Nga miratimi i Kodit Etik tek shtyrja e rregullores për primaret, Paloka zbulon vendimet e Këshillit Kombëtar: Aksioni opozitar do të përfshijë greva dhe protesta

Sep 26, 2022 | 20:46
SHPËRNDAJE

Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka zbuluar vendimet e marra gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së këtë të hënë.

paloka

Gjatë një deklarate pë media në përfundim të takimit, Paloka zbuloi se anëtarët e Këshillit Kombëtar miratuan Kodin Etik dhe rregulloret për funksionimin e brendshëm të organeve qëndrore dhe lokale të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, ai bëri me dije se rregullorja për primaret e zgjedhjeve lokale u shty për tu diskutuar të shtunën e ardhshme në mbledhjen e radhës së Këshillit Kombëtar.

Paloka shtoi se gjatë takimit të sotëm u diskutua dhe vijueshmëria e aksionit opozitar që do të përfshijë protestat grevat dhe takimet me qytetarët.

“Me vendim të Kryesisë u futën në rendin e ditës miratimi i Kodit Etik të Partisë Demokratike si dhe disa rregullore. Rregullorja për funksionimin e organeve qëndrore të Partisë Demokratike, rregullorje për funksionimin e degëve të Partisë Demokratike dhe më e rëndësishmja rregullorja e primareve për pushtetin lokal.

U miratuan rregulloret e para dhe Kodi Etik, ndërkohë që pati një propozim nga anëtarët e Këshillit Kombëtar, që rregullorja për primaret, pra zgjedhja e kandidaturave për pushtetin lokal të shtyhet në një kohë tjetër me qëllim që anëtarët të njihen më mirë me përmbajtjen e kësaj rregulloreje dhe pastaj dhe për diskutimet e ardhshme që pritet të bëhen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar, e cila u vendos të jetë këtë të shtunë. Meqënëse statutI parashikon 5 ditë para nga njoftimi.

Pati diskutime mbi aksionin opozitar dhe u ra në dakordësi që sa më shpejt duhet të organizohet jo vetëm protesta por një shumëllojshmëri aktivitetesh, përfshirë këtu grevat e grupeve sociale të cilët do të kontaktohen nga ne. Duke vazhduar me grupet e tjera sociale si mjekët dhe mësuesit, me qëllim që aksioni opozitar të ketë një shumëllojshmëri veprimesh që do të përfshijnë grevat protestat dhe një mori aktivitetesh që do të nisin me takimet kokë më kokë për të vijuar me këto që unë thashë. Data e protestës është një çështje burokratike pasi fillimisht duhet që kjo mori aktivitetesh të organizohet dhe të ketë rezultat aksioni opozitar”, tha Paloka.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura