Nga Moska në Tiranë me 250 mijë euro fshehur në trup, izraeliti: I doja sepse…

Mar 12, 2018 | 12:35
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Një shtetas izraelit është ndaluar dje në aeroportin e Rinasit, pasi iu gjetën të fshehura në trup një shumë e konsiderueshme parash.

52c13888-a5d4-4536-af2c-3be3aa95c06c

Mësohet se shtetasit të huaj iu gjetën 250 mijë euro, të padeklaruara gjatë një kontrolli nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Doganën e Rinasit.

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se shërbimet e Policisë Kufitare ushtruan kontroll fizik ndaj shtetasit izraelit Efim Reichman, 49 vjeç, në hyrje dhe në këtë formë u arrit të zbulohen paratë e fshehura. Burimet thanë se janë gjetur dhe sekuestruar 500 kartë- monedha euro të prerjes 500- she.

Paratë janë sekuestruar deri në përfundim të hetimeve dhe përcaktimin e saktë të origjinës. Reichman kishte udhëtuar nga Moska në drejtim të Tiranës dhe në momentin që është marrë në pyetje nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Doganave nëse kishte apo jo të holla për të deklaruar, ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë.

Por pas kontrollit fizik i janë zbuluar paratë dhe ai është shprehur se nuk e dinte që duhej të deklaroheshin, megjithëse limiti i parave që mund të mbahen kesh pa u deklaruar, nuk duhet të kalojë 10 mijë eurot. Disa ditë më parë, në Rinas zbritën edhe dy shtetas izraelit, bashkëshortë, të cilët kishin 290 mijë euro, por i kishin të deklaruara.

DESHMIA

Policia e Shtetit tha dje se ka nisur procedim penal në gjendje të lirë dhe ka referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës për shtetasin izraelit Efim Reichman, 49 vjeç. Ai akuzohet për “Mosdeklarim në kufi të të hollave dhe sendeve me vlerë”.

Burimet thanë se 49-vjeçari me banim në Izrael kishte udhëtuar nga Moska dhe është ndaluar pas kontrollit fizik në aeroportin “Nënë Tereza”. Ai është shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Rinasit, ku është marrë në pyetje për origjinën e parave dhe arsyen pse nuk i kishte deklaruar më parë 250 mijë eurot.

Mësohet se shtetasi i huaj ka thënë se paratë i kishte për të bërë biznes në Shqipëri dhe nuk e dinte se duhej t’i deklaronte. I pyetur se për çfarë biznesi bëhej fjalë, ai ka thënë se do të hapte një klinikë dentare në Tiranë.

Megjithatë, deri në përfundim të hetimeve paratë do mbahen të sekuestruara. Policia ka nisur verifikimet për vërtetësinë e deklarimeve të tij dhe identifikimin e personave, me të cilët ai pretendon se do të bashkëpunonte në Shqipëri.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura