinacion në Amerikë.

Për të udhëtuar në drejtim të Kanadasë përdoreshin këto linja: Nisja bëhej nga Shqipëria drejt Malit të Zi, më pas në Serbi, në Gjermani, në Spanjë dhe në aty përdoreshin dy linja, e para direkte drejt Kanadasë, ndërsa e dyta kalonte fillimisht nga Spanja në Panama e më pas në Kanada.

Rruga tjetër niste po nga Shqipëria, në Kosovë, në Bullgari, në Spanjë dhe më pas në Kanada.

Ndërsa linja tjetër niste po nga Shqipëria drejt Kosovës, në Belgjikë, në Republikën Dominikane dhe nga aty në Kanada. Për të udhëtuar në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar përdorej vetëm një linjë. Niste nga Shqipëria, në Mal të Zi, Serbi, Gjermani, Spanjë dhe nga aty direkt në Britaninë e Madhe.

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakRama e nis ditën me buzëqeshjen prekëse të Arjanës, ja historia që tregon
Artikulli tjetër"Një mal me borxhe", shqiptarin me 3 fëmijë e dëbojnë nga Zvicra

S'KA KOMENTE

Comments are closed.