Nga muze i diktaturës në qendër dixhitale, si do transformohet Piramida

May 19, 2022 | 13:54
SHPËRNDAJE

E ndërtuar përpara tri dekadash, fillimisht si muze për diktatorin Hoxha, funksionet e Piramidës kanë ndryshuar me kalimin e viteve, duke u kthyer në hapësirë për panaire, sallë konferencash dhe qendër kulturore.

1652889117_piramida2

Pas vitesh të tëra lënë në harresë të plotë, Piramida do të marrë shumë shpejt formë të re, tanimë si qendër teknologjike dixhitale, ku të rinjtë do të kenë mundësi të zhvillojnë ambiciet e tyre në fushën e IT, robotikë e dizajn. Kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe kreu i bordit drejtues të Fondacionit Shqiptaro-amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, inspektuan një ditë më parë punimet e ndërtesës ikonë, e cila do të përshtatet me ambiente polifunksionale, duke u shndërruar në qendrën më të madhe të teknologjisë në rajon.

PROJEKTI

Dikur simbol i regjimit totalitar, sot Piramida e Tiranës po merr formën e një qendre të jashtëzakonshme, që do të shërbejë si pika më e madhe e teknologjisë kreative në Ballkan. Gjatë inspektimit të punimeve me Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tregoi disa nga detajet e projektit që po merr jetë çdo ditë.

“Kemi 16 kuba individuale, të cilat duken sikur janë të ‘hedhura’ nga dora e një fëmije, që ngjasojnë me lojën e njohur LEGO. Ideja është që këto hapësira do të jenë për përdorime të ndryshme, në funksion të vizitorëve të Piramidës; do të ketë kompani të IT-ve dhe ‘Start-up’. Sa i përket hapësirës, kemi mbjellë gati 200 pemë, të cilat janë të rritura, ashtu si në sheshin ‘Skëndërbej’. Kalimi nga Kryeministria në bulevard do të jetë në formën e një pylli. Kemi mbaruar thuajse 90% të punës”, shpjegoi Veliaj.

Ndërkohë, Kryeministri Rama vlerësoi punën e deritanishme dhe u interesua mbi elemente të veçanta të projektit. Qendra e re, projekt i studios së famshme holandeze MVRDV, do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim. Sipas projektit të rijetëzimit, Piramida do të ketë 18 salla, ku të rinjtë mund të studiojnë IT, robotikë, dizajn, si dhe 14 klasa në natyrë.

‘Kambana e Paqes’

Instalacioni “Kambana e Paqes”, e vendosur para Piramidës, u shndërrua në një atraksion për Tiranën dhe një kujtesë për të kaluarën e hidhur të trazirave të ’97. Por, me punimet që do të kryhen, tanimë ajo do të rikthehet në vendin e saj, pas përfundimit të punimeve për transformimin e Piramidës në një nga qendrat më të mëdha të teknologjisë së informacionit.

“Kambana e Paqes” është krijuar nga shkrirja e fishekëve të përdorur gjatë trazirave të vitit 1997 pas rënies së firmave piramidale, ku qindra njerëz humbën jetën. Fëmijët e komunitetit katolik të Zadrimës mblodhën fishekët dhe monumenti u ngrit me iniciativën e ish-Presidentit Rexhep Mejdani dhe ishministrit të Kulturës Edi Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura