Nga “Makbeth” tek “Equus”, cilët janë aktorët që kthehen në skenë

Jun 29, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Edhe pse ende pritet vendimi i Bordit Artistik, në Teatrin Kombëtar po përgatiten dy vepra “kandidate” për sezonin e ri 2016-2017.

Regjisori boshnjak, Edino Mustafiç, gjatë audicionit
Regjisori boshnjak, Edino Mustafiç, gjatë audicionit

Bëhet fjalë për dy vepra të mëdha, njëra klasike e tjetra bashkëkohore, por që të dyja i flasin kohës dhe trajtojnë tema të mëdha, si etja për pushtet, raporti i njeriut me fenë etj. Bashkë me to, pritet të kthehen në skenën e Teatrit Kombëtar edhe emra aktorësh që nuk kanë qenë edhe aq aktivë në skenë.

Luli Bitri
Luli Bitri

Pas audicioneve të zhvilluara, pas thirrjes së hapur nga Teatri Kombëtar, dje u shpallën aktorët e përzgjedhur për tragjedinë “Makbeth” nga William Shakespeare, me regji të Kledi Kapexhiut dhe “Equus” nga Peter Shaffer, me regji nga regjisori i mirënjohur boshnjak Edino Mustafiç. Kapexhiu, i cili po ndërmerr një sfidë jo të vogël, duke tentuar (ende nuk është aprovuar) të vërë në skenë një nga tragjeditë më të mëdha të të gjitha kohërave, ka përzgjedhur për rolet kryesore aktorë nga brenda dhe jashtë institucionit të Teatrit Kombëtar, të cilët viteve të fundit kanë realizuar role të rëndësishme.

Arben Derhemi
Arben Derhemi

Janë një brez aktorësh të formuar tashmë, që ngjan se mund t’u rrinë mirë rolet e përzgjedhura, as të vjetër sa të jenë velur nga pushteti, por as aq të rinj, sa që t’i tremben atij. Janë në moshën e ambicies. Kështu, për rolin e Makbethit ka përzgjedhur Indrit Çobanin, për rolin e gjakatares Ledi Makbeth ka përzgjedhur një aktore të shkëlqyer komedie, Olta Dakun, për çiftin Makdaf ka përzgjedhur Laert Vasilin e Adelina Muçën etj.

E megjithatë, nga ana e drejtorit të TK, Hervin Çuli, sqarohet se “kjo vepër e përzgjedhur si projekt në zhvillim (work in process- audicione) do t’i nënshtrohet vlerësimit përfundimtar të Bordit Artistik në mbledhjen e radhës, ku do të vendosen veprat për sezonin artistik 2016-2017″.

tab

I pranishëm personalisht gjatë audicioneve të zhvilluara disa ditë më parë, regjisori Edin Mustafiç ka përzgjedhur për rolet kryesore dy aktorë të rinj, Igli Zarka e Linda Jarani, që do të mbështeten me lojën e aktorëve Luli Bitri, e cila rikthehet në Teatrin Kombëtar pas rolit të Charlote Corday në dramën e muzikuar “Vrasja e Maratit” me regji të Arben Kumbaros. Që prej “Vrasjes së Maratit”, nuk është parë në skenën e Teatrit Kombëtar edhe Arben Derhemi, i cili po ashtu është përzgjedhur për të interpretuar në dramën e Peter Shaffer.

Ema Andrea
Ema Andrea

Në kastin e zgjedhur nga Mustafiç, është edhe Ema Andrea, vepra e fundit e së cilës, në TK, ka qenë “Edipi Mbret”, por edhe Lulzim Zeqja e Eriona Kakeli, që ndryshe nga aktorët e mësipërm kanë qenë tepër aktivë kohët e fundit. Edhe për këtë vepër, Çuli sqaron se “do t’i nënshtrohet procesit të përzgjedhjes së veprave për sezonin 2016-2017 nga Bordi Artistik i Teatrit Kombëtar.

Në rast se vepra e kalon procesin e përzgjedhjes nga Bordi Artistik, nuk përjashtohet mundësia e aktorëve dublantë, nëse regjisori Mustafiç do ta quante të nevojshme”. “Equus” është një vepër provokative, që e ka marrë nxitjen nga një ngjarje e vërtetë, e ndodhur vite më parë, kur një 17-vjeçar verboi 6 kuaj, në një qytet të vogël, pranë Suffolkut. Prej këtu lindi ideja e një vepre që të vinte në diskutim tema që lidhen me raportin e njeriut me fenë, ritualet, sakrificat etj.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura