“Nga lufta ndaj italianëve, te mikrofoni i Radio-Vatikanit, ku për 40 vite u foli shqiptarëve kundër komunizmit dhe Enver Hoxhës… “/ Historia e panjohur e priftit nga Shkodra

Jan 21, 2022 | 7:14
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI/ Publikohet historia e panjohur të Dom Zef Shestanit, me origjinë nga qyteti i Shkodrës, i cili pasi përfundoi mësimet në Kolegjin Saverian në vendlindjen e tij, shkoi në Padova të Italisë, ku studioi për gjashtë vite me radhë dhe në 1935-ën u diplomua, për Teologji në universitetin e atij qyteti, nga ku ai do të emërohej në qytetin e tij të lindjes në Shkodër, me detyrën e ndihmës – Famullitarit, në Kishën e Shën–Kollit të Lagjes “Rus i Vogël”, ku deri në atë kohë kishte shërbyer Dom Mikel Koliqi, i cili u ngarkua me detyrën e Famullitarit të Shkodrës.

memorie

Angazhimi i Dom Zefit, në punën për edukimin e të rinjve të atij qyteti, me rrethet jashtëshkollore të grupuara në “Shoqërinë Antoniane” dhe atë të “Veprimit Katolik”, ku së bashku me At Gjon Shllakun që ishte diplomuar për Teologji dhe Filozofi në Austri, u bënë idhujt e rinisë shkodrane, të cilën përveç mësimeve fetare, ata e edukuan me dashurinë për atdheun. Dëshmitë e rralla të Zef Stakut, një prej miqve të ngushtë të Dom Shtestanit, në periudhën e pushtimit të vendit, i cili tregon se si nën drejtimin e tij, ata firmosën peticionin, kundër priftit italian Fulvio Cordignano dhe më pas në ilegalitet të plotë, ata shtypnin e shpërndanin revistën “Zani i Lirisë” që kishte përmbajtje antifashiste. Angazhimi i Dom Zefit, në Lëvizjen Antifashiste në rrethin e Shkodrës, ku së bashku me miqtë e tij të ngushtë, Dr. Bahri Kopliku, Lec Kurti, Ymer Lutfia, Frederik Shiroka, Zef Pali, Prenk Kaçinari e Rruzhdi Daca”.

Ai doli në mal, duke luftuar kundra pushtuesve italianë. Largimi i tij nga Shqipëria në vitin 1944, për t’u vendosur në Itali, ku për gati 40 vite me radhë, ai drejtoi redaksinë e Seksionit të Gjuhës Shqipe, në Radio-Vatikani, të cilin e mbajti deri në vitin 1988, kur u largua që andej për arsye moshe dhe në vend të tij, u emërua Gjon Gjonmarkaj.

“Laudetus Jezu Cristus”. ‘Ju flet Radio Vatikani në gjuhën shqipe’. Për afro 40 vite me radhë, me zërin e tij karakteristik, ai i’u foli shqiptarëve, nga përtej Adriatikut, ku ishte vendosur që nga mbarimi i Luftës. Dom Zef Shestani, prifti rebel, që braktisi ‘Shtëpinë e Zotit’, për t’u bashkuar me çetat nacionaliste, duke mbajtur mbi veladon, pushkën me të cilën luftoi kundër italianëve, në marsin e vitit 1951, u thirr në ‘Radio- Vatikani’, për të drejtuar ‘Seksionin e Gjuhës Shqipe’. Ajo ishte e vetmja Radio, që mbajti gjallë shpresën te besimtarët katolik në Shqipëri, duke i bërë “presion” regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili e konsideronte atë Radio, si “armikja kryesore” para SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.

Kush ishte Zef Shestani?

Ai u lind në Shkodër më 25 qershor të vitit 1912, në një familje qytetare, ku prindërit e tij, besimtar të njohur në të gjithë qytetin, vendosën ta dërgojnë Zefin në Kolegjin Saverian, që asokohe njihej si një nga shkollat më cilësore në të gjithë Ballkanin e më gjerë, pasi veç të tjerash, aty shërbente një trupë pedagogjike që ishte lauruar në universitetet, më të njohura teologjike e laike që kishte Europa. Pasi Zefi mbaroi edhe studimet e shkollës së mesme në atë kolegj, eprorët e tij, vendosën dhe e dërguan për të ndjekur studimet e larta fetare, në Padova të Italisë. Sistematik në programet mësimore, me vullnetin e këmbënguljen që admirohej prej të gjithë bashkëmoshatarëve të tij, që studionin në atë universitet, Zef Shestani, do të mbaronte studimet, aty nga mesi i vitit 1935. Nga fundi i vitit 1935, ai largohet nga qyteti i Padovës, pasi nga hierarkia kishtare, ai do të emërohej në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, me detyrën e ndihmës – Famullitarit, në Kishën e Shën–Kollit, të Lagjes “Rus i Vogël”. Në atë detyrë, Dom Zef Shestani, u caktua pas emërimit të Dom Mikel Koliqit, në detyrën e Famullitarit të Shkodrës. Pak ditë pas mbërritjes në qytetin e tij, në pragun e Krishtlindjeve, ai do të celebronte meshën e parë, pikërisht në ditën e parë të vitit të ri 1936. Që nga ai moment, Dom Zef Shestani do t’i përkushtohej me shpirt një veprimtarie të gjithanshme, në qytetin e kulturës dhe me tradita të lashta, duke përçuar te njerëzit, përveç fjalës së Zotit, edhe pasionin e tij, për edukimin e brezit të ri, që bënin pjesë në rrethet shoqërore të “Shoqërisë Veprimi Katolik”, që ai kishte marrë përsipër të drejtonte. Së bashku me At Gjon Shllakun, që drejtonte “Shoqërinë Antoniane”, të cilët për vite me radhë, u bënë edhe idhujt e rinisë shkodrane, për veprimtarinë e tyre në edukimin e të rinjve, për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar.

Denoncoi priftin Fulvio Cordignano dhe doli në mal, duke luftuar kundra pushtuesve italianë!

Përveçse një klerik i përkushtuar, Zef Shestani, ishte edhe një nacionalist i flaktë dhe përbën një rast të rrallë, pasi ai braktisi urdhrin fetar, që i ishte ngarkuar nga Selia e Shenjtë e Vatikanit dhe me pushkë në krah, mbi veladonin e zi, doli në mal për të luftuar kundër pushtuesve italian. Lidhur me veprimtarinë antifashiste të Zef Shestanit, njëri prej miqve dhe shokëve të tij më të afërt, Zef Staku, nga qyteti i Shkodrës, kujton: “Kur për herë të parë hyra në odën e Dom Zefit, në ish-qelën e Famullisë së Shkodrës, ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte një citat i shkruar latinisht, që ishte qëndisur në pjesën e sipërme të flamurit kombëtar kuq e zi, ku thuhej: ‘Dulcem et decorum est pro Patria mori’ (E ëmbël dhe e bukur është të vdesësh për atdhe). Isha 18 vjeç atëhere. U miqësuam menjëherë. Them u miqësuam, pasi mua dhe shokët e mi moshatarë, Dom Zefi, me gjithë që i veshur me petkat e meshtarit, na trajtonte gjithnjë si shokë, e ndoshta edhe nga mosha e re. Një ditë, në periudhën e okupacionit fashist, ne vajtëm në Argjipeshkvi së bashku me Dom Zef Shestanin dhe kërkuam Imzot Gaspër Thaçin. Na thanë se ishte në oborrin e prapmë të Kishës. Dolëm atje dhe e gjetëm Imzot Thaçin, ulur në një poltron xunkthash. I puthëm dorën, e pastaj zumë një bisedë të shkurtër. Imzot Thaçi, buzagaz na tha: ‘I kam marrë vesh të tana punët tueja… (e kishte fjalën për veprimtarinë tonë antifashiste), e vijoj pastaj me seriozitet: vazhdoni, vazhdoni, se pas jush jemi dhe na”.

Dom Zefi, inkurajohej prej Imzot Gaspër Thaçit, pasi ky kishte dijeni të plotë për veprimtarinë e tij prej nacionalisti antifashist, nga që takohej me Mit’hat Frashërin, sa herë që ai vinte në qytetin e Shkodrës. Dom Zefi ishte një nga të parët që denoncoi Fulvo Cordignano, (priftin italian që merrej me politikë), për shpifjet dhe politikën e tij antishqiptare. Lidhur me këtë, Zef Staku kujtonte: “E para ngjarje që na bëri të lidhnim një miqësitë të ngushtë me Dom Zefin, ishte ‘Skandali Cordignano’, siç e përcaktoi bukur këtë gjë, shoku ynë Nik Barxolla, (pseudonimi letrar i Padër Nikoll Mazrrekut), miku i ngushtë i Dom Zefit. Ne studentët asokohe ishim të parët, që bëmë peticionin (korrik 1941), dhe ja dërguam eprorëve të Cordignano. Ai peticion, u nënshkrua nga djelmoshat e rrethit të “Veprimit Katolik” të Katedrales dhe ato të “Shoqërisë Antoniane” që asokohe drejtoheshin prej Dom Zef Shestanit dhe At Gjon Shllakut, të cilët na ndihmuan në veprimtarinë tonë, në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar. Në muajin maj të vitit 1942, nisi të botohej në qytetin e Shkodrës, revista “Zani i Lirisë”, që njihet si një nga të parat revista me përmbajtje antifashiste në Shqipëri. Kjo revistë që botohej nga një grup të rinjsh shkodranë me bindje nacionaliste, nxirrej në ilegalitet të plotë dhe pati ndihmën e përkrahjen e madhe të Dom Zef Shestanit. Për disa kohë, u detyruam që të punonim natën në çiklostil, ndër varrezat katolike të Rrmajit. Idenë për të gjetur një vend kaq të sigurt, na e dha Dom Zefi. Pasi punonim tërë natën me qiri, dilnim në mëngjes dhe grumbulloheshim të gjithë sërish. Nuk shkonim në shtëpitë tona, por në Kishën e Shën-kollit në Rus, ku shërbente Dom Zefi. Mbas meshës, shend e verë, pasi puna na kishte shkuar mbarë, na merrte në qelë dhe i thoshte motër Alfonsinës (një murgeshë italiane): ‘Tani motër, nga një kafe këtyre djelmoshave, pasi janë lodhë tanë natën’. Prej gëzimit, fillonte me këndue lehtë me vete. Kohë më vonë grupi ynë “28 nandori”, (siç u njoh më pas), u hodh i pari në radhët e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”. Vetë Dom Zefi, ishte zgjedhur anëtar i Komitetit Qarkor të Shkodrës. Në këtë organizatë ai bashkëpunoi ngushtë me patriotët e njohur Lec Kurti, Ymer Lutfia, Frederik Shiroka, Bahri Kopliku, Zef Pali, Prenk Kaçinari e Rruzhdi Daca”, kujtonte Zef Staku, njëri nga miqtë më të afërt të Dom Zef Shestanit.

Në vitin 1943, pasi kishte rënë në sy të autoriteteve italiane për veprimtarinë e tij antifashiste, Dom Zefi u detyrua që të dilte në ilegalitet, pasi rrezikohej për t’u arrestuar prej tyre. Për t’i shpëtuar përndjekjeve, ai së bashku me Dr. Koplikun, Hasan Kazazin e Zef Logorecin, u larguan nga qyteti dhe shkuan e u strehuan në fshatin Zagorë të Shkrelit, ku qëndruan deri në shtatorin e vitit 1943, kur kapitulloi Italia fashiste e Benito Musolinit. Gjatë kohës që Dom Zefi me dy bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, qëndronin të fshehur në Zagorë, autoritetet italiane i bastisën shtëpinë dhe i internuan nënën e tij. Këtë veprim, autoritetet italiane e ndërmorën pasi kishin të dhëna të sakta, që Dom Zefi ishte bashkuar me një çetë nacionaliste e cila udhëhiqej nga Ndue Pali.

Largimi nga Shqipëria për në Itali

Nga gjysma e vitit 1944, Dom Zef Shestani u detyrua që të linte qytetin e tij të lindjes, Shkodrën dhe me një varkë nëpërmjet Bunës, u largua për në drejtim të Ulqinit e nga aty, i ndihmuar nga disa miq të tij ulqinakë, ai shkoi në Itali. Me të mbërritur në gadishullin Apenin, Dom Zefi u paraqit pranë autoriteteve të Vatikanit, për të vazhduar veprimtarinë e tij fetare, të cilën ishte detyruar ta ndërpriste, për shkak të bindjeve të tij, nacionaliste dhe antifashiste. Që në ditët e para të mbërritjes së tij në Itali, pas përkrahjes që ai pati nga Vatikani, denoncoi publikisht krimet e fashistëve dhe komunistëve në Shqipëri. Gjatë qëndrimit të tij në Itali, Dom Zefi, bëri një punë kolosale në ndihmë të shumë shqiptarëve antikomuniste, që ishin të detyruar të linin atdheun dhe të gjenin strehë në vendin fqinjë, nëpër kampet e shumta që ishin hapur asokohe për pritjen e tyre. Pas pak kohësh në mërgim, ai u vendos në Romë, ku dhe krijoi dhe udhëhoqi “Komitetin për Shqiptarët në mërgim”. Në krye të këtij komiteti, Dom Zefi, kërkoi ndihma nga shteti Italian për të ndihmuar bashkatdhetarët e tij, që arratiseshin nga Shqipëria, për shkak të përndjekjeve të tyre nga regjimi komunist në fuqi i Enver Hoxhës. Po gjatë kësaj periudhe kohe, që Dom Shestani ishte vendosur në Romë, ai themeloi revistën “Zani i shqiptarëve në mërgim”. Në këtë organ, me shkrimet e tij dhe të shumë personaliteteve të tjera shqiptare, i bëri të ditur opinionit botëror mbi krimet që po bënte regjimi komunist në fuqi në Shqipëri.

Në ‘Radio-Vatikani’, foli 40 vjet për Shqipërinë!

Duke parë veprimtarinë e tij publicistike dhe bindjet antikomuniste, Dom Zefi u thirr nga autoritetet e Vatikanit, të cilët i propozuan vendin e përgjegjësit të redaksisë, së Gjuhës Shqipe në Radio-Vatikani. Kështu Dom Zefi, në tetorin e vitit 1951, për herë të parë do t’u fliste nga Radio-Vatikani, në gjuhën shqipe, bashkatdhetarëve të tij dhe besimtarëve katolikë, që përndiqeshin nga regjimi komunistë në Shqipëri. Në këtë kohë, Dom Zefit, ju dha nga Vatikani, titulli ‘Imzot’. Po kështu, Selia e Shenjtë, duke parë tek ai mbrojtjen e së vërtetës dhe të dinjitetit njerëzor, pas dhënies së titullit “Imzot”, e nderoi me titujt nderit “Cameriere Segreto del Papa” dhe “Capelano Segreto del Papa”. Lidhur me krijimin e Seksionit të Gjuhës Shqipe në Radio-Vatikani dhe punën kolosale prej afro 40 vitesh në atë radio, Gjon Gjonmarkaj, njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dom Shestanit, kujton: “Kah mbarimi i shtatorit të vjetit 1951, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, vendosi me rendue edhe Gjuhën Shqype në transmetimet e Radio Vatikanit. U thirr ndër meshtarët shqiptarë në mërgim, Imzot Zef Shestani, ta drejtojë Seksionin e Gjuhës Shqype. Kështu më 3 tetor të vjetit 1951, n’orën 21.00, me temën “Udha e kryqit”, nisi transmetimi i parë, në gjuhën tonë të ambël. Transmetimet vazhduen mas-andej, për disa kohë me të njajtën temë, që atëhere ishte leitmotiv i të gjitha transmetimeve (dhe jo vetëm në shqip) të Radio-Vatikanit. Padyshim që ky vendim ishte një dhuratë e paçmueshme e Selisë së Shenjtë, ndaj popullit shqyptar, e ky fakt u vërtetue kur komunizmi në Shqypni u vu krejt në shërbim të të hujve. Kështu ai pat ngref kasaphanën njerëzore, në thikë të së cilës shkuen, me qindra e me mija krena, ndër të cilët ishin edhe shumë klerikë, nga të tre besimet fetare që ata përfaqësonin në Shqypni. Transmetimi i Rradio Vatikanit në gjyuën shqype, që prej asaj dite, kje jo vetëm në shërbim të Selisë së Shenjtë dhe Papës, por edhe një ushqim shpirtnor, për të gjithë shqiptarët në përgjithësi. Populli në atdhe, por edhe të gjithë shqyptarët kudo ku ishin, e pritën këtë transmetim, në gjuhën amtare me një gëzim të madh, e me mirënjohjen ma të thellë, tue vërtetue edhe njëherazi që Selia e Shenjtë, jo vetëm që nuk i kishte harrue, por ishte gjithmonë pranë tyne”. Që me krijimin e asaj redaksie të Gjuhës Shqipe, Imzot Shestani u përball me vështirësi të shumta, që ai mundi t’i kalonte, falë vullnetit e durimit të madh. Pas disa kohësh, ai thirri dhe afroi rreth vetes edhe Zef Palin, Andrea Shulin, murgeshën Luçia Laca dhe Gjon Gjomarkajn. Ndërsa një nga bashkëpunëtorët e jashtëm që i dha një ndihmesë të madhe Dom Zef Shestanit, ishte dhe prifti françeskan, Dom Daniel Gjeçaj (shkrimtar dhe publicist i njohur që botonte me pseudonimin letrar ‘Pal Dukagjini’). Në fillim, redaksia e seksionit të Gjuhës Shqipe, transmetonte vetëm tre herë në javë, por me pas, ato u bënë të përditshme, duke përzgjedhur jo vetëm tema, me karakter fetar, por edhe kulturore-letrare, shoqërore dhe humanitare. Në krye të seksionit të Gjuhës Shqipe, pranë Radio-Vatikanit, Dom Zef Shestani, punoi me përkushtim e zell të madh për afro 37 vjet, deri sa në vitin 1988, për arsye të moshës dhe shëndetit, ai u detyrua që ta linte atë detyrë. Në atë kohë, në vend të tij, u emërua Gjon Gjonmarkaj (me prejardhje nga Shtëpia e Kapidanit të Oroshit të Mirditës), i cili vazhdoi ta drejtojë atë seksion edhe pas viteve ’90-të.

Dom Zef Shestani, poet e muzikant!

Përveç veprimtarisë fetare, Dom Zefi ka qenë shumë i njohur edhe si një poet e muzikant. Ato dhunti të tij, ai i ka pas shfaqur që në moshë fare të re, kur ishte në bangat e Kolegjit Saverian në qytetin e Shkodrës. Lidhur me veprimtarinë krijuese të Dom Zefit, në fushën e muzikës, Tonin Zadeja nga qyteti i Shkodrës, kujtonte: “Për Dom Zef Shestanin, dua të shpreh konsideratat e mija, për një sferë tjetër, pothuaj të harruar fare, në veprimtarinë e tij. E kam fjalën për krijimtarinë e tij muzikore, që përbëhet nga një numër i konsiderueshëm këngësh të tipave të ndryshme, të cilat padyshim, përmbajnë vlera të mëdha artistike. Këngët e krijuara nga Dom Zefi, tërhoqën menjëherë vëmendjen e publikut shkodran, sidomos të rinisë shkollore. Ato kishin romantikë dhe pathosin e tyre atdhetar, si dhe intonacione të qarta kombëtare. Megjithëse me një përgatitje teknike muzikore jo sistematike, falë talentit dhe përkushtimit të tij, ai arriti të krijojë me një mënyrë të shprehuri mjaft origjinale, që së bashku me krijimtarinë muzikore të Dom Mikel Koliqit dhe atë pak më të njohur të At Bernardin Palajt, ndikuan në shijet muzikore të disa krijuesve të rinj shkodranë. Një pjesë e mirë e këngëve të kompozuara nga Dom Zefi, mbartin dukshëm shqetësimet e kompozitorit, lidhur me zhvillimet e ngjarjeve politike-shoqërore, të kohës (kujtojmë se Dom Zefi në më të shumtën e rasteve, është autor edhe i teksteve të këngëve të tij). Interes të veçantë, paraqesin edhe këngët e krijuara nga Dom Zefi në stilin popullor, midis të cilave kujtojmë këngët “Besa-besë” dhe “Karafili n’kodër”, të cilat për bukurinë e shprehjes, fituan shumë shpejt një popullaritet të madh, në qytetin e Shkodrës e më gjerë”.

Italianët: “Dom Zefi, la gjurmë në shkëmb”!

Për vitet që Imzot Shestani qëndroi në Itali, la pas kujtime dhe mbresa nga më të mirat, për të gjithë ata që patën rastin dhe fatin ta njihnin nga afër. Në San Francesko Saveri, ku Shestani shërbeu si famullitar, banorët e saj e kanë vlerësuar me konsideratat më të larta dhe për ta kujtuar, i kanë ngritur një pllakë përkujtimore, në të cilën kanë gdhendur emrin e tij. Në provincën e Boçehas, ku ai pati shërbyer, një gazetë lokale, midis të tjerash (më 4 mars 1989), shkruante: “I paraprirë nga një famë e merituar e njeriut të ashpër me zemër të artë, i rënduar nga angazhimi i përditshëm për t’i transmetuar, fjalën e zotit vëllezërve shqiptarë, ai do të përshtatej me çdo mënyrë. Në saj të nismave të tij të shumta, Boçeha, do të bëhej i pari ekip futbolli i denjë për këtë emër. I urtë, i edukuar, jashtëzakonisht i sjellshëm në rolin e tij si klerik, diti të fitojë në harkun e një dhjetëvjeçari, simpatitë edhe të atyre që për hir të një fushatizmi të errët politik, do të donim të shihnin tek ai, një “Don Camilio të ri”. Në funeralin e Imzot Dom Shestanit, në vitin 1990, morën pjesë nga e gjithë mërgata shqiptare në botë, si dhe të deleguar nga shtete të ndryshme të botës, me përfaqësi në Vatikan. “Ka njerëz që ecin mbi rërë dhe nuk lënë gjurmë, por ka nga ata që ecin mbi shkëmb dhe lënë gjurmë të pashlyeshme. Dom Zefi ishte njëri nga këta, që gjurmët e tij mbetën në shkëmb”, u tha mbi varrin e tij, atë pasdite marsi, plot 32 vite më parë. Memorie.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura