FOTO- Nga libri i Papa Piut, te veprat e Buzukut/ Kush janë 800 ‘thesaret’ e Bibliotekës të zbuluara në Kryeministri

Nov 3, 2020 | 10:54
SHPËRNDAJE

Aktivitetet e Bibliotekës Kombëtare në këtë 100- vjetor të saj kulmuan me një ekspozitë unike të korpusit libror të mbajtur në Kryeministri.

biblioteka

Institucioni më i madh i librit në vend, në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog, i japin mundësinë publikut të njihet me 800 libra e dorëshkrime, si pjesë e thesareve të fondit bibliotekar.

Në këtë ekspozitë, mes inkunabulave (libër, shkrim, pamflet etj., të botuara para shekullit XVI) vizitorët u njohën nga afër me librin më të vjetër,”Letra mbi Kuvendin e Mantovës” i Papa Piut II, bashkëkohës i Skënderbeut, botuar në 1473. Po ashtu, u ekspozua edhe libri i Bartolomeo Platinës, humanist me ndikim të madh në Rilindjen Italiane, botim i vitit 1485.

123449327_2815629405387713_3602355681382239830_n

Pjesë e ekspozitës ishin edhe dokumentet e para të botimeve në gjuhën shqipe, gramatika e fjalorë të gjuhës shqipe të botuara jashtë Shqipërisë, si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit etj. Po ashtu, ndër to gjendeshin edhe disa libra antikuarë kushtuar Skënderbeut, vepra të humanistëve shqiptarë e të huaj, ku mund të veçohet Barleti me ndikim aq të fuqishëm në tërë literaturën e huaj, posaçërisht të shekullit XV-XIX, Beçikemi, Dhimitër Frëngu etj., të cilët subjektin e marrin nga luftërat shqiptaro-osmane të shekullit XV. Sa i përket antikuarëve të besimit katolik, në ekspozitë ishin disa libra me autorë si: Baldasari, Baroti, Lombardi etj. Nuk munguan as libra të besimit ortodoks me autor Shën Joan Gojëartin, Ungjijtë dhe Akuluthitë, të botuar në Voskopojë. Ishin prezente edhe veprat e autorëve greko-latinë, që japin njoftimet e para për fiset ilire me karakter historik e gjeografik, si veprat e Aristotelit, Euklidit, Ermogjenit, Homerit etj.

Mjaft me interes në këtë ngjarje kulturore, ishin edhe veprat e autorëve e të kronikanëve bizantine, si Ana Komnena, Sfranca, Justiniani etj., të cilat sjellin njoftime për Arbërinë e shekullit VII-XV.

Hartat mes thesareve, kanë si autorë hartografët më në zë të kohës si: Koronelli, Barbie du Bokazh, Merkator, Rozaçio, Kluveri, Kâtip Çelebi etj., dhe janë të një rëndësie të veçantë për historinë e hartografimit të trojeve shqiptare.

Ndërsa dorëshkrimet në shqip dhe në gjuhë të huaj, trajtojnë çështje me rëndësi historike, gjuhësore, etnografike etj. Mund të veçojmë tragjedinë e Arkanxhelos mbi Skënderbeun apo kodikun e Kostandin Beratit, ditarët unikalë të albanologut dhe paleontologut, Franc Nopça etj.

Ekspozita përmbante edhe disa dorëshkrime orientale, me përmbajtje fetare, juridike, historike, gjuhësore e letrare të dorëshkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, sidomos divanet, një dukuri e veçantë që lindi në Shqipëri në shekullin XVIII, ku u zhvillua si rrymë letrare e njohur si “rryma e bejtexhinjve”. Mjaft me interes për vizitorët ishin edhe veprat e shkruara në shqip të autorëve të Rilindjes Shqiptare, si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jeronim De Rada, Dora D’Istria dhe Dhimitër Kamarda.

123496406_2815629185387735_4341158218840120691_n

PIRRO MISHA: NJOHJA E KËTIJ “THESARI” I JEP BIBLIOTEKËS NJË DIMENSION TË RI

Gjatë çeljes së ekspozitës më të rëndësishme të korpusit libror, në kuadër të 100-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare, drejtori Pirro Misha,kujtoi krijimin e saj, si institucioni më i vjetër kulturor në vend. “Në fakt, një ndër vendimet e para të marra nga qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, në vitin 1920, që pikërisht ai i krijimit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Ekspozita solli rrugëtimin e gjatë të kësaj Biblioteke, që nga fillimet e saj me vetëm 3 000 libra në vitin 1920, kur u krijua, në rreth 1.300.000 njësi bibliotekare (libra, dorëshkrime, koleksione gazetash, harta) që ajo ka sot”, tha ai.

Ndërsa më tej, theksoi se detyra kryesore e Bibliotekës, është të mbledhë dhe të ruajë trashëgiminë e shkruar të popullit shqiptar.

“Ndaj dhe një pjesë e rëndësishme e ekspozitës iu kushtua pikërisht kësaj trashëgimie, duke u kufizuar për shkak vendi, vetëm në ato vepra e autorë që vunë gurët e parë në themelet e trashëgimisë sonë të shkruar apo në historinë e mbrujtjes së identitetit kombëtar, duke nisur nga Meshari i Buzukut, te Bogdani e Budi, për të përfunduar me De Radën, Sami Frashërin, Dora D’Istrian, etj, apo veprat e disa prej albanologëve më të shquar të shekullit XIX. Një vend të veçantë patën edhe dorëshkrimet e disa prej figurave më të spikatura të Rilindjes sonë Kombëtare: Kristoforidhit, Nolit, Gjeçovit, Faik Konicës, etj. Po ashtu, 9 ditarët e mbajtur nga dijetari i shquar austro-hungarez, Franz Nopça, gjatë udhëtimeve të tij në Veriun e Shqipërisë. Vlen të përmendet dhe rindërtimi i bibliotekës vetjake të Faik Konicës, e sjellë kjo nga Bostoni, SHBA-ja, me mbi 300 libra”, shtoi ai.

Misha u shpreh më tej, se një nga qëllimet e kësaj ekspozite, ishte që përmes ekspozimit të librave e dorëshkrimeve të rralla, të tërhiqte jo vetëm vëmendjen e vizitorëve të thjeshtë, por edhe të studiuesve.

“Është fjala për një thesar të vërtetë që vlen të njihet, të studiohet, njohja e të cilit do t’i japë BKSH-së një dimension e prestigj të ri. Vlen këtu të theksohet se rreth 80% e librave e dorëshkrimeve të kësaj ekspozite, u ekspozuan për herë të parë. Pjesa dërrmuese e tyre janë botime të para viteve 1800. Fillohet me veprat e antikitetit greko-romak. Biblioteka disponon një koleksion të rëndësishëm të përbërë me disa prej botimeve më të hershme të autorëve të antikitetit në Europë, si të Aristotelit, Strabonit, Demostenit, Plinit, Eskilit, Sofokliut, Ciceronit, etj.

Një vend të veçantë zë dhe koleksioni i autorëve bizantinë. BKSH-ja disponon një koleksion të jashtëzakonshëm të Korpusit Bizantin, domethënëë me vepra të autorëve kryesorë bizantinë, në edicione dygjuhëshe (greqisht e latinisht). Jo më pak me interes është dhe koleksioni i dorëshkrimeve orientale: arabisht, persisht dhe osmanisht, disa prej tyre me vlerë të madhe. Vlen të veçohet Biblioteka e Bushatllinjëve, me rreth 130 dorëshkrime”, shtoi më tej studiuesi. Misha foli edhe për koleksionin e pasur të disa prej veprave më përfaqësuese të Iluminizmit Europian, duke nisur nga botimi i parë i Enciklopedisë së famshme të Didëroit me 39 vëllime, vepra e përmbledhur e Zhan Zhak Rusoit me 13 vëllime, apo seria e botimeve të para të Volterit, të Isak Njutonit, Adam Smithit etj.

123627897_2815629128721074_8919168683620067667_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura