Nga mesazhet për të korruptuarit te largimi demonstrativ i Yuri Kim dhe Luigi Sorecës kur fjalën e mori Ilir Beqaj/ Çfarë ndodhi dje me donatorët, zbardhen prapaskenat

Nov 25, 2021 | 9:34
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Në një nga takimet më serioze dhe të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme, atë të konsultimit me donatorët, pati dhe surpriza të pazakonta.

prapaskaena1

Në prani të shumë ambasadorëve dhe përfaqësuesve të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, u largua nga salla sapo fjalën e mori Ilir Beqaj. Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-deputet i PS-së deri në shtator të këtij viti, Beqaj është emëruar nga qeveria drejtor i Agjencisë Koordinuese të Ndihmave të Donatorëve. Mësohet se fjala e Beqes nuk ka qenë përfshirë në axhendën e takimit të djeshëm, duke dalë kështu nga programi i përcaktuar i aktivitetit.

Mësohet se kjo ka qenë ana formale që e ka nxitur ambasadoren amerikane të largohet nga takimi para mbarimit të tij. Në momentin që Ilir Beqaj ka marrë fjalën në takim, gjë që nuk ishte parashikuar në axhendë, ambasadorja amerikane duket teksa mbyll dosjen. Në pamjet e ofruara nga regjia qendrore e Ministrisë së Brendshme nuk fokusohet momenti kur ambasadorja Yuri Kim në shenjë demonstrative është larguar nga salla pak sekonda pasi Beqaj ka nisur fjalimin e tij. Por burime diplomatike konfirmojnë se ambasadorja pasi ka mbyllur dosjen është ngritur nga karrigia dhe ka lënë sallën.

Në fotot e marra nga ky moment i takimit, ambasadorja Kim, pasi ka mbledhur sendet e saj, dosjen, syzet, komunikon me ministrin Çuçi në mënyrë jodakordësuese, pak para se të largohet nga salla. Gjatë gjithë fjalës së Ilir Beqes në pamje nuk fokusohet në asnjë moment ambasadorja e SHBA-së dhe as karrigia e saj e boshatisur. Madje edhe në mbyllje të takimit, në planin e madh që fokusojnë kamerat shfaqen vetëm donatorët dhe jo paneli i të ftuarve që ishin ulur pranë ministrit Çuçi dhe ambasadores Yuri Kim.

Nuk dihet nëse largimi i ambasadores Kim nga salla përputhet me temën e diskutuar në të, siç ishte rreziku i pastrimit të parave në Shqipëri përmes grupeve kriminale dhe korrupsionit. Po ashtu burime konfirmuan se të njejtin qëndrim si Yuri Kim ka mbajtur edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Edhe ky i fundit është larguar në mënyrë demostrative nga salla sapo Ilir Beqaj ka nisur të mbajë fjalimin e tij.

Projekti i Agjencisë së Donatorëve u kundërshtua nga strukturat e Delegacionit të BE-së në Tiranë, të cilat dolën kundër centralizimit të kësaj mbështetjeje në një dorë të vetme. Për nga rëndësia dhe buxheti, agjencia është gati si një ministri e re, e cila do të menaxhojë rreth 1 miliard euro në vit. Krijimi i Agjencisë Shtetërore të Planifikimit Strategjik dhe Ndihmës së Huaj u miratua nga qeveria në fund të tetorit.

Ilir Beqaj është akuzuar nga opozita si njeriu që firmosi koncesionet e para PPP në shëndetësi gjatë mandatit të tij si ministër i Shëndetësisë, në shtator 2013, ndërsa Kryeministri Rama e largoi atë nga ministër në mars 2017. Beqaj u akuzua se favorizoi klientë të qeverisë me koncesionet e “Check Up”-it, sterilizimit apo dializës, ndërsa afati i tyre është 10-vjeçar.

Beqja, nga ministër i PPP-ve në menaxhuesin e 1 miliard eurove

Ilir Beqaj u emërua ministër i Shëndetësisë në shtator të 2013 në kabinetin Rama 1. Ai u vu menjëherë në qendër të akuzave pas koncesioneve të para që firmosi në krye të Shëndetësisë, me PPP të tilla si “Check Up”, hemodializa apo ai i sterilizimit. Në mars 2017 Kryeministri Rama e angazhoi atë vetëm me pozicione partiake, si i deleguar politik në disa qarqe. Në zgjedhjet e 25 prillit, Beqaj nuk mundi të siguronte mandatin e deputetit në qarkun e Shkodrës, ndërsa kreu i qeverisë përmes një strukturimi, i ngriti Drejtorinë e Donatorëve pranë Ministrisë së Financave në një Agjenci për të emëruar në krye të saj Ilir Beqen, një post me fuqi dhe buxhet sa një ministri. Sipas Partisë Demokratike, Beqaj do të jetë në krye të Drejtorisë për Menaxhimin e Fondeve të Donatorëve, njësoj si një ministër pa portofol.

“Agjencia në fjalë, njësoj si 2 agjencitë e tjera, është thjesht një kod për të fshehur punën reale që ato do të bëjnë. Pra, Agjencia do të ndërtojë politika, do të menaxhojë fonde, do të jetë një Ministri e re e Financave. Kjo sajesë, njësoj si Agjencia e Mediave dhe ajo e Bashkëqeverisjes, do të jenë hambari i punësimeve politike dhe partiake, që do të zhvlerësojnë dhe shumëzojnë me zero infrastrukturën dhe paratë e shpenzuara për punësimin e administratës civile. Së fundi, jo nga rëndësia, kjo Agjenci do të distancojë qytetarët dhe përfituesit nga entitetet që ofrojnë fondet. Kjo agjenci e sajuar është për të mbivendosur funksionet, kuptohet, për interesa klienteliste dhe korruptive”, deklaronte pak kohë më parë deputetja e PD-së Jorida Tabaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura