Nga maskat, daljet pas orës 20:00 dhe udhëtimi në makinë me persona jashtë familjes, ja sa gjoba vendosi Policia në fundjavë

Feb 22, 2021 | 15:23
SHPËRNDAJE

Ndërkohë që numri i infektimeve me koronavirus në vend nuk po njeh ulje, edhe policia e shtetit ka intensifikuar kontrollet dhe ka shtuar gjobat për qytetarët që thyejnë rregullat dhe nuk mbajnë maskë.

Gjatë fundjavës, shërbimet e Policisë kanë gjobitur 2986 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, 2958 prej tyre për mosvendosjen e maskës mbrojtëse.

“Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar 530 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve në fundjavë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 4 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë: 1 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 1 në Sarandë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 24 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00”, tha policia.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura